KreuFashion

Efektet e argjilës në lëkurë

Argjila kozmetike ka në përbërje përmbajtje të madhe mineralesh dhe çdo lloj argjile ka një efekt të ndryshëm në lëkurë. Përmbajtja e lartë e mineraleve rinon lëkurën dhe stimulon qarkullimin e gjakut në lëkurë. Përdorimi i rregullt i maskave argjilore largon qelizat e vdekura të lëkurës, heq mbeturinat nga poret dhe sjellë një shkëlqim të butë e të shëndetshëm. Çdo argjilë ka aftësinë për të absorbuar toksinat nga lëkura, por ato ndryshojnë në nivelin e tyre të përthithjes.

Argjila e kuqe është e butë dhe mund të përdoret në lëkurën normale ose mikse, për të pastruar lehtësisht lëkurën duke përmirësuar mikroqarkullimin. Argjila e kuqe përmban oksidet e hekurit, bakër dhe shumë minerale të tjera, që i japin një ngjyrë të bukur lëkurës duke përmirësuar tonin e saj.

Argjila e bardhë është baltë e përshtatshme për lëkurë të ndjeshme sepse është më e buta ndër të gjitha llojet e argjilave. Ajo ndihmon për të stimuluar qarkullimin nën lëkurë, e zbut dhe e pastron atë. Argjila e bardhë mund të përdoret për llojet e lëkurave normale, të thata e të ndjeshme. Përzihet me ujë trëndafili, për t’i dhënë lëkurës ndjesi të butë si mëndafshi.

Argjila e gjelbër përmban minerale si magnez, kalcium, kalium, bakër dhe selen. Ёshtë tejet efikase për të tërhequr yndyrën e tepërt dhe toksinat nga lëkura. Argjilës mund t’i shtoni disa pika lëng limoni. Mund t’i shtohen edhe vajra të ndryshëm esenciale.

Argjila e zezë është e përshtatshme sidomos për llojet e lëkurës me yndyrë. Kjo argjilë depërton thellë për të ndihmuar në largimin e kimikateve dhe toksinave, ndërkohë që heq qelizat e vdekura në sipërfaqe.

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF