KreuBusull

13 gazetarët që thyen kornizat  e ekranit!

Seriozët e lajmeve sot edhe drejtues emisionesh!

Për shumë nga këto personazhe ekrani është një dashuri e vërtetë dhe e pafundme. Shumë prej tyre e kanë nisur profesionin e tyre si folës lajmesh për të kaluar më pas në moderimin dhe prezantimin e emisioneve të ndryshme. BORDO vjen këtë herë në rubrikën DOSSIER duke ju sjellë disa nga emrat të cilët “zhveshën” kollaren e studios së ngurtë të lajmeve, për të kaluar në një sfidë tjetër, siç është moderimi i emisioneve të ndryshme në formën e “talk show”, apo formateve të ndryshme argëtuese. Gjithashtu ka edhe emra të cilat bëjnë përjashtim duke sjellë anën e kundërt, nga prezantimi i emisioneve kanë kaluar në dhënien e lajmeve.

 

Ilva Tare

Ajo është konsideruar gjithnjë si një nga ikonat e spikerimit të vendin tonë, kjo për natyrën e saj të vendosur dhe të prerë dhe gjithashtu për shkak të veçantisë në pamjen e jashtme, e cila ka revolucionuar modelet e vjetra të folësve të lajmeve. Që prej rikthimit të saj, Ilva Tare është autore dhe drejtuese e emisionit me tematikë aktualitetin “Tonight me Ilva Tare” në Ora News, i cili ka nisur sezonin e tij të gjashtë.

 

Sonila Meço

Imazhi i Sonila Meços ka qenë gjithnjë i lidhur me lajmin dhe analizat e ngjarjeve të aktualitetit në vend. Ndonëse ajo ka qenë gjithnjë spikere në ekranet ku ka qenë pjesë, Top Channel, Klan Tv, dhe Vizion Plus gjithmonë ka qenë e tunduar nga moderimi, që nga spektaklet si “Shtojzovallet” e debatet politikë, deri tek spektkali i së dielës me Ardit Gjebrean “E diela Shqiptare”. Kulmin e saj ajo e pati në Agon Chanel , ku shfaqi gjithë aftësitë e saj si spikere, autore dhe moderatore programesh, ku më i suksesshmi mbetet Kontrata.

 

Enkel Demi

Enkel Demi është një nga emrat e hershëm të folësve të lajmeve, duke kujtuar fundin e viteve 90-të kur jepte lajmet tek TVA. Ai ka qenë në shumë televizione përfshirë Top Channel dhe Tv Klan ku ka qenë spiker dhe gjithashtu ka drejtuar emisione të ndryshme, duke kujtuar këtu “Kutia e Fundit, “Gjeniu i Vogël” etj. Tashmë një moderator i mirëfilltë Demin e gjejmë tek TVSH, por edhe në Club Fm, me “Makinë me dy timona”!

Jonida Shehu

Tashmë e shohim çdo pasdite në formatin “Pasdite në Top Channel”, megjithatë Jonida Shehun e kujtojmë të gjithë si një nga spikeret më të shkathta në ekranet shqiptare. Megjithatë duket se edhe petku i moderatores dhe autores së një emisioni i shkon mjaft.

Anjeza Maja

Bukuroshja Anjeza Maja është njohur për moderimin e saj në shumë emisione televizive si “Maratona e Këngës”, “Rreze Dielli”, “Hit Play etj. Por gjatë një periudhe të shkurtër të karrierës së saj ajo ka provoar edhe studion e ngurtë të lajmeve në TVSH. Kjo eksperiencë e Majës zgjati shumë pak pasi shpejt iu kthye emisioneve. Tashmë ajo moderon çdo ditë emisionin “Në shtëpinë tonë” në Top Channel.

Genta Popa

Prej vitesh një nga figurat më të ëmbla të Top Channel në studion e lajmeve. Megjithatë edhe Genta Popa e provoi skenën e një formati teleziv jashtë studios së lajmeve. Për një sezon ajo ka moderuar “Pasdite në Top Channel”. Pas kësaj eksperience duket se Popës i ka shijuar me tepër dhënia e lajmeve, tek e cila është rikthyer.

Drini Zeqo

Një tjetër personazh i cili fillimisht u bë i njohur si spiker lajmesh, e më pas eksperimentoi me emisione është edhe Drini Zeqo. Ai ka prezantuar “Dancing With the Stars”, “Maratona e këngës” etj. Megjithatë ai nuk e ka braktisur studion e lajmeve në Tv Klan.

Ola Bruko

Ndonëse brenda kornizës  së informacionit dhe të ndihmës së komunitetit, spikerja e News 24, Ola Bruko, tashmë drejton prej disa vitesh emisionin  “Njerëz në Fokus”, emision me karakter social.

Suela Demiri

Gazetaren Suela Demiri e lidhim jo vetëm me studion e lajmeve, ku aktualisht është spikere në ABC News. Gjithashtu e kujtojmë gjatë prezantimit të programeve të ndryshme. Ajo u bë për një kohë të gjatë një figurë mjaft e dashur dhe familjare gjatë prezantimit të talent shoë për fëmijë “Gjeniu i vogël”.

Kostana Morava

Emrin e Kostana Moravës e lidhim shumë kohë më parë me prezantimin në Neës 24 dhe Telenorba, ku prezantonte emisione të ndryshme. Pas shumë viteve mungëse në ekran tashmë ajo është kthyer si spikere lajmesh në Tv Klan. Ndoshta Kostana do të ketë edhe ndonjë rikthimin si moderatore?!

Isli Islami

Spikeri i njohur i Top Channel Isli Islami fitoi menjëherë simpatinë e publikut në prezantimin e emisionit “Wake Up” me Eno Popi. Gjithashtu ai ka marrë pjesë edhe në disa emisione të tjera në Top Channel duke bërë të mundur kalimin me lehtësi nga “korniza” e spikerit në petkun e moderatorit.

Mira Kazhani

Mira Kazhani është një tjetër emër mjaft interesant të cilën e kujtojmë për mënyrën e saj të dhënies së lajmeve duke shtuar pak subjektivitet gjatë prezantimit të tyre. A1 Report dhe Vizion Plus kanë qenë dy nga ekranet ku e kujtojmë më së shumti si spikere lajmesh, ndërkohë që sezonin e kaluar televiziv e kemi parë në krahë të Eno Popit në prezantimin e emisionit të mëngjesit “Wake Up” në Top Channel.

Pranvera Borakaj

Spikerja e lajmeve në Vizion Plus Pranvera Borakaj prej vitesh tashmë është mes spikerimit dhe moderimit. Në orët e para të mëngjesit e shohim si moderatore në emisionin e mëngjesit “7 pa 5”, ndërkohë që më pas e vijon ditën në spikërimin e lajmeve në edicionet më të rëndësishme.

 

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF