Ekskluzive për Bordo: Blendi Fevziu, një libër për fëmijërinë dhe një set fotografik me dy vajzat!  

Gazetari Blendi Fevziu sapo ka publikuar librin e tij më të fundit “Tirana e Nonës”, për të cilin pak kohë më parë në një intervistë ekskluzive për Bordo, Fevziu u shpreh se ky është libri më i mirë që ka shkruajtur deri tani. Në numrin e kësaj vere, në faqet e Bordo patët mundësi të lexoni një rrëfim të detajuar të Blendit, si gazetar, shkrimtar, e si baba i dy vajzave.

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Fani Aliko

Shkrimtari dhe gazetari do të sjellë një botim dedikuar fëmijërisë, duke rrëfyer për herë të parë historinë e periudhës më të bukur, por dhe vendimtare të jetës së tij, e cila përcaktoi të ardhmen drejt gazetarisë.

Pasditeve, sapo shënjonte faqen e librit të preferuar, duke përmbyllur një rutinë thuajse të përditshme, ai kthente sytë me kërshërinë e pangopur të një fëmije, tek tre portrete. Ato ishin tre ‘ikona’ para të cilave dëgjonte gjithë ëndje nga thashetheme grarish, deri tek konceptet politike, që jo kushdo kishte fatin as t’i mendonte. Një fëmijëri e mbushur me historitë, urtësinë dhe mësimet e të tre grave, që ndikuan fuqishëm në jetën e tij, sa asnjë shkollë nuk do të mbushte me dije neuronet e një vogëlushi. Pikërisht këto tre gra u bënë guida e të ardhmes së Blendi Fevziut. “Fëmijërinë time e ka shënjuar përkujdesja e stërgjyshes, motrës dhe një kushërirës së saj. Qenë tre plaka të fisme të diplomuara në Vienë dhe Firenze pas luftës së parë botërore dhe që kishin një horizont për botën shumë më të gjerë se sa shumica e njerëzve të lindur dhe të rritur nën regjimin komunist”- kujton gazetari dhe shkrimtari, në këtë speciale për Bordo dedikuar 1 Qershorit, ku të gjithë nga pak, sjellin në vëmendje fëmijërinë e tyre, por edhe atë të fëmijëve të tyre, tani në rolin e prindërve. Por, ndryshe nga të tjerë, shkimtari rrëfen për herë të parë për Bordo se është në fund të librit të tij të ardhshëm, i cili do të jetë i fokusuar tërësisht tek fëmijëria e tij, një fazë vendimtare e cila ka paracaktuar edhe të ardhmen e tij.

Si e kujtoni 1 qershorin kur ishit fëmijë?

Nuk kam ndonjë kujtim të veçantë që të jem i sinqertë. Me sa kujtoj kanë qenë ca koncerte që bënim në shkollë, por ku unë nuk merrja pjesë sepse zëri im ishte stonaturë e vërtetë.

Çfarë fëmije keni qenë, i pëlqenit festat?

Më pëlqente shumë kur kishte njerëz në shtëpi, që festonin apo jo. Mjafton që shtëpia të ishte plot. Festat nuk besoj se më kanë pëlqyer, madje histeria e sotme e festave kolektive më lodh.

Çfarë vendi zë fëmijeria në jetën e një njeriu?

Përiudhën kur merr vulë e ardhmja e gjithsecilit. Më tej shumë gjëra varen nga fati, por përveç tij, në fëmijëri projektohet e ardhmja e gjithsecilit.

Jeni një baba i rreptë, i butë apo më shumë i vëmendshëm?

I rreptë jo. I vëmendshëm relativisht. Por asnjëherë i fiksuar.

A jeni natyra e babait që keni ndërruar pelena, qëndruar natën zgjuar kur vajzat kanë qenë sëmurë, i keni ushqyer… apo ja keni lënë mami Inesit këto detyra?

Jo, në përgjithësi s’kam bërë asgjë nga këto. Veç rasteve kur ka pasur ndonjë shqetësim shëndetësor që kam qenë i pranishëm padyshim.

Po ju si e keni pasur raportin me babain, a mund të bëni një përshkrim të portretit të tij si prind?

Raport normal dhe shumë miqësor. Mbi të gjitha ka qenë që prej adoleshencës një bashkëbisedues për tema politike, letrare apo të zhvillimit historik. Këto biseda merrnin dhe marrin një pjesë të madhe të kohës që rrimë bashkë. Dhe më kënaqin.

Çfarë keni marrë nga babai juaj përsa i takon prindërimit?

Nuk kam bërë ndonjë analizë kaq të thellë. Por besoj jam më i bindur që fëmijet duhen lënë vetë të çajnë në jetë. Pa proteksionizëm.

Po ndonjë këshillë që ju kujtohet e cila asokohe ju dukej e tepërt, e sot e shihni të drejtë?

Pothuaj të gjitha këshillat e prindërve me kalimin e kohës rezultojnë të drejta dhe të nevojshme. Zakonisht këshillat e tij kishin të bënin me të ardhmen time dhe me zgjedhjen e profesionit. Ai kishte më shumë pasion që unë të zgjidhja shkencat ekzakte, por unë zgjodha ato shoqërore.

Nëse do të bëjmë një udhëtim pas në kohë kur ju kishit moshën e fëmijëve tuaj, cilat janë ato detaje që nuk shlyhen nga kujtesa, si lojrat, veshjet, ushqimet?

Asnjëra nga këto. Fëmijërinë time e ka shënjuar përkujdesja e stërgjyshes, motrës dhe një kushërirës së saj. Qenë tre plaka të fisme të diplomuara në Vienë dhe Firenze pas luftës së parë botërore dhe që kishin një horizont për botën shumë më të gjerë se sa shumica e njerëzve të lindur dhe të rritur nën regjimin komunist. Ato qenë guida ime e parë në jetë dhe e paharruar.

Çfarë do të donit t’u sillnit dhe fëmijëve tuaj, nga koha e vegjëlisë tuaj?

Pikërisht këtë që thashë më sipër. Sapo kam mbaruar një libër për fëmijërinë time mes këtyre 3 plakave të jashtëzakonshme dhe filozofinë me të cilën ato përballnin jetën. Sidomos në fund të saj, kur ato kishin luksin të bënin bilancin se çfarë kishin bërë mirë dhe keq në jetë dhe të ma ofronin çdo korrigjim të saj në formën e këshillave për mua. Libri besoj do të botohet shpejt dhe për mua është libri më i mirë që kam shkruajtur.

Çfarë dëshironit të bëheshit kur ishit fëmijë?

Nuk kam pasur një ide të veçantë. Në adoleshencë doja të bëhesha shkrimtar dhe thuajse një gjysëm ëndërre e kam të realizuar.

A ka diçka që keni dashur gjithmonë ta bëni por nuk e patët asnjëherë mundësinë? Ka Fevziu një peng?

Që ditën e parë të punës sime kam bërë atë gjë që kam ëndërruar të bëj. Këtë e kam konsideruar pasurinë time më të madhe. Kam dashur të jem gazetar dhe jetoj si gazetar. Kjo më mjafton. Nuk kam ndonjë peng. A po, kam pasur ëndërr të ngjitem një herë tek Kali i Skënderbeut në shesh, kur isha fëmijë. Dhe u ngjita një ditë para 2 vitesh kur po restaurohej.

Si kalohej një fundjavë në kohën kur Blendi kishte moshën e Mishel?

Në rrugicën përpara shtëpisë duke luajtur futboll ose duke folur për futboll.

A ka përplasje brezash mes jush dhe Mishel? Për çfarë debatoni më shumë?

Ka padyshim. Por nuk para kemi debate sepse është e kotë. Ajo i takon një brezi tjetër shumë ndryshe nga i imi. Gabimi më i madh është ta analizosh atë me eksperiencat e fëmijërisë sonë.

Çfarë ju bezdis apo ju bën çudi në mënyrën e jetesës së adoleshentëve të sotëm?

Disi mungesa e jetës në komunitet. I shoh që edhe kur janë bashkë janë secili me celularin e tij.

Jeni ju një baba xheloz për vajzat? Flet vajza juaj e madhe me ju për çështjet e zemrës?

Jo nuk flet. Dhe as e pyes. Por nuk jam fare xheloz.

Nëse ajo do t’ju rrëfente se një djalë e ka lënduar çfarë do të bënit ju?

Besoj do t’i sugjeroja që të mësohet t’i përballë vetë situatat e saj në jetë dhe mbi të gjitha, të mos ju qahet dhe të mos presë zgjidhje nga të tjerët.

Blendi është baba që u plotëson dëshirat vajzave apo i vini limite?

Kjo hyn tek dobësitë e mia, zakonisht jua plotësoj. Natyrisht nëse janë brenda kërkesave normale.

Jeni prindi që projektoni të ardhmen e fëmijëve tuaj, apo do t’ua lini në dorë atyre?

Pa asnjë dyshim. Mund t’i këshilloj, por vendimin në fund duhet ta marrin vetë.

Intervistë e dhënë për Bordo në numrin Maj/Qershor 2019

 

 

Previous ArticleNext Article