Ermira Rushiti; Magjia e bluzës së bardhë

 

Nga loja me kukullat, pasioni dhe kujdesi për njerëzit, u kthye në një mision për Ermira Rushitin. Tani me uniformën e bardhë të infermieres, ajo ndihet më e plotësuar, duke prekur atë që ka ëndërruar dikur, një ëndërr e cila çdo ditë e më shumë i dhuron kënaqësi dhe e bën të ndihet çdo ditë e më shumë entuziaste për profesionin e saj.

Ka qenë rastësore zgjedhja juaj për të punuar me uniformën e bardhë?

Sinqerisht është një pyetje që e kam shumë për zemër. Këtë e lidh edhe me fëmijërinë. Kur bëja sikur isha doktoreshë dhe kujdesesha për kukullat e mia në formën më të mirë të mundshme. Mendoj se asgjë nuk është rastësore, por ka lidhje të brendshme me qenien time. Gjithashtu është shumë bukur të edukohesh me kujdesin që ke bërë kur ke qenë e vogël me kukullat dhe e ke rritur këtë kujdes për njerëzit që janë të sëmurë dhe kanë nevojë për ndihmën tënde. Kjo për mua do të thotë shumë, e kam kuptuar shumë mirë dhe jam shumë krenare për zgjidhjen që kam bërë.

Kur je studente, mezi pret të veshësh uniformën të re, cila ishte ndjesia që morët?

Të them të drejtën studimet janë një sfidë për këdo. Janë të bukura dhe të vështira, provime të forta për të arritur rezultate sa më të mira që nesër në punën që do të shoqërojë për tërë jetën të jesh sa më dinjitoze. Ndjesia që më jep bluza e bardhë dhe më ka dhënë kur e kam veshur për herë të parë ka qenë shumë e madhe, e sidomos për një profesion kaq human, si ai që kam zgjedhur për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Veshja që mbaj çdo ditë më përfaqëson mua, por me bluzën e bardhë ndryshon sepse nuk krahasohet me asnjë nga rrobat e përditshme, ajo më sjell paqe, lumturi e gëzim. Sepse në radhë të parë këto vlera do të përçoj edhe tek pacientët e mi të dashur, e së fundmi kjo përparëse do të më shoqërojë gjithë jetën.

Keni një profesion full – time me pacientët, sa i rëndësishëm është komunikimi? Komunikimi është shumë i rëndësishëm. Unë mendoj se në profesionin që unë kam zgjedhur është edhe e bukura, që pacienti që ka kaq shumë nevojë për ndihmë ta ndihmosh me fjalë, duke biseduar më fjalë të ngrohta e shëruese, sepse nuk thonë kot ‘fjala është arma më e fortë për ngritur në këmbë pacientin’. Pra marrëdhënia me pacientin është shtylla kryesore për të pasur rezultate pozitive…

A keni një njeri që ju frymëzon në këtë profesion?

Kjo pyetje me çon shumë larg. Kur isha adoleshente nisa të lexoj një roman i cili më dhuroi aq kënaqësi. Romani ‘Mjeku i tre kontinenteve” i përkon periudhave shumë të vështira ku sëmundjet ngjitëse ishin shumë të përhapura dhe kishte shumë pak medikamente. Mjeku Xhoxhe me ndihmën që dha përshkroi 3 kontinente duke ndihmuar njerëzit e sëmurë. Prandaj unë sot edhe pse jemi në kushte krejt të ndryshme, për një gjë jam e sigurt, që na bashkon dashuria për pacientin.

Sa kohë i dedikoni punës tuaj, a keni thënë ndonjëherë do të heq dorë?

Në jetën tonë çdo profesional ka një orar, por profesioni që unë kam zgjedhur është shumë human ndaj kur thua human i ke thënë të gjitha. Në këtë profesion mund të punosh edhe 24 orë e duke bërë shumë sakrifica që në fund të ditës ato nuk të duken sakrifica, por një detyrë e bukur dhe të jesh e lumtur dhe e kënaqur sepse kur ndihmon të sëmurët ke një rritje shpirtërore për veten tënde. Nuk e kam menduar të largohem nga kjo punë që më jep kënaqësi por më këtë bindje që kam mendoj se do të punoj deri në fund të jetës.

Si arrini të koordinoni raportet mes profesionit dhe familjes?

Si profesioni dhe familja janë shumë të rëndësishme. Mendoj që në jetë ka prioritete, por në këtë rast të dyja janë prioritet, por për t’i bërë të dyja përsosmërisht çdo gjë ka një zgjedhje. Ndarja e detyrave në familje, duke e parë familjen si qeliza kryesore e shoqërisë, që do të thotë të jemi të barabartë në detyra e të drejta. Në këtë mënyrë të gjithë jemi të lumtur. Në këtë mënyrë të ngelet hapësirë për të kryer punët profesionale me energjinë e duhur.

A ju kufizon uniforma në stilin tuaj?

Jo uniforma nuk më kufizon, pasi si në çdo punë ka një kod të domosdoshëm që e kam marrë përsipër ta bëj, por në rastin konkret uniforma më përfaqëson më së miri, më bën të lumtur sepse është ajo punë që dua, dhe e adhuroj, po ashtu edhe uniformën e saj.

 

Previous ArticleNext Article