Relaksimi i vetes

Image result for fleura shkembiNga Fleura Shkëmbi

Gjej një vend të qetë dhe ulu. Fike celularin dhe zbehi dritat. Ky është momenti yt. Një moment për çlodhje totale dhe qetësi të brendshme…! Kushtoji pak kohë vetes për t’u siguruar që je mjaftueshëm ngrohtë dhe që je ulur në një pozicion të rehatshëm. Mbështeti duart lirshëm në prehrin tënd. Tani mbylli sytë. Merr frymë thellë, gjatë dhe ngadalë, mbaje frymën për një moment dhe nxirre po ngadalë. Çlirohu nga çdo tension, teksa ti relaksohesh ngadalë çdo herë e më shumë në çdo frymëmarrje…! Merr përsëri frymë thellë, gjatë dhe avash, mbaje frymën dhe nxirre. Zbrazi mushkëritë totalisht gjatë frymë-nxjerrjes. Merr frymë thellë për të tretën herë. Pa u nxituar. Mbaje për një moment dhe nxirre sërish. Tani, ti mund ta ndjesh veten tënde teksa lundron në një gjendje të plotë relaksi.

Vazhdo të marrësh frymë ngadalë teksa e drejton vëmendjen mbi kokën tënde. Thjesht imagjino një ndjesi qetësie që po fillon të shpërndahet që nga maja e kokës duke zbritur poshtë, ndjeji muskujt mbi ballin tënd dhe tëmthat të relaksohen. Lëri kapakët e syve të çlirohen. Lëri faqet dhe nofullën të qetësohen dhe të largojnë tensionin nga aty. Lejoje tani këtë ndjenjë paqeje të zbresë mbi qafën tënde. Ndjeje teksa çliron çdo muskul dhe fibër të trupit tënd. Në çdo frymëmarrje kjo ndjenjë relaksi depërton akoma dhe më thellë dhe të ngroh. Ajo depërton brenda në muskujt e shpatullave të tua duke i çliruar ato dhe duke i qetësuar…

Tani fillo të krijosh një imazh në mendjen tënde, të një vendi ku ti mund të pushosh plotësisht. Imagjino çfarë i duhet këtij vendi që të jetë në rregull për ty në mënyrë që të ndjehesh i qetë dhe i relaksuar. Fillo me paraqitjen fizike të vendit që po imagjinon. Ku ndodhet ky vend paqësor. Mund të përfytyrosh një vend jashtë në natyrë ose diku brenda, mund të jetë një vend i vogël ose i madh. Krijo një imazh të këtij ambienti… Qetësi!

Tani imagjino disa detaje më shumë rreth vendit tënd paqësor. Kush ndodhet në këtë vend? A je vetëm? Apo ndoshta je me dikë tjetër që të shoqëron? A janë të pranishëm edhe njerëz të tjerë? Kafshë, zogj! Imagjino se kush tjetër është në të njëjtin vend me ty. Ti je vetëm ose në shoqëri…

Image result for relaxQetësi

Imagjino edhe më shumë detaje për gjërat që të rrethojnë. Fokusohu tani në tingujt relaksues përreth në vendin tënd paqësor. Mund të jenë fëshfërima gjethesh, cicërima zogjsh, të qeshura gazmore, ecje hapash….! Tani imagjino çdo shije apo aromë që ti ndjen aty. Aromë pishash, aromë lulesh, apo era e këndshme e detit…! Imagjino ndjesinë e prekjes, duke përfshirë edhe temperaturën: çdo fllad ere që mund të jetë prezent aty, sipërfaqen në të cilën je shtrirë apo nëpër të cilën po ecën, imagjino detajet e këtij vendi qetësues në mendjen tënde…

Qetësi

Përqendrohu tani në detajet e ambientit që ti ke zgjedhur: ngjyrat, format, objektet, bimët, ujin, të gjithë gjërat e bukura që e bëjnë vendin tënd të relaksimit të këndshëm. Për të dhënë më shumë detaje të kësaj skene relaksuese, imagjinoje veten aty. Çfarë je duke bërë në këtë vend pa ankth, pa stres, pa tension, ndoshta thjesht je ulur, je duke ecur, duke medituar, lozur apo duke vrapuar e vallëzuar. Shijoje këtë vend. Relaksohu. Ndoshta ti imagjinon veten duke ecur përreth ose duke bërë atë që të pëlqen dhe të qetëson …

Përfytyroje veten në këtë vend të paqtë. Imagjino një ndjenjë qetësie, çlodhje, një vend ku ti nuk ke probleme, je i lirë nga ankthi e stresi dhe shqetësimet. Një vend ku ti thjesht mund të rivendosesh. Liroji energjitë jo pozitive dhe shijo qëndrimin aty …

Image result for relaxQetësi

Shijoje hapësirën tënde paqësore edhe për disa momente të tjera akoma. Memorizo detajet, tingujt dhe ndjenjat rreth teje. Ti e di që mund të kthehesh në këtë vend me mendjen tënde sa herë të kesh nevojë për një pauzë. Kjo të lejon të bësh një pushim mendor, t’i japësh vetes mundësinë të çlodhesh apo të ripërtërish energjitë e tua përpara se të kthehesh rregullisht në rolet e aktivitetit të përditshëm. Në këto momente të fundit të relaksimit, krijo një imazh në mendjen tënde ku ti mund të kthehesh herën tjetër kur të kesh nevojë për një pushim të shpejtë qetësues. Imagjinoje veten në vendin tënd paqësor. Këtë moment që po përfytyron tani mund ta imagjinosh përsëri në çdo herë kur ndjen se ke nevojë për pak pushim dhe qetësi me veten. Kur të jesh gati për t’u kthyer e për të vazhduar me ditën tënde, ruaje diku në hapësirën e mendjes tënde vendin imagjinar për ta pasur gati çdo herë që do të nevojitet…

Çoje vëmendjen tënde tek e tashmja. Vërej gjërat që të rrethojnë ndërkohë që trupi dhe mendja kthehen te niveli yt i zakonshëm i vigjilencës dhe zgjimit. Mbaje me vete ndjenjën e qetësisë nga vendi yt paqësor ndërkohë që i kthehesh ritmit të përditshëm jetësor…

 

Previous ArticleNext Article