KreuBusull

Besiana Hysi, doktoresha e Urgjencës ‘e veshur’ me buzëqeshje

Besiana Hysi prej pak ditësh është bërë pjesë e armatës së Këshillit Shqiptar të Reanimimit, pas një eksperience të gjatë si mjeke Urgjence, duke vendosur një gur kilometrik në karrierën e saj. Në këtë intervistë për BORDO, ajo rrëfen çdo të thotë të jesh jo thjesht mjeke, por në sektorin e Urgjencës, ku çdo moment i dedikohet përkujdesit të specializuar shëndetësor, me misionin për të shpëtuar jetë njerëzish.

Ju imagjinoj si një nga mjekët e serialit ER, çdo moment në alert, po realisht çdo të thotë të punosh në urgjencë?

Urgjenca është shumë impenjative jo vetëm në sensin e të qenit alert edhe vigjilent në çdo kohë por edhe në përkushtimin fizik, mendor edhe shpirtëror deri diku. Çdo moment, çdo situatë e zgjidhur kërkon impenjim i cili tek një mjek i përkushtuar kërkon bashkë shpirtin edhe mendjen!

Duket një sektor kaq i stresuar nga jashtë, por a ka edhe aty kënaqësi të cilat ju japin emocion?

Për aq kohë sa ti e ke përgatitur veten fizikisht edhe mendërisht që je mjek urgjence edhe do t’i shërbesh urgjencave, kjo punë nuk është aspak stresuese, sepse fakti që shikon përditë raste të ndryshme të cilat veçojnë nga njëra – tjetra e bëjnë edhe më interesante. Koha e prezantimit të rastit edhe marrja me të edhe zgjidhja e bëjnë ndryshe nga specialitetet e tjera, më të veçantë edhe më dinamike urgjencën.

Ka qenë një ëndërr për ju të bëheshit mjeke, si e kujtoni atë?

Një ndër shoqet e mia të fëmijërisë kishte babin mjek Otorino-laringolog dhe unë kisha një dëshirë të pamasë të shikoja se si ai trajtonte pacientët sa herë shkonim në shtëpinë e saj private edhe luanim. Kjo dëshirë sa vinte edhe përforcohej tek unë pa e kuptuar, deri në momentin që në moshën 15 vjeçare e gjeta veten ndihmëse në farmaci në Greqi në Mikonos tek vajza e hallës e cila punonte edhe ajo atje farmaciste . Mbase fati edhe dëshira u bënë bashkë për të më drejtuar në auditoret e Fakultetit të Mjekësisë!

Si u ndjetë kur veshët për herë të parë bluzën e bardhë?

Bluzën e bardhë e kam veshur për herë të parë në vitin e parë në lëndën Anatomi, e më pas në të gjitha ciklet  universitare në vazhdim. Të veshësh bluzën e bardhë të mjekut për herë të parë edhe të kesh në kurriz peshën e asaj bluze janë dy gjëra në një diferencë kohore: përgjegjësia edhe ndjesia e asaj bluze bëhen bashkë me kalimin e kohës deri në marrjen e titullit Mjek i Përgjithshëm edhe më pas specialist. Çdo gjë në atë fakultet është emocion, por ndjesia që të jep ringjallja e një pacienti është tjetër emocion!!

Cili ka qenë një moment i vështirë, nga i cili në fund, jeni bindur që misioni juaj është kaq sublim?

Në Urgjencë ka momente të shumta të vështira të cilat vendosin në pikëpyetje jo vetëm profesionalizmin, por edhe ekzistencën njerëzore. Të menaxhosh një rast të vështirë edhe të arrish të fitosh me vdekjen është sfidë, jo çdo sfidë është sublime, por ka edhe momente të bukura!

Keni një uniformë të detyruar, sa imponuese është ajo për një vajzë që do të ndjekë modën?

Uniformë të detyruar ende jo, por përparësja e bardhë është prezente në çdo moment të punës, është ajo që bën diferencimin e mjekut ose të stafit mjekësor. Për sa i përket modës në specialitetin e Urgjencës ka rëndësi të jesh alert dhe të ndihesh komod me veten. Mjafton të veshësh gjithmonë buzëqeshjen dhe të tregosh përkujdesin edhe kjo mbetet e vetmja gjë që është gjithmonë në modë!!

Kush është idhulli juaj në profesion?

Idhulli im… Unë nuk besoj në hyjnizimin brenda llojit, gjithsesi mbetet idhull për mua Doktor House, në qoftë se ekziston (qesh)

Kur shihni në horizont, ku e shihni veten, ende në Urgjencë apo më lart?

Nuk di të ta them, mbase edhe për një periudhë 5 vjeçare do të jem në Urgjencë, duke qenë se është dinamike edhe impenjative, edhe rendimenti i individit ulet me kohën, mbase në një specializim të dytë kardiologjie do e shikoj veten!!

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF