Etrit Berisha: Të hysh në zemrat e tifozëve është e vështirë

Zemra rreh fort. Emocioni arrin kufirin maksimal. Topi rrotullohet vjedhurazi mes barit të gjelbër dhe merr shenjestër portën e kuqezinjve. Ngjan sikur zemra për pak çaste ndal! Etriti fluturon në ajër, përqafon topin me duar, rrëzohet në tokë, e ngrihet në këmbë me një buzëqeshje, pas së cilës ndihet brohorima e tifozëve. Më shumë se kushdo tjetër, Etrit Berisha nuk dëshiron që rrjeta e portës së kombëtares shqiptare të preket nga topi kundërshtar, e tok me dëshirën e tij, ngatërrohen me po aq intensivitet zemrat e milionave shqiptarëve.

U bënë vite nga momenti kur Etrit Berisha u betua se do të luante për skuadrën e tij të zemrës, vite që në dukje kanë kaluar sa hap e mbyll sytë për të gjithë shqiptarët që kanë ndjekur rrugëtimin e kombëtares shqiptare mes fitoresh e disfatash, por që në fakt duken sikur janë shumë pak për kampionin e portës së Shqipërisë. Nuk mund të harrojë asnjë çast të këtyre viteve, të cilat vendos ti ndajë për Bordo dhe lexuesit e saj.

Shtatlartë, simpatik dhe me një qetësi olimpike, portieri i kombëtares mbetet një ndër lojtarët më të dashur. Djaloshi nga Prishtina, portieri i skuadrës ‘3 Korriku’ do të kthehej brenda pak kohësh në një simbol të futbollit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjerë, falë talentit dhe instinktit të zhvilluar për të mbrojtur portën. “Qysh në fund të vitit 2007 u bënë thuajse 10 vjet kur kam filluar të ndryshoj ambiente dhe klube, dhe tani këtë gjë e shoh si pjesë të zakontë dhe shumë normale të jetës time dhe në të njëjtën kohë është një kënaqësi të shohësh dhe përjetosh vende dhe kultura të ndryshme”- rrëfen Etriti për revistën Bordo. Debutimi i parë si futbollist i një klubi ishte në vitin 2010 në Suedi, ku pasi luajti 14 ndeshje si debutues, u bë portieri i parë i këtij klubi dhe karriera e tij shënoi rritje.

Në vitin 2013, Etriti arriti të nënshkruante një kontratë me skuadrën e Lazios, në ditën e fundit të transferimeve, ku dita e parë e debutimit ishte 7 Nëntor 2013 në ndeshjen e fazës së Grupeve të Ligës Europiane. Padyshim që skuadra e tij Lazio këtë periudhë ndoshta është në një nga momentet e saj më të arta dhe sigurisht roli i Berishës është vendimtari. “Të them të drejtën jemi duke bërë diçka që klubi për më shumë se 110 vjet nuk ka pasur mundësi të bente dhe e gjitha falë grupit dhe një trajneri fantastik që përveç sukseseve na bën edhe të kënaqemi me lojën”.

Por asnjë emocion nuk mund të jetë më i madh sesa momenti kur ai luan me fanellën kuq e zi. Ai u thirr për herë të parë nga trajneri Gianni De Biasi për të luajtur në dy miqësoret kundër Katarit dhe Iranit në Maj 2012, ku luajti për plot 90 minuta duke e mbajtur të paprekur portën. Ndeshjet e tjera kundër Norvegjisë e përcaktuan akoma dhe më mirë rolin e tij në komëbtare, me një kontribut të jashtëzakonshëm. “Kur vesh fanellën e kombëtares me vjen një ndjenjë që nuk mund të krahasohet me asgjë. Të përfaqësosh popullin shqiptar është një krenari, obligim dhe dashuri”-rrëfen portieri i Kombëtares shqiptare. Etriti shprehet se falë një pune kolosale nga ana e lojtarëve dhe trajnerit, po bëhet i mundur realizimi i një loje dhe rritjes së standartit, që i kish munguar 10 viteve të fundit. E kemi parë gjithnjë të rezervuar, por shumë të kujdesshëm dhe vigjilent kur luan me kombëtaren, por ishte po aq surprizues në përplasjen e ndeshjes së famshme mes Shqipërisë dhe Beogradit. Ishin emocione të forta, të cilat u transmetuan dhe tek lojtarët të cilët e kishin shumë të rëndësishme një performancë të shkëlqyer në stadium.

Ai është i bindur se skuadra shqiptare pas shumë shkëlqimesh dhe venitjesh, vitet e fundit është rikthyer në vëmendje jo vetëm të tifozëve kuq e zi, por arriti të rrëmbente dhe vëmendjen e ndërkombëtarëve, ku për herë të parë mori pjesë në Kampionatin Europian. Aktualisht skuadra është më e fortë se kurrë, angazhimi është disa herë më i madh, e sigurisht përgjegjësia para tifozerisë është rritur. “Gjërat në skuadër kanë ndryshuar që prej momentit të kualifikimit në Europian, tani pritet shumë nga ne, mendoj se jemi duke u rritur hap pas hapi dhe do mundohemi që sa herë të na jepet mundësia ta përfaqësojmë vendin sa më mirë të mundemi”.

Nuk e mohon se tifozeria është një pikë e fortë dhe shumë e rëndësishme për çdo lojtar, janë ata që i ngrohin zemrën para se të hyjnë në fushën e gjelbër, ata që i mbështesin edhe kur nuk shënojnë golat e fitores, gjithnjë me shpresën se çdo gjë do të ecë akoma më mirë në të ardhmen. Sepse njësoj si lojtarët në fushë, edhe tifozëria mendon me zemër. “Tifozeria është shumë e rëndësishme për çdo lojtar. Të jesh i preferuari ose të hysh në zemrat e tyre është e vështirë, duhet një punë e madhe, shumë përkushtim dhe gjithashtu të tregosh vlera dhe sukses me ekipin”-thotë Etriti, i cili i ka reflektuar ato gjithnjë e më shumë, ndeshje pas ndeshje, që nga momenti i fishkëllimit të startit deri në finish, qoftë kur lojtarëve u duhet të dalin krenarë apo të mërzitur nga fusha. Nuk mund ta harrojë lehtë momentin kur është ndjerë krenar, më shumë se asnjëherë tjetër. “Kualifikimi në Europian dhe debutimi në kombëtaren shqiptare kanë qenë dy ëndrrat e mia të fëmijërisë, prandaj nuk mund t’i ndaj asesi”- kujton Etriti për Bordo, si momentet e tij më të lumtura gjatë karrierës së deritanishme si futbollist profesionist.

Atij si portier, më shumë se kushdo tjetër i duhet më shumë kurajo, forcë dhe besim për të fituar zemrat e të tjerëve, sepse është mburoja, është rojtari i krenarisë së çdo tifozi, portieri që duhet të mos lejojë të preket porta, e cila është edhe simboli i çdo tifozi. Nuk e mohon që mban mbi shpatulla peshën më të madhe, ndaj vigjilenca duhet të jetë maksimale. “Roli i portierit është shumë delikat. Ke më shumë përgjegjësi se çdo lojtar tjetër në fushë, prandaj duhet të jem shumë i kujdesshëm”.

Edhe pse së fundmi nuk ishte pjesë e lojës së kombëtares, ai ka qenë po aq i përfshirë emocionalisht në ndeshje, duke patur gjithë vëmendjen dhe zemrën aty ku më shumë se kurrë pritet fitorja për skuadrën e Shqipërisë, e cila nëse kualifikohet mund të jetë pjesë e një eventi të rëndësishëm futbollistik botëror, ku edhe Etriti ka gjurmën e tij të fitores. Nuk e mohon se në këto vite eksperiencë në zemër të kombëtares, edhe ai ka bërë ndonjë gabim, që gjithsesi tifozët ja kanë falur. “Gabimet në fushë janë pjesë e lojës. Ka ndeshje kur jam ndjerë fajtor dhe kam humbur ndeshjen, por e rëndësishme është që pastaj mos të marrësh energji të madhe dhe të kundërpërgjigjesh menjëherë”.

Familja, dashuria dhe miqtë

Nuk është aspak e lehtë për një futbollist të ndajë jetën e tij private nga futbolli. Edhe pse duket sikur jeta e tij në 360 gradë është e fokusuar totalisht tek ndeshjet, edhe ai si gjithë të tjerët është një djalë normal, që ka miq, di të argëtohet dhe t’i dedikoje kohën e vet njerëzve më të dashur. “Miqtë e mi më të mirë janë ata që kam pasur që nga fëmijëria. Kam marrëdhënie edhe me shokët e skuadrës me të cilët shoqërohemi pas stërvitjes, ndërsa me disa të tjerë kemi raporte të zakonshme, më profesionale do të thosha, gjë shumë normale në punën tonë”- thekson Etriti. Edhe pse i duhet të ndjekë një regjim prej 11 muajsh, shumë rigoroz, shpesh për hir të profesionit duhet të jetë larg familjes e shoqërisë, miqtë nuk i mungojnë. “Ne futbollistët bëjmë sakrificë të madhe, pasi përveç regjimit për 11 muaj gjithashtu jemi larg familjes dhe shoqërisë. Por prapë ja vlen, pasi futbolli sjell aventura dhe emocione shumë të mëdha”.

Pa harruar jetën e tij personale, e cila është po kaq e vyer për të. Ai tanimë prej vitesh është i fejuar me Aidën, vajzën bukuroshe që i ka rrëmbyer dhe atë kohë të lirë që ka, e sigurisht dhe zemrën. Ata bashkëjetojnë sëbashku në Romë, vend ku ai mendon se ka gjetur veten dhe ka shumë mundësi për tu argëtuar, duke vizituar muze dhe vende interesante. “Me të fejuarën time jam prej kohësh dhe është një ndër më meritoret që kam arritur të ndjek ëndrrat e mia. Është me mua dhe për mua në çdo moment. Kohën e lirë zakonisht e kaloj me Aidën. Jam me fat që jetoj në Itali, vend me ushqim, muze dhe vende të bukura për t’i vizituar”.

Prej kohësh jeta e tij është e ndarë mes Tiranës, Romës dhe Prishtinës. Ai pranon se të tre qytetet e bëjnë të ndihet mirë, por nuk bën dot kompromis, zgjedh Prishtinën, vendin e lindjes. “Janë 3 qytete të ndryshme, por që më kanë lënë kujtime të rëndësishme. Por prapë se prapë, Prishtina është Prishtinë, dhe Prishtina ka lezet” (qesh).

Vetëm 27 vjeç, por me një karrierë të bukur dhe të vlerësuar, duket sikur gjithçka Etriti ka dashur ka ecur ashtu si mund të ketë imagjinuar asokohe kur ishte vetëm një fëmijë dhe jeta e tij ndryshoi, duke zgjedhur futbollin si profesion. Nuk harron të kujtojë atë çast!

Momentin kur zgjodhi pikërisht të bënte portierin në vend të sulmuesit apo mbrojtësin në fushë. “Kam qenë shumë i emocionuar. Si sot e mbaj mend, ishte një dite me shi. Ne ishim mbi 40 fëmijë dhe unë isha një ndër më të rinjtë nga ata dhe ndihesha pak i trembur”- kujton portieri, momentin e startit të tij, pa harruar të na tregojë në fund të kësaj interviste, edhe sesi e sheh të ardhmen. Nuk ka dyshim që karriera e tij, gjendja e shkëlqyer fizike, janë në gjendjen më të mirë, ndaj vizioni për të ardhmen për të është kaq i qartë. Futbolli për të mbetet kryefjala. Është një fushë ku ai ka investuar denjësisht. As që e imagjinon qoftë edhe një ditë larg futbollit, edhe pse shpesh për futbollistët koha e daljes jashtë fushës së gjebër vjen shpejt, Etriti ka edhe shumë kohë, shumë tituj që e presin dhe po kaq emocion që do t’i ndezë zemrën. “Plan B ende nuk kam pasi mendoj të luaj edhe për shumë vite dhe gjatë kësaj kohe besoj do të realizoj se çfarë do të bëj”- përfundon për Bordo, portieri i kombëtares shqiptare Etrit Berisha.
E tashmja është tani, dhe tani për Etritin është vetëm futbolli!

©Botuar në Revista BORDO, prill 2017

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article