ÇFARË ËSHTË METODA  PILATES

Nga Manjola Naci

Mk Pilates instruktor

 Pilates është një metodë stërvitore që përbëhet nga një sistem ushtrimesh, e krijuar nga Joseph Humbertus Pilates në vitin 1920. Një program i plotë trupor i fokusuar në mendje/trup. Fokusi përqendrohet në lëvizjet e kontrolluara, të cilat realizohen me rrjedhshmëri  të balancuar, për të përmirësuar forcën, lëvizshmërinë, elasticitetin dhe kordinimin.

Në Pilates fokusohemi të korrigjojmë mekanizmat e lëvizjes, që nuk funksionojnë  si duhet tek praktikuesi, të krijuara nga mënyra e jetesë së tij. D.m.th. ta bëjë trupin më funksional në nevojat e përditshmërisë së tij, duke aktivizuar grup muskuj të ndryshëm dhe mbi bazën e një programi  profesional, duke përmirësuar pozicionin e trupit praktikuesi  fillon të jetojë pa dhimbje dhe në harmoni brenda – jashtë.

Pilates është teknika që i jep trupit pikërisht atë që trupi ka nevojë. Trupi jonë flet. Pilates ka aftësinë ta dëgjojë trupin, ta ndiejë dhe mbi bazën e një programi profesional  fillon dhe i dhuron trupit, pikërisht atë që atij i mungon. Në pilates stërvitemi nga brenda-jashtë dhe çdo ushtrim realizohet mbi bazën e parimeve të metodës. Ne themi çfarëdo që të bëjmë duhet të bëjmë Pilates: sportistë, artistë, zyrtarë etj, dhe pa kufizim moshe. Lind pyetja pse një sportist duhet të bëjë Pilates…. Sepse me Pilates aktivizohen muskuj që me aktivitetin sportiv këta muskuj nuk angazhohen dhe në të njëjtën kohë ndihmon muskujt e sportistit për t’u bërë më aktiv dhe produktiv  gjatë stërvitjes, dhe i mbron muskujt e sportistit nga dëmtime të ndryshme.

Hulumtimet kanë folur se dëmtimet më të shumta ndodhin, sepse mungon elasticiteti dhe jo sepse nuk ka forcë.  Në të shumtën e rasteve, duke përjashtuar dëmtimet aksidentale, dëmtimet dhe dhimbjet trupore janë emocionale . Të gjithë ne mendojmë, mendimet përkthehen në emocione dhe ngacmime nervore që interferojnë thellë në shtyllën kurrizore dhe pikërisht është Pilates që nga aty thellë fillon dhe shpalos mrekullinë me forcën e tij rehabilituese mbi bazën e një programi specifik dhe profesional, në mënyrë që trupi të fitojë forcën, elasticitetin, ekuilibrin, lëvizshmërinë dhe  harmoninë duke jetuar pa dhimbje dhe pa ngarkesë emocionale. Nuk mund të kemi një trup të shëndetshëm, të bukur dhe perfekt nëse  i mungojnë  elementet që përmenda më sipër. Në një shoqëri ku stërviten vetëm muskujt e barkut apo të vitheve, ku jemi të  fryrë  sipër, me gunga sipër shpatullave, krahë të gjerë dhe gjymtyrë të poshtme të holla, si mund të ekzistojë harmonia dhe ekuilibri, kur të gjithë vrapojnë drejt realizimit të dëshirave të kohës moderne  si mund të jetosh i balancuar dhe pa stres. Prandaj themi që Pilates është për të gjithë.

Dikush mund të thotë që Pilates është  stërvitje e lehtë, unë dua stërvitje të fortë. Pilates ka nivele të ndryshme, nga ai fillestar deri te ai i avancuar, dhe në përgjithësi nivelin e avancuar mund ta realizojnë vetëm profesionistë. Nëse trupi i praktikuesit nuk i përgjigjet nivelit të duhur, këtë e përcakton instruktori  profesionist, sepse ai e di shumë mirë për çfarë trupi i praktikuesit ka nevojë. Është gjë tjetër se çfarë praktikuesi  kërkon dhe komplet gjë tjetër se për çfarë trupi i praktikuesit ka nevojë.

Pilatesi zhvillohet në grup klase ose dhe individual. Personat që kanë probleme të shtyllës kurrizore, ose kufizime të lëvizshmërisë dhe artikulacioneve  nuk mund ta bëjnë në grup klas, por Pilates individual, derisa të rehabilitohen nga problem. Po përmend disa nga benefitet e Pilates. Pilates rikuperon problemet e shtyllës kurrizore si: hernie diskale, nervi shiatik, diskomforte të ndryshme trupore dhe muskulare: si scolios, kyphosis, lordosis, dhimbje të ndryshme artikulacionesh dhe mungesë  lëvizshmërie, përmirësimin e frymëmarrjes. Ndikon gjithashtu pozitivisht në sistemin nervor dhe atë hormonal.

Në përgjithësi në Shqipëri mungon informacioni i duhur se çfarë është Pilates, prandaj mendoj se dhe ky artikull i shkurtër mbi Pilates mund të vlejë, duke i ardhur në ndihmë lexuesve. Gjithashtu dhe mjeket duhet të informohen mbi  rehabilitimet që Pilates dhuron. Më ka ndodhur që pacientit i është krijuar mendimi nga mjekët që skolioza nuk shërohet, me Pilates Po! Njerëzit me hernie diskale dhe probleme të shtyllës kurrizore i shpëtojnë operacioneve.

Fola për benefitet e Pilates, sepse Pilates vetëm përfitime pozitive dhuron. Prandaj dhe u krijua nga J. Pilates që njerëzit të mos sëmuren dhe të jetojnë të shëndetshëm në harmoni totale në një trup jo vetëm të bukur, por dhe të shëndetshëm. Përsa i përket personave që zhvillojnë Pilates dhe nuk kanë  marrë  formimin e duhur arsimor dhe stërvitor, (sepse dhe Pilates ka shkollim të veçantë, si çdo profesion), do t`ju  sugjeroja që të informohen mbi  krijimin dhe zhvillimin e metodës së Pilates dhe jam e sigurtë që do ta respektojnë këtë metodë, duke u arsimuar dhe  atëherë jam e sigurtë që do ta  perdorin drejt dhe nuk mund ta keqpërdorin, duke abuzuar me trupat e klientëve. Pilates si metodë nuk dëmton, por keqpërdorimi i saj nga jo profesioniste, Po!.

 

 

Previous ArticleNext Article