Këshilla për një verë sa më aktive dhe pa dhimbje!

Dr. Petrit Drini
Tashmë jemi në stinën e nxehtë të verës, gjatë së cilës shumë prej nesh preferojnë të kalojnë më tepër kohë në ambiente të jashtme. Njerëzit janë shumë më tepër aktivë gjatë kësaj periudhe të vitit, duke ndërmarrë aktivitete të reja, ose sporte të cilat mund të mos i kenë kryer gjatë pjesës tjetër të vitit.

Dëmtimet në tendina, shpatulla, tërheqje muskulore, dhimbjet e mesit dhe ngërçet janë dëmtimet më të shpeshta që vijnë prej aktiviteteve që kryhen gjatë stinës së verës, për shkak se trupat mund të mos jenë përgatitur për këto nivele te larta te aktiviteteve fizike.

Prandaj është shumë e rëndësishme që çdo aktivitet fizik që kryeni ta filloni gradualisht dhe me qetësi. Çdo mbipërdorim i një artikulacioni të caktuar ose një grupi muskujsh mund të shkaktojë dëmtime. Për shembull, dëmtimi i bërrylit, i njohur ndryshe me termin “bërryli i tenistit”, shkaktohet prej mbipërdorimit të muskujve në pikën ku ato bashkohen me bërrylin.

Është e rëndësishme që përpara çdo lloj aktiviteti sportiv apo fizik të bëni një nxehje në mënyrën e duhur, edhe pse është verë dhe mund t’ju duket si proces i tepërt. Në këtë mënyrë ju eleminoni rrezikun e tërheqjeve muskulare apo dëmtimit te artikulacioneve. Tërheqja e muskujve apo e njohur ndryshe si “stretching” dhe nxehja e tyre përpara dhe pas ushtrimeve fizike parandalon dhimbjet muskulore. Fizioterapisti mund t’ju udhëzojë për ushtrimet specifike që duhen bërë për tërheqjet dhe nxjehjen e muskujve.

Gjithashtu për aktivitetet fizike gjatë verës është e domosdoshme të bëhet veshja e duhur. Atletet apo këpucët, sandalet e gabuara mund te shkaktojnë në një çast dëmtime në gjunjë, shputën e këmbës, kyçin e këmbës apo edhe ne zonën e legenit.

Është shumë e rëndësishme që të forconi muskujt e pjesës së trungut të trupit. Këto muskuj në bark dhe pjesën e poshtme të mesit, kur forcohen apo stërviten nëpërmjet ushtrimeve të duhura ndihmojnë në parandalimin e dhimbjeve të gjunjëve, mesit dhe të kockës së legenit. Fizioterapisti nuk është thjesht për t’ju trajtuar kur keni dhimbje apo probleme, përkundrazi është personi i duhur për t’ju rekomanduar ushtrimet specifike për të cilat keni nevoje duke ju përshtatur problematikave apo karakteristikave të trupit tuaj me qëllim për të forcuar atë grup muskujsh që keni më të nevojshëm.

Një problem tjetër shumë i hasur gjatë stinës së verës lidhet me qëndrimin për kohë të konsiderueshme në ambiente me ajër të kondicionuar, që mund të krijojë rryma të ftohta dhe me diferencë të madhe në temperaturë krahasuar me temperaturat jashtë. Shumë njerëz shfaqin ndjesi dobësie apo letargjie për shkak të qëndrimit të vazhdueshëm në ambiente me ajër të kondicionuar. Kjo shkakton dhimbje në artikulacione dhe muskuj, si dhe bllokim në lëvizshmërinë e tyre. Arsyeja qëndron në faktin se trupi e ka të vështirë të ruaje nxehtesinë e tij normale pasi menjëherë e humbet prej kontaktit me rrymat e ftohta të ajrit të kondicionuar. Personat që vuajnë nga probleme me artikulacionet si për shembull artriti, i ndjejnë menjëherë efektet negative të ajrit të kondicionuar që përkeqëson gjendjen e tyre.

Duhet evituar qendrimi ku trupi është i ekspozuar direkt në kontakt me rrymat e ftohta të ajrit. Qëndrimi në rryma të ftohta, mund të bëhet shkak për krijimin e pikave të tensionit në muskuj ose ndryshe “trigger points”. Pikat e tensionit çojnë në kontraktim të muskujve të cilat shkaktojnë dhimbje të konsiderueshme. Zonat më të shpeshta për pikat e tensionit janë në muskujt e shpatullës dhe të qafës.

Gjithashtu, bëni kujdes dhe mos dilni menjëherë nga ambiente me temperaturë të ulët në ambiente me temperaturë shumë të lartë. Kjo për shkak se një ndryshim i menjëhershëm i temperatures ushtron shumë sforcim mbi trup, duke krijuar bllokime në muskuj të caktuar ku më të ekspozuarit janë ato të zonës së qafës apo shpatullës.

Dhe së fundi, gjatë stinës së nxehtë të verës mos harroni të mbroni veten tuaj ndaj rrezeve të forta të diellit sidomos kur ndodheni në det ku mund të mos e kuptoni efektin e tij përvëlues. Gjithashtu, pini shumë ujë gjatë gjithë kohës për të mos e çuar trupin në dehidratim dhe rrjedhimisht në sforcim të tepërt.

©Botuar në Revista BORDO!

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article