“Vrasje në Kryeministri”, Shkrimtarja Diana Çuli në garë për çmimin e rëndësishëm

Libri i shkrimtares së njohur Diana Çuli” titulluar “Vrasje në Kryeministri” është përzgjedhur nga Juria Kombëtare Shqiptare e Fondacionit “Balkanika” për t’u prezantuar në garën për të fituar Çmimin Letrat “Balkanika”, një çmim letrar ky i çmuar ndërballkanik.

Romani “Vrasje në kryeministri” (Botimet Dudaj, 2018), i vlerësuar nga kjo Juri, ka marrë dhe shumë vlerësime të mëparshme, që pas botimit të tij në vitin 2018.

Në sondazhin e Institutit Pashko, të UET-it në muajin mars të vitit 2019 ai doli si romani i dytë më i lexuar, pas veprës “Kur sunduesit grinden” të Ismail Kadaresë.

Çmimin Balkanika, për romanin më të mirë të vitit në Ballkan, i cili ka më shumë se njëzet vjet që ekziston si aktivitet dhe që akordohet nga një juri ndërkombëtare, e kanë marrë deri tani tre shkrimtarë shqiptarë: Ismail Kadare, Fatos Kongoli dhe Bashkim Shehu.

Ky çmim, i mirënjohur në Europë dhe nga BE, është pjesë e veprimtarisë së Fondacionit Balkanika, organizatë kulturore ndërballkanike, me qendër në Sofie, që organizon projekte të kulturës në Ballkan. Shtëpia Botuese “Toena” është anëtare e këtij Fondacioni dhe organizatore e këtij çmimi në Shqipëri, aktivitet ky që mbështetet edhe nga MInistria e Kulturës së Shqipërisë.

7 shtete të Ballkanit marrin pjesë në këtë garë: Bullgaria, Turqia, Greqia, Shqipëria, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Juria ndërkombëtare përbëhet nga anëtarë të vendeve ballkanike që marrin pjesë në konkurim dhe presidenti i saj është profesori Andreë Vachtel, SHBA.

Juria ndërkombëtare do të mblidhet për të punuar dhe shpallur fituesin e këtij edicioni në Tiranë, në muajin nëntor.

Juria kombëtare e këtij viti përbëhet nga: prof. Floresha Dado, Piro Misha, Preç Zogaj, Sonila Kapo.

Previous ArticleNext Article