KreuKuzhine

5 receta të shijshme afrodiziake për të ndezur pasionin

Mbajeni ndezur pasionin gjatë ditëve të dashurisë, duke zgjedhur pjata afrodiziake. Më së shumti, pjatat me bazë prodhimet e detit, nga karkalecat, gocat, peshku apo karavidhet, janë të pasura me përbërës, të cilët stimulojnë në mënyrë krejt natyrale organizmin tonë në prodhimin e përshpejtuar të hormoneve që janë përgjegjës për seksin. Ndaj edhe kemi sugjeruar disa pjata vërtet të nxehta, e për ta mbyllur, një pjatë me fruta dhe djathra, është kombinimi më i përsosur, për ato që duan të shuajnë “zjarrin”, jo thjesht me një gotë verë. Ndryshe nga herët e tjera, përveç recetave, Bordo ju sjell edhe disa shpjegime të detajuara për produktet që janë edhe përgjegjëse për mënyrën sesi kanë aftësinë të na ndezin dëshirat tona seksuale.

Goca deti me erëza

Përbërësit: 12 goca deti, 2 qepë, 150 gram spinaq, 50 gram thërrime buke, 30 gram gjalpë, 1 lugë gjelle verë të bardhë, kopër, kripë e trashë, piper dhe kripë normale.

Përgatitja: Hapni gocat e detit. Ngroheni furrën në temperaturë 220 gradë celcius. Prisni imët barishtet, si qepët, koprën dhe i kavërdisini me gjalpë në një tigan.

Shtoni spinaqin e copëtuar dhe skuqini për disa minuta. Shtoni pastaj thërrimet e bukës dhe përziejini në mënyrë që të lidhen së bashku. Shtojini një lugë gjelle verë të bardhë, një majë luge kripe dhe piper.

Përhapni një shtresë të lehtë kripe të trashë në një pjatë që mund të futet në furrë dhe vendosni gocat e detit, në mënyrë që ato të jenë të qëndrueshme. Futini në furrë për tre minuta dhe pasi t’i nxirrni hiqni me një lugë tulin e butakëve dhe përziejini me erëzat që keni përgatitur.

Shërbejini gocat e detit me një Pinot Grigio, për një darkë pasionante.

Gocat e detit janë të pasura me zink, i cili është thelbësor për prodhimin e testosteronit dhe mbajtjen e spermës së shëndetshme. Gjithashtu rrisin dopaminën, hormonin përgjegjës për epshin e burrave e grave.

Krepa me karkaleca 

Përbërësit: 1 vezë, zaferano, 25 gram gjalpë, 4 karkaleca të mëdhenj, pana, qepë, 1 lugë konjak, erëza, 1 lugë qumësht, 40 gram miell, 6 karkaleca të vegjël, karotë, selino, salcë domateje, salcë uorçester dhe kripë.

Përgatitja: Në një enë rrihni vezët, miellin, zaferanon me qumështin dhe një lugë gjalpi të shkrirë, derisa të krijohet një sasi brumi homogjen tipik për krepa. Lëreni brumin të pushojë për gjysmë ore. Nxehni një tigan që nuk ngjit, hidhni vaj luledielli dhe piqni krepat për 30 sekonda në çdo anë.

Pastroni karkalecat dhe lërini mënjanë kokat dhe lëvozhgën e tyre. Në një enë tjetër vendosni qepën dhe karotat e grira imët për t’i skuqur me gjalpë, shtoni aty kokat dhe lëvozhgat e karkalecave, të cilat në fund shuajini me një gotë konjak. Kulloni lëngun në një sitë dhe shtoni aty tulin e karkalecave. Vendosini në zjarr dhe shtoni ngadalë kripë sipas dëshirës, salcën uorçester, 1 gjethe selino të copëtuar, 1 lugë salcë domate dhe qumështin pana, pak para se të fikni zjarrin. Me këtë masë mbushni krepat dhe palosini në formë katrore, dekorojini sipër me copa karkalecash si dhe lëngun e tyre.

Karkalecat kanë sasi të konsiderueshme hekuri dhe zinku, por edhe proteina dhe aminoacidin fenilalaninë, e cila është provuar shkencërisht se rrit nivelet e neurotransmetuesve të cilat nxisin dëshirat seksuale në tru.

Pasta me karavidhe 

Përbërësit: 320 gram spageti, 2 karavidhe, 200 gram domate qershi, 30 gram ullinj të zinj, 1 qepë e kuqe, 4 lugë vaji ulliri, 200 mililitra verë e bardhë, 1 karotë, 1 kërcell selino, 1 qepë e bardhë, 1 fletë dafine, kripë, piper i zi dhe i kuq.

Përgatitja: Në një tenxhere zjeni për 15 minuta ujin bashkë me karotën, kërcellin e selinosë, qepën e ndarë në katërsh, fletën e dafinës, verën dhe kripën. Më pas shtoni karavidhen, e cila duhet të lihet të ziejë për 10 minuta të tjera. Nxirreni nga tenxherja dhe lëreni të ftohet në një enë me ujë të ftohtë dhe akull. Kur të jetë gati, hiqni tulin e karavidhes, i cili është i përqendruar më shumë tek pjesa e bishtit dhe zona e barkut.

Pasi të hiqni tulin, rihidheni lëngun të ziejë deri sa të shterojë pothuajsë përgjysmë. Kur të jetë gati, kullojeni me një sitë të imët dhe hiqeni mënjanë, në mënyrë që ta përdorni për salcën.

Ndërkohë në një tigan marrim qepën e kuqe të cilën pasi e grijmë imët e vendosim për t’u skuqur me vaj ulliri. Shtojmë lëngun e sapo kulluar të karavidhes, domatet qershi të ndara në dysh dhe i lëmë të ziejnë. Shtojmë aty tulin e karavidheve të prerë në feta, më pas ullinjtë dhe borzilokun. Paralelisht ziejmë spagetit, i kullojmë dhe i hedhim në salcën e përgatitur.

Karavidhet vijnë që nga lashtësia si ushqimi afrodiziak i Perëndive, pasi janë të pasura me fosfor dhe selen, stimulues i adrenalinës, ndërsa vitamina B12, nxit epinefrinën, një hormon seksual natyral.

Troftë me shafran

Përbërësit: 700 gr troftë, 30 gr gjalpë, fije kuzhine, trumzë, krem pana, 1/2 gota vermuth, shafran, kripë.

Përgatitja. Hiqni lëkurën nga trofta dhe më pas me majën e thikës, krijoni fileto me gjerësi rreth 3 centimetra. Krijoni disa rrotulla me to dhe lidhini me spango. Kalojini në sallo që ato të ruajnë formën e tyre dhe lërini të pushojnë.

Shkrini gjalpin në një tigan që nuk ngjit, shtoni filetot e troftës dhe trumzën; lërini të skuqen në mënyrë të njëtrajtshme, duke i kthyer me ndihmën e 2 lugëve, në mënyrë që të mos dëmtohet tuli. Shtoni kripën dhe mbuloni me kapak për rreth 5 minuta në temperaturë të ulët. Kur të jenë gati, hiqini nga tava me një shpatull dhe mbajini mënjanë.

Hidhni vermuthin në lëngun ku përgatitët troftën dhe lëreni të avullojë në zjarr të fortë, shtoni kremin pana, dhe shafranin, duke e përzier me një lugë druri. Lëreni të ziejë ngadalë derisa të krijohet një masë homogjene. Kur të jetë gati, salcën hidheni sipër troftës për ta aromatizuar dhe dhënë më shumë shije.

Shafrani njihet si afrodiziak natyral, pasi kontribuon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe aktivizon prodhimin e hormoneve që rrisin ndjeshmërinë e mukozave, tek burrat ashtu edhe tek gratë.

Sallatë Maqedonia 

Përbërësit: 120 gr luleshtrydhe, 120 gr rrush pa fara, 4 kivi, 2 mollë jeshile, 2 dardha, 4 topa mocarela,

180 gr gorgonzola pikante, 150 gr pekorino, 70 gr sheqer, 150 mililitra uthull balsamike, 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër, 1 tufë nenexhik dhe kripë.

Përgatitja: Pritini mollët jeshile dhe dardhat në feta të holla. Qëroni kivit dhe pritini në kube. Shpëlani luleshtrydhet dhe rrushin pa fara të kuqe dhe thajini me letër kuzhine.

Vendosni frutat në një pjatë, spërkateni me vaj ulliri dhe pak kripë. Nxehni uthullën balsamike me sheqer në një tenxhere dhe lëreni të ziejë në zjarr të ngadaltë për 10 minuta. Pritni djathin pikant gorgonzola, mocarela dhe pecorino, duke i vendosur në mes të frutave. Zbukuroni sallatën e frutave me djathë, gjethe nenexhiku dhe spërkateni sipër me salcë balsamike.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF