Luiza Gega, kur suksesin e ndan 1 sekondë!

Nga Sidorela Lepri
Foto: Hob Mullan

Vazhdon të lërë gjurmë në atletikë. E sapo kthyer në Shqipëri me një tjetër rekord të ri dhe medalje argjendi, atletja Luiza Gega, u rendit e dyta në Kampionatin Europian të Atletikës, në garën e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kronometrin në kohën 9:28:52.
Por si ka qenë ky rrugëtim për të dhe çfarë synon më tej? Në një intervistë për BORDO, atletja rrëfen për karrierën, përgatitjen për Lojërat Olimpike, jetën private, hobet dhe shumë detaje që nuk i dinit deri tani për nënkampionen e Europës.

Sapo u shpallët nënkampione e Europës, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?

Këto ditë që kam vrapuar nga liqeni, shumë njerëz që më kishin parë, por që nuk e dinin që vrapoja, më kanë ndalur. Kjo sepse media nuk është shumë e fokusuar tek sportistët, të paktën derisa kthehesh me një medalje. Një zonjë më tha: “Të kam parë që vrapoje gjatë gjithë kohës, por nuk e dija që ti ishe në gjendje të rrëmbeje një medalje në Europë”.

E prisje këtë rekord?

Në fakt kam ndryshuar disiplinë nga 1500, në 3000 metra. Këtë e vendosëm pasi ky është një vit olimpik dhe me trajnerin analizuam ku ishte më mirë që të isha më afër medaljes. Pas testesh dhe stërvitjesh, vërejtëm që në këtë garë mund të paraqitesha më mirë.

Na trego pak për emocionet e të gjithë këtij kampionati…?

Kur kalova fazën eleminatore dhe në renditje isha e para, shumtë njerëz më thonin: “Liza, mezi presim të të shohim në finale”. Kisha emocione, sepse njerëzit krijuan pritshmëri nga unë. Emocionin më të madh e pata kur u pozicionova në treshen e parë. Ndërkohë që i afroheshim finishit u krijuan edhe mendimet se kush do të ishte vendi i parë apo i dytë. Në 400 metërshin e fundit, ktheja gjithmonë kokën pas për të krijuar siguri që do të isha e dyta. Kur përfundoi gara isha akoma më e emocionuar, kur pashë trajnerin që ishte shumë i gëzuar. Kjo është medalja e parë që një atlete e Shqipërisë merr në kampionatin Europian. Më parë nuk kishim arritur as të futeshim në finale, jo më të merrnim medalje.

Kush ishte personi i parë që telefonove pas fitores?

Telefonin e kisha lënë tek dhoma e ndërrimit, por pashë që kisha shumë thirrje të humbura dhe urime. Sigurisht nga familjarët e mi, ata janë mbështetja ime më e madhe.

E mendon tani karrierën tënde larg Shqipërisë?

Nuk është se kanë munguar ofertat jashtë Shqipërisë. Kam marrë edhe më parë medalje dhe rezultate shumë të mira, kam mbi 5 vite që dominoj në Ballkan, por nuk ndjej kënaqësi më të madhe sesa të garoj për vendin tim.

Çfarë të pëlqen të bësh në kohën e lire?

Si çdo fëmer më pëlqen të bëj shopping, të kaloj kohë me shoqërinë, sidomos me motrat. Më pëlqen të pushoj, sidomos pranë detit. Ndoshta ngaqë jam rritur edhe në Durrës.

Po familja sa të ka mbështetur?

Familja ime është suporti im kryesor. Edhe sikur të mos ta përmend, nënkuptohet. Edhe kur dal keq, ato janë sërish mbështetja ime.

Si u ndjeve nga pritja e njerëzve të njohur e të panjohur?

Më kanë ofruar shumë mbështetje, saqë nuk kam fjalë. Dua ti falenderoj të gjithë.
Pata një takim me Presidentin e Republikës, ku u ndjeva edhe më shumë e vlerësuar.

Çfarë angazhimesh ke për momentin?

Fokusi janë Lojërat Olimpike. Në ceremoninë e hapjes, do të mbaj flamurin e Shqipërisë dhe ky është një emocion që dua ta provoj, pasi janë lojërat e mia të para olimpike.

Çfarë pret nga Lojërat Olimpike?

Kjo garë është e vështirë, por synoj futjen në finale, e cila do të ishte sukses. Ndoshta në lojërat e ardhshme olimpike do të kem synime të tjera. Më pëlqen ti them gjërat ashtu sikurse janë.

Je natyrë ambicioze?

Jam natyrë ambicioze, të paktën për objektivat që i vendos vetes. Kur vendos një objektiv, synoj ta arrij dhe të bëj më të mirën. Kur kontaktova Taulant Stërmasin, i cili ishte trajneri më i mirë shqiptar, në atë kohë kishte në kujdes Klodiana Shalën, në fillim ai ishte skeptik, sepse nuk trajnonte në disiplinën time, por kur pa progesin tim më tha që do të arrija lart.

Je e kënaqur me gjithçka që ke arritur?

Po shumë, duke marrë parasysh edhe vështirësitë e mëdha që has, që janë të shumta.

Ke pasur ndonjë idhull?

Kur kam ardhur në Tiranë, shihja si idhull Klodiana Shalën. Kishte një vrapim shumë të bukur dhe më pëlqente shumë.

Je e kënaqur me aq sa paguhesh?

Aq sa marr në fund të vitit, dal zero me zero. Kur flas për vete, flas për të gjithë sportistët si unë. Çdo sportist në momentin që do të heqë dorë, do t’i duhet t’ia nisë nga zero, pavarësisht arritjeve.

Ka një njeri special në jetën e Luizës?

Jam shumë e angazhuar me sportin dhe pothuajse nuk qëndroj shumë kohë në Shqipëri. Për momentin jam vetëm unë, pra single. Jeta personale është gjithmonë e fshehtë, por në rastin tim nuk ka asgjë. Çdo lidhje kërkon impenjime dhe unë nuk kam aq shumë kohë që t’i përkushtohem dikujt, kjo për natyrën e profesionit tim.

Ke menduar ndonjëherë: “Stop, u lodha me këtë jetë në lëvizje”?

Momenti më i vështirë ishte vitin e kaluar kur pësova një dëmtim, dhe qëndrova një muaj jashtë pistës. Aty jam ndjerë keq dhe akoma më keq ndjehesha kur shkoja në stadium të ndiqja stërvitjet. Aty kuptova lidhjen e fortë që kisha me sportin dhe fakti që nuk vrapoja më bëri të ndjeja një dhimbje të madhe.

Çfarë të mërzit më shumë?

Jam natyrë e ndjeshme. Mërzitem kur jam lodhur në garë dhe nuk arrij pritshmëritë. Duke filluar pastaj me detaje të tjera, si pozicionimi në pistë apo teknikat e përdorura. Kjo është mania e çdo sportisti, sepse duke bërë gabime të vogla mund të humbasë një medalje.

Po në raport me njerëzit, je zhgënjyer?

Jam e kufizuar përsa i përket miqësisë, por nëse flas për miqtë e ngushtë, përgjigjia është jo.

Po nëse nuk do merreshe me sport, ku e shihje veten?

Që e vogël kam pasur pasion veshjet. Kursimet e mia shkonin në blerjen e veshjeve. Imagjinata ime në krijimin e veshjeve të kukullave ishte më e madhe se çdo gjë tjetër. Nuk mund ta mohoj se kam qenë natyrë sportive dhe sporti ka qenë pasioni im që e vogël. Në çdo kompeticion sportiv isha e para që merrja pjesë.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *