Ndarja mes Indrit dhe Vanesës pas eksperiencës në “Ferma VIP” vijon të mbetet një nga historitë më të komentuara të momentit. Për herë të parë, ish-konkurrenti ka zbuluar edhe reagimin emocional të prindërve të tij, të cilët duket se e kishin përjetuar fort raportin e çiftit.
Gjatë një interviste televizive, Indrit iu transmetuan disa mesazhe nga prindërit, ku të dy shprehën hapur keqardhjen për fundin e kësaj historie. Nëna e tij tregoi se kishte krijuar shumë simpati për Vanesën dhe se ndarja e tyre e kishte mërzitur.
Ndërkohë, më emocional u shfaq babai i Indrit, i cili pranoi se kishte besuar plotësisht tek kjo lidhje. “Kam rënë viktimë e kësaj dashurie, e kam ëndërruar, por më pas kuptova që mund të ketë qenë vetëm një iluzion”, u shpreh ai.
Vetë Indri tregoi se momenti më i vështirë ka qenë takimi me të atin sapo doli nga “Ferma VIP”, pasi e pa shumë të prekur nga ajo që kishte ndodhur. Madje, sipas tij, babai i kishte thënë: “Nuk do gjesh kurrë një person që do të të dojë sa të ka dashur Vanesa.”
Megjithatë, pavarësisht ndjenjave të familjes dhe dashurisë që Vanesa kishte treguar ndaj tij, Indri u shpreh i prerë për vendimin e marrë. “Kjo është e vërtetë, ama duhet ta dua edhe unë”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se për të një marrëdhënie funksionon vetëm kur ndjenjat janë reciproke.
