Dorashka nga duart e mbretërve, tek moda e kultura POP

BORDO sjell historinë e aksesorit më të dashur të dimrit, si ka evoluar dorashka: nga duart e priftërinjve, deri tek futja në listën e prodhimeve sezonale të modës

Ndoshta janë i vetmi aksesor i cili humbi funksionin primar, për t’u bërë sot pjesë e tendencave të modës, kjo sepse mbetet unik dhe elegant. Kur njerëzit e prehistorisë nisën t’i përdornin dorashkat për të ngrohur duart nga i ftohti, as që e imagjinonin se ato do të ktheheshin në një aksesor luksi, madje i privilegjuar vetëm për shtresat e larta, e pak nga pak duke u bërë pjesë e etikës aristokrate të të sjellurit dhe rangut shoqëror…

Dorashkat e gjetura në varret e mbretërve apo priftërinjve në shekullin e 10-të, konfirmojnë se jo kushdo mund t’i mbante ato. Kur në vitin 1922, arkeologët zbuluan varrin e Tutankhamen, mbetën të habitur kur gjetën mbetje dorashkash të punuara me gjilpërë dhe të zbukuruara me perla. Romakët kishin dorashka prej liri, por edhe me pellush dhelpre për zonjat. E nga kjo etapë e shoqërisë, dhe për shumë shekuj dorashkat ishin pjesë e kostumit të mbretërve, peshkopëve dhe njerëzve të rangut të lartë, derisa në Mesjetë, përveç aristokracisë, i gjen më masivisht.

Doreza Luksi dhe simbolika

Dorashka u bë aksesor i domosdoshëm i veshjes për gratë aristokrate rreth shekullit të 12-të, ku edhe hasen dekoracione me qëndisma dhe bizhuteri. Ato ishin simbol i elegancës dhe hijeshisë, pa diskutim simbol i pushtetit. Dorashkat e mbretërve dhe priftërinjve ishin me fije dhe dekorime ari, perla, bizhuteri dhe punoheshin me lëkurë dreri. Ajo u bë pjesë e ornamentit liturgjik të Kishës Katolike në shekullin e 11-të: peshkopët vishnin dorashka të thurura me fije ari, ndërsa priftërinjtë e pozitës të ulët, thjesht të bardha.

Ky aksesor u bë aq i rëndësishëm, sa u kthye në simbol të dinjitetit e nderit, sidomos në rrethin e kalorësve: kur dikush dorëzonte dorashkën, bëhej vasal i personit tjetër. Ndërsa, kur ta hidhte nën këmbë, të ftonte në duel. Por ama, kur një grua ja jepte dikujt, ishte simbol dashamirësie. Dorashkat e para me gisht ishin kryesisht për festa dhe mbrëmje të rëndësishme, ku grave u nevojiteshin gishtat për të ngrënë apo mbajtur unaza dhe bizhuteri.

Mjeshtrit francezë nisën të krijonin kryeveprat e para duke përdorur teknologjinë, nën ndikimin e Napoleonit dhe dashurisë që ai kishte për dorashkat. Aq sa në fund të shekullit të 17-të nuk mund të bliheshin rroba pa dorashka. Duke përdorur materiale të kushtueshme si: mëndafshi, dantella, perlat, bizhuteritë apo butonat prej ari, ato u kthyen në një aksesor jo lehtë të gjendshëm. Lëkura blihej në Spanjë, prerja realizohej në Paris, ndërsa qepja dhe dekorimi në Angli.

Nga të gjata, nisën të shkurtoheshin, sidomos tek burrat, të cilët i përdornin për të ngarë automobilat, fill pas shpikjes së makinave të para që nuk ishin të mbuluara. Kompania e parë për prodhimin e dorashkave daton në 1777: quhej ‘Dent’ dhe u krijua nga John Dent, i cili ishte furnizues i familjes mbretërore angleze.

AGNELLE GUERLAIN Dhe hyn në mes moda

Shekullin e kaluar dorashka u transformua në mënyrë dramatike, falë modës. Ajo u bë pjesë e pandashme e gardërobës së femrave, e më pas, po aq e preferuar nga burrat. Sigurisht ishin artistët ata që e kthyen në mit. Nga materiali i zakonte prej lëkure, u transformuan në prej mëndafshi dhe dantelle. Ato nuk ishin më simbol i një zonje me fustan, por edhe gratë me pantallona mund t’i mbanin. Etiketimi aksesor ‘i borgjezisë’ u zbeh, po ashtu forma, ngjyra, prerja dhe stilizimi ndryshoi.

E kush mund të harrojë lojërat ‘erotike’ të Marilyn Monroe me dorashkat elegante, apo portretin e çuditshëm të Judy Garland me printime dhe pika mbi duar. Regjisorët nuk i rezistuan dot ndikimit të tyre: mbeten ende të gjalla skenat e filmave të Audrey Hepburn me dorashka.

Por, futja e kulturës Pop i dha tjetër dimension. Michael Jackson dhe Madonna nuk dilnin në skenë pa dorashka: I pari kujtohet për ato me kristale, dhe e dyta për të kuqet e famshme me gishta të prerë, duke e konsideruar aksesor uniseks. E së fundmi, Lady Gaga veshi një palë të pazakonta në ceremoninë ‘Oscar’: të kuqe dhe ekstravagante, nga ato me të cilat gratë lajnë zakonisht enët.

Naomi WatsSi të zgjedh dorashkat e duhura?

Kushti primar kur zgjidhni një palë dorashka është të mendoni me çfarë ngjyre do t’i kombinoni, e cila zakonisht duket të korrespondojë me stilin e çantës dhe të jetë në harmoni me këpucët. Kjo është arsyeja pse zgjedhja e dorashkave kërkon vëmendje.

Shumica janë prej lëkure dashi ose dhie, e rrallë prej viçi, pasi janë më të shtrenjta. Lëkura e dashit është e butë dhe elastike. Nëse jeni në dilemë mes dorashkave të lëkurës apo leshit/kashmirit, blini të parat. Ato janë më jetëgjata, elegante dhe përshtaten thuajse me çdo stil, klasik apo sportiv.

Asnjëherë mos bli dorashka që janë shumë të ngushta, duke shpresuar se do të zgjerohen. Kjo nuk ndodh kurrë. Ato nuk duhet të rrudhen, ndryshe nuk ngjajnë bukur dhe me kalimin e kohës do të nisin të çahen.

Nëse i referoheni ngjyrës natyrale, nuk do të thotë doemos se janë prej lëkure. Prova më e mirë janë duart: lëkura natyrale është e ngrohtë, ajo sintetike e ftohtë.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *