KreuCelebrity

Ermonela na dha një shembull të rrallë me përuljen e saj! 

Nga Ilda Lumani

Foto: BORDO

Koncerti i mbrëmshëm ishte një miks emocionesh. Dëshirë për të ndjekur DIVËN botërore Ermonela Jaho, e pasandaj për të ndjekur shembullin e saj, në mbështetje të grave që kanë vuajtur kancerin e gjirit! Por, ndoshta askush nga ne nuk kishte marrë parasysh, se Ermonela Jaho do të na jepte një tjetër shembull, atë të përuljes, një fjale të panjohur në llojin e saj, e aq më tepër e huaj në sërën tonë!

Sapo mbaroji shfaqjen në Spanjë Ermonela Jaho u nis drejt aeroportit, bëri check in-in dhe në ato minuta pritjeje të avionit për në Shqipëri fshiu make-up-in e rolit të saj të fundit. Mbërriti në pasditen e vonë të 21 tetorit në Tiranë. Nuk zgjodhi rehatinë e hoteleve luksozë të kryeqytetit, sic dhe i takon, por ato orë “çlodhjeje” i kaloi me familjarët e saj, në shtëpinë e tyre. Vigjilja e koncertit e gjeti në sallën e Qendrës Kulturore Të Kishës Orthodokse, ku organizatorët e koncertit kishin lajmëruar një konferencë shtypi. DIVA Ermonela ishte aty, përparq cdo artisti, duke mirëpritur gazetarët, mandej operatorët të vinin të gjithë e të bëheshin gati, e madje-madje duke hequr edhe emrin e saj nga ekrani, për t’u vendosur ai i Kauzës së Fjongos Rozë, ajo për të cilën gjendej në Tiranë!

Mbresëlënëse! (Nuk di nëse një njeri tjetër do ta bënte këtë gjë!!!)

Konferencën e fokusoi tek energjia pozitive, ajo që duhet të mbizotërojë tek ne, tek fuqia që mund të bëjnë njerëzit të gjithë bashkë!

“Jam këtu si artiste, si grua, si motër, si hallë, për të dhënë kontributin tim në mbështetje dhe ndërgjegjësim të grave për kancerin e gjirit. Ndoshta puna jonë është një pikë uji në oqean, por ama edhe një pikë uji nëse pikon pa ndërprerje mund të shpojë një gur”!  “Kam ardhur me kosto zero. I gjithë ky koncert është bamirësie. Të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka. Vetëm, askush nuk mund t’ia dalë. Me artin tim dua të ndihmoj këtë kauzë”, u shpreh ajo.

Mesazhet e Ermonelës ishin të forta! Por mbi të gjitha të Vërteta. Ajo e beson pafund atë që bën, dhe po përpiqet që përmes koncertit që kishte emrin e saj, të nise puna për krijimin e një qendre mbështetjeje për gratë që kalojnë këtë sëmundje! Në Tiranë ajo interperoji krah pianistes virtuoze Elda Laro. Pas cdo interetimi të saj Ermonela falenderonte Laron, me gjeste, mimikë dhe duartrokitje! Të dyja bashkë na cuan në një botë emocionale, hyjnore, plot lotë dhe shpresë në të njëjtën kohë!  Teksa këndonte përtej qëndrimit potent në skenë, DIVA botërore kishte një dritë në sy, sa të dukej sikur komunikonte me një tjetër botë! Një dritë që e shpërndante tek çdo njeri që gjendej në atë sallë, tek çdo zemër e lënduar ose jo, tek çdo femër dhe mashkull! Drita e saj ishte e parezistueshme!

Çfarë artisteje! Çfarë interpretimi! Çfarë sjelljeje skenike! Çfarë shembulli!

E veshur nga stilistja e saj prej mbi një dekade tashmë, Mirela Nurce, Ermonela Jaho për gati një orë solli copëza nga kryerolet e saj, mes të cilave “O mio bambino caro”, “Mamdam Butterfly”, rrëmbeu duartrokitje, ovacione, lule, mirënjohje, respekt, ndjesë… Na dha të gjithëve dashuri… jehona e së cilës vijon edhe tani, teksa ajo gjendet në një tjetër shtet, për të vijuar axhendën e saj të mbyllur tanimë për disa vjet!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF