3 vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës; Kujtojmë 10 shprehjet më frymëzuese të shenjtorës shqiptare

Si sot tre vite më parë, botës i shtua një shenjtor…Ajo është Nënë Tereza.

5 Shtatori është dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, nëna e madhe e botës dhe e shqiptarëve e cila që nga viti 2016 njihet si Shën Tereza.  Në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.

Murgesha “u lumturua” në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kolkata tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015 duke i hapur rrugën që ajo të shpallet shenjt nga Kisha Katolike e Romës.

Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë. E lindur në Shkup në 26 Gusht të 1910, me emrin e lindjes Anjeze Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

Ajo është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: në vitin 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.

Më poshtë ju risjellim në kujtesë 10 shprehjet më frymëzuese të shenjtores shqiptare:

1- “Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

2- “Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”

3- “Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

4- “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

5- “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

6- “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

7- “Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.”

8- “Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

9- “Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri”

10- “Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”

 

Previous ArticleNext Article