Klodian Luca, djaloshi që ngjiste trakte!

Historia e Shqipërisë e sjellë përmes trakteve; Ja si kanë qenë mesazhet ‘e rrjeteve socialeve” gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Klodian Luca, pati guximin jo vetëm të ngjiste mbi mure trakte, pa ju dashur të vrapojë e të fshihet, madje i bën ato publike, në një ambient me mesazhe dhe fakte të gjalla të mbledhura nga ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Plot 120 trakte të nxjerra nga pluhuri i kohës, disa të mbledhura edhe nga koleksionistët, janë sjellë për të treguar se kushdo prej nesh do të japë një mesazh, apo do t’i komunikojë botës a miqve, diçka që mendon se është e vyer.  Klodian Luca, kurator i ekspozitës, pranon duke ju referuar epokës së rrjeteve sociale dhe medias, se shumëpak e kuptojnë se trakti, kjo formë e vjetëruar e dhënies së mesazhit, ka pasur një ndikim të fortë në jetën e njerëzve. “Forma fillestare është trakti. Në vitet kur ne jetojmë këto lloj traktesh i kemi të dixhitalizuara, janë statuset tona nëpër rrjete sociale. U përdor ideja për të bërë një paralelizëm dhe nevoja momentale që ne kemi për këto lloj traktesh të dixhitalizuar. Mu duk një periudhë e përshtatshme që ne kemi nevojë për shpërthime të ndryshme dhe për tu informuar me çfarë po ndodh dhe përdora traktin”-rrëfen Luca për Bordo. Ai është i bindur se çdo kush ka gjithmonë diçka që nuk shkon. Të gjithë kemi një moment, që duam të shpërthejmë në forma të ndryshme me një trakt tonin, me një status. “Ekspozita është çelur te Vila Ironbrush, një ambient që i pranon të gjitha llojet e formave. Pres që brezi që vjen nga 18 deri në 32 vjeç të frekuentojë këtë vend, të krijojë një hapësirë ku të rrijë lirshëm dhe kushdo ta gjejë veten për të ekspozuar çfarëdo lloj arti”-thotë kuratori.

Momenti i njohjes së Lucës me traktet ishte krejt rastësor, teksa po qëmtonte historinë e posterave të filmave të vjetër shqiptarë, i ranë dokumentet e para. “Në fillim dija që kishte vetëm trakte të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të partizanëve që i drejtoheshin popullit me një gjuhë për shpëtimin nga okupatori. Mes tyre ishte edhe Balli Kombëtar, që ne kemi pasur një informacion, por edhe ai ishte gjysmak. Por trakte kanë hedhur edhe gjermanët, austriakët, italianët, grekët dhe jugosllavët”. Pasi kishte mbajtur në dorë dhjetra fletë të zverdhura, kuratori kishte vendosur që të ekspozonte traktet, të cilat asokohe ishin si një lloj Facebook-u sot, pa censurë, me mesazhe të drejtpërdrejta. Ky ishte ngacmimi i tij i parë, ndaj shpreson të ndikojë në zgjimin e brezave të sotëm. “Një trakt nuk është asgjë më shumë dhe se sa një mesazh që çojmë në Facebook. Këto trakte kanë qenë si Facebook i atyre viteve dhe ne sot kemi mundësinë ti rishikojmë me çfarë force dhe gjuhe kanë folur. Ato që janë shkruar në ato trakte kanë dalë të vërteta në vitet në vijim. Në ditët e sotme duket që paska qenë i qartë mesazhi…”

E siç ndodh gjithmonë, mes “gjuetarëve” të këtyre thesareve, ka shpesh dokumenta unike, nga ata që i lexon me një frymë, sepse nuk ke besuar se as mund të ekzistonin. Për Lucën, traktet më të veçanta janë ato që flasin për periudhën e fundit të Luftës së Dytë Botërore, që ishte krijimi në Ballkan i Republikës Jugosllave me Shqipërinë, e cila do të ishte republika e shtatë e saj. “Janë trakte që tregojnë rrezikun e Shqipërisë nga fqinjët tanë, traktet e gjermanëve i drejtohen popullit me një gjuhë edukative si në pjesën sociale, tregtare dhe atë politike”-sqaron Klodian Luca. Por një tjetër element që e ka nxitur fort gjatë këtij ekspozimi, ka qenë ana ilustrativë e tyre. Sipas tij, traktet në shumicën e rasteve kishin ilustrime, që janë nevojë  momentale për të nxjerrë diçka që prek, sepse skica nuk është shumë e thjeshtë dhe trakte që kanë një botë artistike në vetvete, duke iu përshtatur situatës e humb vlerën artistike dhe ngelet si një mesazh. “Ka dhe trakte me skica të forta dhe të studiuara mirë, ka nga ato që kanë karaktere të forta personazhesh, me një karikaturë të mirëfilltë, por nuk kam arritur të njoh artistët që i kanë bërë”. Ajo që i ka bërë përshtypje janë traktet gjermane, të cilat prekin temën e  pavarësisë, duke ju drejtuar shqiptarëve, që të duan vendin e tyre, duke i folur për rrezikun e Bolshevizmit. Po kaq vlerë ka mes trakteve ana figurative, sepse gjuha që flasin është me detaje politike. “Traktet ato vite lufte kanë qenë në atë formë si i shikojmë në ekspozitë. Çdo kohë ato vijnë dhe moderohen”.

Ndaj, për të zgjuar kërshërinë e vizitorëve në këtë ekzpozitë unike, kuratori ka preferuar që të vendosë disa trakte në formë ftese edhe në rrugicën e vilës ku janë ekspozuar. “Kanë mbetur pak rrugë të Tiranës me mure prej qerpiçi, ndoshta mund të jenë herët e fundit, që po i shikojmë. Ne kemi fatkeqësinë që shembim të vjetrën dhe ndërtojmë të renë. Po zhdukim dhe këtë pjesë, është mbase muri i fundit prej qerpiçi me trakte”-përfundon rrëfimin e tij Klodian Luca.

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article