Rozi Kostani: Teatri një dashuri, që po e gjete nuk e lë më dot

Nga Anila dedaj

Kujtimet e para të fëmijërisë i rikthehen si fotografi që kanë mbetur brenda saj. Ndjenjat dhe qasjet për to i zgjohen sa herë shkon në shtëpinë e saj në Shkodër. Aktorja dhe regjisorja Rozi Kostani, e cila nuk resht kurrë së eksploruari në jetë dhe në skenë, në një bisedë për “Bordo” rrëfen për marrëdhënien e saj me familjen, artin, por edhe për pengjet e së përditshmes. E rritur në një familje me katër fëmijë, dy vëllezër dhe një motër, Rozi ndalet veçmas te lidhja me motrën. “Motra është gjithçka për mua, është pjesë e imja. Me të nuk je kurrë vetëm, por ke një mbështetje të fortë”.

Sot, Rozi Kostani është nëna e dy fëmijëve, vajzës 13 vjeçe dhe djalit 10 vjeç, por megjithatë vazhdon që nëpërmjet figurës së prindërve, të shikojë edhe rritjen e vet. Këtë e bën, duke iu kthyer së shkuarës herë pas here nëpërmjet fotografive të caktuara. “Nëse mendoj për prindërit tani, mund të them se i shikoj tamam si në atë kohë. Prandaj shpeshherë sot e gjej veten, duke u bërë vërejtje dhe kritika edhe për mënyrën se si ata i perceptojnë gjërat: Pse kështu, pse ashtu? Ju nuk keni qenë kështu dikur etj. Për një moment ata ndalin dhe më thonë: Po, ti ke të drejtë”. Këtë ndryshim, të sjellë nga vitet, regjisorja e shikon si një rotacion, dikur ishin ata që e këshillonin atë dhe sot është ajo. Ky është një proces i çuditshëm i jetës, sipas saj, por jo vetëm kaq. Ndonëse dëshira e familjes ishte që Rozi të vazhdonte studimet për mjekësi. Ajo përherë ka qenë rebele në zgjedhjen e saj për t’u bërë artiste. “Prindërit nuk donin. Unë fitova për Gjuhë-Letërsi në Shkodër, por nuk shkova. Veçmas vëllai më thoshte: Nuk e ke pasur gjyshen aktore, përse do të bëhesh aktore?”. (qesh) Megjithatë aktrimi ishte ëndrra e saj, që ajo arriti të plotësojë, duke qenë pjesë e Akademisë së Arteve. Roli që e bëri të njohur Rozi Kostanin ishte ai i Teutës, një adoleshenteje që dashurohet pas një narkomani, në filmin “Unë, ti dhe Kasandra”. Ndërsa, “Kush vjedh një këmbë ka fat në dashuri”, “Ëndrra e një nate Dimri”, “Karriget”, “Këpucët”, “Konkursi”, “Arturo Ui”, “Rashomon” etj., janë vetëm disa nga shfaqjet që ka qenë pjesë e tyre, si aktore dhe regjisore.

Rozi Kostani në jetë ka pasur përherë nevojë që ta kuptonin. Kjo ka bërë që të japë me dëshirë çdo gjë edhe në art, duke vrapuar hera-herës edhe si luftarake drejt ëndrrës së saj. “Kam dëshirë që t’i prek ëndrrat, sigurisht pa shkelur asnjë. Kushdo ka hapësirat e tij dhe unë përpiqem që të rri në të miat, pa lejuar asnjë të mi cenojë. Gjykoj deri diku ata që shkelin ëndrrat e të tjerëve. Unë mendoj se çdo gjë në jetë, nëse ka pikënisje dashurinë, dëshirën, jo dëshirën për të qenë më i mirë se dikush, por për të qenë në luftë gjithmonë me veten tënde, mund t’ia dalësh”. Këtë siguri regjisores ia ka dhënë jeta. Ajo është gjatë gjithë kohës në proces biologjik me veten e saj, duke sfiduar sfidën, ndryshe nuk do mund të jetonte. “Më pëlqen që të jem e motivuar së brendshmi, këtë gjë përpiqem që ta kultivoj çdo ditë”.

Aktrimi për të është dashuria e pare, ëndërr që e ka prekur qysh herët. Por, puna si pedagoge në akademinë e arteve prej 16 vitesh, marrëdhënia me studentët, hulumtimi dhe laboratori që bën me ta e ka mbarsur me ndjesinë e eksplorimit të vazhdueshëm. Ndërsa, regjisura e ka ndihmuar të japë diçka ndryshe. “Më ndihmojnë shumë të dyja pozicionet, si aktore dhe regjisore, sepse duke njohur procesin e punës i ndihmoj artistët, pavarësisht se secili ka mënyrën e vet”. Sipas saj, teatri është një fushë, që nuk mund të mendosh kurrë se e njeh, pasi hulumtimi drejt tij nuk ka fund. “Është sikur të hysh brenda detit dhe ai të luajë me ne”, thotë ajo.

Model në jetë dhe në skenë ka të vërtetën. Kur shikon një film të huaj, kur shikon një lojë të mire, për të janë modele që i shpjegojnë rrugën se si shkohet drejt së vërtetës. Prandaj qëllimi i saj në art është që t’i çojë gjërat drejt së vërtetës. Kur e pyet Rozin se sa e gjen këtë të vërtetë në dialogun mes artistëve në vendin tonë, ajo mendon se besimi mes tyre është i dyshimtë, ndryshe shprehen përballë dhe ndryshe pas shpine. “Unë të gjitha vërejtjet i dëgjoj, por arrij t’i ndaj, duke u përpjekur të bëj maksimumin. Kritikën e mirëpres nëse më duket logjike për të ndryshuar diçka për mirë”.

Kjo mungesë dialogu mes artistëve, sipas saj, vjen nga varfëria, që është aq e madhe, saqë për ta nis lufta për ekzistencë, kur mendojnë se do të shkojnë në shtëpi dhe të ushqejnë fëmijët. Prandaj duhet luftuar që të rinjtë të afrohen më shumë me teatrin, që kjo ndjenjë të ushqehet më mirë, aq sa shija e saj t’i ndjekë kudo. “Teatri të lë një gjurmë brenda. Teatri është një dashuri që po e gjete nuk e lë më dot. I kuptoj të gjithë. Edhe ata që me sforco të madhe rrinë kot edhe nuk bëjnë asgjë tjetër, sepse teatri është dashuri që nuk kthehet në respekt, por qëndron e fortë, vetëm si dashuri”.

Edhe pse gjatë rrugës mund të rrëzohet, ajo nuk ndalet. Këtë e konsideron pjesë të jetës, pavarësisht se goditjet mund të jenë me apo pa të drejtë. Rëndësi, sipas saj, ka thjesht që të thuash, jetova diçka ndryshe. Prandaj pavarësisht momenteve të trishta që mund të ketë kaluar, në jetën e saj ajo nuk do të donte të ndryshonte asgjë. Në mënyrë instinktive ka bërë zgjedhjet e saj, të cilat mendon se deri tani i ka bërë mirë. Por a ka pengje Rozi Kostani? “Sigurisht, por që ato kanë ikur, duhet që të shikoj përtej atyre që nuk janë më”. Këto ide përcillen bukur edhe te shfaqja “Kujtesa e ujit”, e autores Sheila Stefanson, ku Kostani vjen si regjisore në Teatrin Kombëtar. Bëhet fjalë për tri motra, që pas ndarjes së mamasë së tyre nga jeta, kuptojnë se kanë mbetur peng i së shkuarës, i së ardhmes dhe së tashmes. Atyre u janë ngatërruar kohët. Prandaj, Rozi dëshiron që kjo gjë të mos ndodhë në jetën tonë të përditshme. “Ne nga ngarkesat e së përditshmes harrojmë motrën, vëllezërit dhe prindërit. Harrojmë ata që duam. Nuk shihemi në dy apo tre javë edhe pse jemi në të njëjtin vend. Kur kthehemi mbrapa gjithçka ka ikur. Ndoshta ata s’janë më as fizikisht. Prandaj objektiv i çdo momenti duhet të jetë marrëdhënia jonë mes njëri-tjetrit”. Ndonëse, ndonjëherë e shkuara duhet harruar, sepse të jetosh duke menduar për të nuk është shërim, por është një vuajtje, që nuk të lë të qetë të vazhdosh përpara. “E shkuara është pjesë e së tashmes dhe së ardhmes, sepse ne jemi në proces me veten. Mendoj se dashurinë që kemi për njëri-tjetrin nuk duhet ta kujtojmë vetëm kur dikush na mungon, për shkak të së tashmes që s’na lë kohë”.

Intervista është botuar në revistën BORDO, në tetor të vitit 2016

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article