KreuStil Jetese

“Wild Beauty” në Lumin e Shalës! Del numri i ri i revistës BORDO!

Rizgjim…

Nga Ilda Lumani

Jetuam një kohë të pamenduar… të paparë dhe në ëndrrat më të këqija… e tanimë me shpresën se gjithçka ka përfunduar jemi gati për të pritur një verë, që do t’ia dimë më shumë se kurrë vlerën!
Si një rizgjim vjen edhe ky numër i BORDO, për të cilin jam më shumë se kurrë krenare!

I realizuar në 2 javë ju sjell një buqetë energjie, motivimi, gëzimi, optimizmi si rrallëherë…

E dëshmojnë këtë bashkëpunëtorët tanë, të cilët në këtë numër kanë zgjedhur të vijnë me imazhe të reja, editoriale mode, dhe artikuj ekskluzivë…, personazhet tanë, që edhe kur janë larg Shqipërisë, si Nertila Koka nga Suedia na zgjedhin ne për të komunikuar me publikun, apo Timo Flloko e Pandi Laço që realitetin e hodhën në poezi dhe na kanë sjellë në rubrikën Letërsi vargje mëse aktuale!

Një aromë rinore sjellin fytyrat e reja të lajmeve në ekranet shqiptare: Fabiola Hoxha, Brikena Prifti dhe Loneta Progni…

Kemi dashur të rikujtojmë një nga figurat më të rëndëshishme të arkitekturës shqiptare, me një jetë të trazuar siç ishte Maks Velo. Një intervistë e tij e disa viteve më parë rivjen në shenjë mirënjohje për një njeri të madh!

E sa i përket kopertinës, editorialit të realizuar nga stilistja Enada At’Nikolla ajo është një tjetër histori e bukur për t’u rrëfyer!  Që nga veshjet verore At’Nikolla, të cilat tashmë do t’i gjeni edhe në “Chic Studio”, një nga dyqanet më të mëdha të modës në vend, e deri tek realizimi i tij në Lumin e Shalës, në Theth. Ishte pikërisht konkursi #shqipëriangashtëpia, i realizuar në faqen time të Instagramit, një ide që do ta shpjegoj edhe tek rubrika Travel (faqe 88), që na dha ngacmimin për të udhëtuar drejt Veriut. Mandej, fotografi Renuar Locaj, i cili ishte i qartë se çfarë do të përcillnin fotot e tij nga ky destinacion, ku patëm mbështetjen e Gudia Albania, udhërrëfyesit tonë në këtë udhëtim të paharrueshëm!
Shpresoj t’ia kemi arritur të kemi përcjellë bukuritë e këtij vendi dhe falë këtij botimi të kemi sjellë disa emocione të reja dhe momente relaksi për ju lexuesit tanë besnikë!
Ju uroj verë sa më të bukur!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF