KreuArt

Vikena Kamenica: E mrekulluar që sallat operistike në Shqipëri mbushen me rini, ndryshe nga jashtë që publiku është ‘kokë bardhë’!

Sot Vikena Kamenica feston ditën e lindjes dhe me këtë rast  botojme kete interviste te plote dhene per Bordo ne pranvere 2018

Ky padyshim ka qenë një vit i artë për mezzosopranon, jo vetëm për ngjitjet e panumërta në skenë, apo për rolet e mëdha që i janë besuar, por sepse ka ditur të kalojë nga njëra shfaqje në tjetrën, me performanca të përsosura.

Sapo ulemi në kafene, me një buzëqeshje 24 karatë dhe të ngrohtë ajo nis bisedën. Kemi vetëm pak kohë, sepse më pas e presin provat e fundit të operetës ‘Die Fiedemaus’, ndaj herë pas here kujdeset, duke kaluar plot elegancë një shall të ngrohtë rreth qafës, mënyra e vetme për të ruajtur zërin. Sezoni artistik që po mbyllet, i cili startoi nga tetori e deri tani e ka ngjitur jo një herë, po për të disatën herë në skenë, herë në role kryesore, e herë si soliste në koncerte të saj, por asgjë nuk mund ta ndalë mezzosopranon Vikena Kamenica kur bëhet fjalë për skenën. Ndaj vendos të rrëfejë për Bordo gjithçka që e lidh fort me momentet magjike që nisin gjatë provave, marrin hov kur perdja e rëndë ngrihet, e derisa sipari bie, për të rinisur sërish të njëjtin ritual, por ama me emocione ndoshta më të forta.

Vitin e shkuar, kur u deklarua se Opera do të rikonstruktohej, mendova: solistët e TOB pushim, por duke parë kalendarin tuaj artistik, nuk duket aspak kështu?


Në fakt ishte një frikë dhe dyshim i madh për të gjithë ne! Por aktualisht vetëm “pushim” nuk mund të quhet, por një ngarkesë akoma më e madhe sepse shtegtimi i përhershëm ka koston e vet të lodhjes fizike por nga ana tjetër duke ndërruar kaq shpesh vendet e performancave ka larmi emocionesh dhe surprizash.

Startuat sezonin e “Grand Gala De La Zarzuela”, pastaj me një recital, sollët pak aromë vieneze, risollët Carmen, forcuat urat e Muzikës Tradicionale, së fundmi “Die Fiedemaus”, duket si një vit i lodhshëm, por edhe i artë për Vikenën?

Një vit vërtet intensiv dhe “tonifikim” artistik duke qëndruar kaq gjatë në skenë por e vërteta është që ka vetëm kënaqësi emocionale sepse me sistemin që punojmë nuk ka aspak stimul tjetër siç fundja vlerësohet çdo artist që jep më tepër e shet më tepër.

Mos ju kanë joshur rolet e para që nuk i keni thënë dot jo atyre?

Rolet janë gjithë dashuria dhe pasioni që mua më mban lidhur me operën! Është liria e krijimtarisë që të jep ty kur ndërton çdo notë dhe kur në fund në kompleksitet ti jeton ndjenjat e figurave solemne të botës operistike! Unë jam rritur me repertorin operistik dhe deri më sot kam detajuar me ambicie dhe kërshëri çdo vepër e çdo rol.

Na ndodh kur takojmë një person pas shumë kohësh kemi shumë për të thënë, po për ju ritakimi pas 10 vitesh me Carmen si ishte?

Carmenin e ndjeja të maturuar kësaj here sepse dhe Vikena në 10 vite plus në jetë kishte akoma më tepër për të thënë dhe prapë të më kthesh akoma kam gjëra për të shtuar! Rebelizmi pasionant i Carmen-it është ëndërr për çdo mezzosoprano. Unë e kam jetuar ëndrrën time në 2 rivënie dhe një dëshirë që nuk mbaron kurrë për këtë rol.

Fuqia e një personazhi si Carmen është sa intrigues edhe joshës, lozonjare dhe e pamëshirshme, e ëmbël dhe e hidhur, si do ta përkufizonit veten në këtë rol?

Më qëndron shumë afër temperamentit tim dhe ajo çka më surprizonte është që ndjeja dhe vetë natyralitet e spontanitet në çdo frazë. Edhe pse 10 vite në sirtar për mua është një rol që ishte rrënjosur në kockë.

Carmen ishte një sukses dhe kjo u konfirmua nga shitja e biletave, por jam kurioz për diçka, në ditët që dublantja juaj luajti Carmen, ishit në shtëpi apo shkuat për të ndjekur shfaqjen, sepse më intrigon fakti që rolin tuaj e ka dikush tjetër?

Gjithësekush ka individualitetin e vet dhe mundohet të paraqesë sa më shumë nga vetja! Këto janë role shumë impenjative dhe është risk i madh të jesh pa dublante por në përgjithësi gjatë produksioneve jam gjithmonë për pushim absolut dhe rikuperim forcash për performancen e radhës.

Veprat operistike janë të një kalibri që i rrinë për shtat Vikenës, ndaj kur ju pashë në bashkëpunimin tuaj për koncertin “Urat e Muzikës Tradicionale”, mendova kjo duket e thjeshtë, por ju më konfirmoni të kundërtën, pse?

Në fakt është një stil që e kam zhvilluar paralelisht gjatë formimit tim artistik. Por nga ana tjetër kërkon vëmendjen e vet e sidomos kur ka kapërcim stilesh. Unë kaloja nga Carmen – Koncert Mozart- Reminishenca Greke dhe ndërkohë për të ruajtur forcat për operetën e Strauss.

Më flisni pak për një udhëtim që do të ndërmerrni së fundmi drejt Francës?

Është një ambicie komplet personale. Një audicion i fituar para 2 vjetësh për ti dhënë Vikenës diçka më tepër! Në Shqipëri e ndjej veten të konfirmuar, por ajo çka më mungon është vlerësimi i produktit që jap dhe e gjitha kjo për sa i përket operës. Por gjithë detajet e Francës po i lëmë për një moment të dytë me ju sepse ka shumë për të thënë dhe është gjithmonë kënaqësi të flas me Bordo.

Ajo që gjithkush vë re që në takimin e parë me ju është buzëqeshja 24 karatë, por a nuk dorëzoheni ndonjëherë, a ka momente që ndiheni e lodhur?

Padiskutim dhe ka shumë për të thënë pas një buzëqeshje, por është ajo që më jep force të vazhdoj përpara! Është terapia ime dhe kur e përcjell dhe tek të tjerët më jep akoma besim në vetvete për të mos u dorëzuar. (qesh)

Me gjithë axhendën e ngjeshur, kur gjeni kohë ti dedikoheni vajzës dhe bashkëshortit, keni vendet tuaja të preferuara ku udhëtoni?

Kjo është kostoja më e madhe që ti merr nga profesioni që ke zgjedhur! Më duket gjithmonë shumë pak koha që kam me familjen, sepse ju e dini që gjithë ky aktivitet i ngjeshur mbart orë pune pa limit dhe kjo është ajo që më vret më shumë përçka i përket vajzës dhe kohës së saj.

Talenti juaj i ka rrënjët në familjen tuaj, cili ju jep më shumë këshilla apo ju kritikon: kush më mirë se një mezzosoprano si mamaja juaj mund ta bëjë këtë?

Mamaja është kritizeri më problematik që kam (qesh)! Ajo gjithmonë mendon se kam akoma më shumë për të dhënë. Nganjëherë me duket frustruese dhe këtu e kuptoni vetë që shuhet “buzëqeshja” dhe na hapen debate të forta sepse më duket sikur humb orë jetë duke kërkuar kaq shumë. Kjo është një temë që nuk ka fund se gjithmonë unë kam argumentimin tim dhe ajo të vetin, por në fund jemi të dyja shumë kokëforta.

Edhe pse muzika lirike në Shqipëri nuk ka qenë në vend të parë, njerëzit e rafinuar që e duan kanë mbushur gjithmonë sallat, mendon se kjo ka të bëjë me një brez të kultivuar dhe si mund të rritet interesi për operan?

Ajo çka më mrekullon në Shqipëri është që ka brez të ri që ndjek operat ndryshe nga jashtë kufijve ku sheh shumë “kokë bardhë” nëpër salla teatrosh. Interesi sa vjen edhe rritet prandaj përgjegjësia sa vjen edhe shtohet për të mbajtur publikun e operas.
Publiku ynë nuk “gënjehet”, është i rafinuar dhe kur imponohen vlera janë të parët që i mirëpresin. Vetëm se duhet të ketë një përshkallëzim informimi në çdo gjë që i servir!

Nga viti i shkuar TOB ka udhëtuar në disa qytete, duke hedhur poshtë mitin se vetëm kryeqyteti meriton opera e balet, e keni ndier interesin në qytetet e tjera?

Interesi në qytetet e tjera është emocionues! Të etur për art e kulturë dhe arti elitar duhet të zërë akoma më shumë vend në skenat e tyre sepse marrin bazat e vërteta të kulturës muzikore dhe do jenë ata më pas që do të gjykojnë çdo gjë tjetër që mund t’iu serviret apo imponohet.

Shumë i diskutuar ende statusi i artistit në Shqipëri: të gjithë marrin duartrokitje, që për artistët janë të vyera, por ka pak vlerësim nga shteti, çfarë pret Vikena që të ndryshojë?

Ky është një sistem që ka nevojë të detajohet në të gjithë hallkat e tij! Jemi një vend që për popullsi kemi shumë talente dhe të kuptojmë akoma më shumë që me art si vend i vogël jemi më tepër krenarë përballë botës.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, sivjet keni qenë në disa role ku personazhet janë veshur nga mikesha juaj Enada At’Nikolla, si jeni ndjerë, cilat janë raportet tuaja? 

Është kënaqësi dhe lumturi kur mikeshat e brezit tënd kanë arritje të bukura në fusha të ndryshme siç është Enada një miqësi që starton kur kemi qenë vetëm 16 vjeç dhe flisnim vetëm për ëndrra! Është bukur që brand-i At’Nikolla po merr dimension më të gjerë dhe unë fatin e kam pasur të ndaj dhe profesionin bashkë me të duke krijuar siç është rasti i princ Orlofskyt në ‘Die Fledermaus’, ku ajo mbart gjithë krijimtarinë e veprës për ti dhënë shkëlqimin e salloneve Vieneze, por për mua personalisht një shënjim të bukur mbart nata e prezantimit të fragrancave të parfumeve ku unë isha pjesë artistike e kësaj nate dhe që kanë një vulë shqiptare si At’Nikolla ku të çon në shpresën që vetëm shtohen vlerat prezantuese të vendit tonë. Krenare për brezin tim e arritjet e tyre! Nuk mund të lë pa shtuar që një nga parfumet e linjës At’Nikolla është ‘BORDO’, aspak kompliment por aroma e preferuar.

Intervistë e botuar në revista Bordo, numri i Prill 2018

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF