Aleksandër Gjoka feston 60-vjetorin e lindjes!

Ishin vitet 80’ kur ai një adoleshent, me një pasion të madh për muzikën, me një kitarë të vjetër në dorë vraponte drejt Kodrave të Liqenit në Tiranë, aty ku kishte publikun e tij të dashur. Pak mund ta mendonin asokohe që ai djali i ri, me zë karakteristik, që i këndonte dashurisë në shkallët e Amfiteatrit të Liqenit, shumë shpejt do të kthehej në këngëtarin, që do bënte histori në muzikën shqiptare, do të ishte ai që do të hidhte themelet e rrymës rrok në vendin tonë të vogël.

 



Aleksandër Gjoka, një artist që ka ditur të ruajë vlerat e muzikës së mirëfilltë shqiptare, me zërin e tij karakteristik që herë pas here është quajtur si Vasco Rossi shqiptar, por që në fakt nuk ka asgjë më pak se i famshmi i italianëve, sot feston ditëlindjen e 60-të të jetës. Sandri (siç quhet mes miqsh) nuk numëron shumë klipe, e me siguri klikimet e këngëve të tij (një trend i artistëve të rinj, që jetojnë për ato kilikime), as që i sheh fare. Sepse siç ndodh gjithmonë për një artist të madh, ata janë përherë modest, përherë të heshtur përpara kompromiseve të të qënit shumë të ekspozuar si të famshëm.

Sot 60 vjeç, nuk e dimë se çfarë bilanci bën Gjoka në jetën e tij, nuk e dimë se nëse ka një peng, apo një dëshirë të paplotësuar. Por ajo që dimë me siguri është që ai muzikës shqiptare, i ka dhënë, i jep dhe do të vazhdojë ti japi shumë. Ne i urojmë ditëlindjen gjigandit të rrokut shqiptar dhe urojmë ta kemi sa më gjatë mes nesh, për të na treguar në çdo tingull të muzikës që bën, se çfarë do të thotë të bësh muzikë të vërtetë.

Aktualisht, Aleksandër Gjoka është pjesë e panelit të trajnerëve në spektaklin e talenteve të reja në “Thë Voice Kids” në Top Channel, ku sëbashku me nipin e tij Renis Gjoka kanë krijuar skuadrën e tyre të këngëtarëve të vegjël.

Previous ArticleNext Article