Manjola Nallbani: Festivalin e pretendoj si çdo konkurrent në garë

Ka qenë lajm rikthimi i saj në Festivalin në Radio Televizion dhe sigurisht është një nga pretendentet kryesore për ta fituar atë. Manjola Nallbani, këngëtarja që prej tre dekadash është një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, që magjeps me zërin e saj në të tria gjinitë, muzikës pop, klasike dhe atë popullore. E ftuar në programin “Rudina” në televizionin Klan, të Rudina Magjistarit ajo ndau pikërisht emocionet e kthimit në garë duke treguar se për të gjithë emocionet e konkurrimit dhe çmimet janë ato që i mbajnë të freskët artistët.

“Çmimet janë vlerësim për atë që ti jep me artin dhe profesionit tënd. Të gjithë artistët i rikthehen garave. Kur e kupton që është kënga e duhur për t’u rikthyer. Dhe kjo këngë mendoj se është një këngë që ishte fiks për këtë festival. Fakti që këtë edicion ka mjaft kolegë më të cilët kam nisur karrierën më bën ta shijoj edhe më shumë këtë pjesëmarrje”, tregoi Manjola. Ndërsa ngacmimit të Rudinës, nëse i ishte rikthyer Festivalit për të provuar Eurovizionin, ajo u shpreh se “Për mua do të ishte bukur që aty ku e nisa ta mbyllja konkurrimin”, duke pohuar se ky është një moment i karrierës së saj dhe jo përfundimi.

Por kjo dalje e Manjola Nallbanit në emision ishte e mbushur plot emocion. Dy surprizat që emisioni i kishte rezervuar i përkisnin një mesazhi të vajzës së saj të vogël Sindit, e cila përveç kohës që ndante me nënën e saj tregoi marrëdhënien e veçantë, shoqërore ka me të. Mesazhi i dytë i përkiste vëllait të Manjolës, Erald Nallbanit, një nga operatorët më të talentuar të televizionit Klan. Dedikimi i tij për motrën përloti jo vetëm Manjolën, por edhe prezantuesen Magjistrari, e mesiguri edhe publikun nga shtëpia.

Pjesë e emisionit ishte edhe prezantimi i tre këngëve të fundit që ka realizuar Nallbani, si edhe asaj që do të konkurrojë këtë fundvit në Festivalin e madh të RTSH! Manjola Nallbani, fituese e disa çmimeve të para në Festivalin në RTSH konkurron këtë vit me këngën “I njëjti qiell”, me muzikë të Elgit Dodës dhe tekst të Rozana Radit.

 

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *