Rrëfimi drithërues i jetimit: “ Mendoja vetëm se kush do të më varroste pas tërmetit“!

Ka plot histori prekëse nga tërmeti që nuk do të shkulen lehtë nga kujtesa e shqiptarëve. Përpos atyre rrënqethëse mbi familje të tëra të zhdukura mes gërmadhave, mbërrijnë edhe copëza rrëfimesh si ai i një jetimi të quajtur Mondi, nga Tirana. 27 vjecari i rritur tek Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, në kryeqytet, tha në një lidhje telefonike në emisionin “Me Zemër të Hapur”, se nuk ka frikë nga tërmeti, por nga fakti se kur të vdesë, nuk do ketë asnjë për ta varrosur.

“Jam Mondi nga Tirana, pjesëtar i shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, tani jetoj vetëm në Kombinat. Isha fillikat vetëm, i vetmi që mendoj është Zoti dhe ai ka shkruar në Kuran “Kush mbron dhe ndihmon jetimët, ka vlerësim nga ai”. I bëj thirrje të gjithëve pa përjashtim, t’i drejtohen këtyre fëmijëve, këtyre krijesave të pashpresë, që në rast tërmeti të drejtohen te shtëpia e fëmijës. Edhe sikur gjithë Durrësi të shembej, ajo shtëpi nuk do të ishte shembur, sepse i ruan Zoti. Ata janë shkak për të jetuar e mbijetuar të tjerët. Unë jam 27 vjeç, kam gati 9 vjet që jam larguar nga shtëpia e fëmijës, jetoj në Kombinat me qira dhe punoj si kamarier e banakier. Kam një dëm në shpirt, që jam vetëm, do vdes vetëm. Unë e kam përballuar tërmetin, por e vetmja gjë që mendoja ishte se nëse do vdisja, kush do më varroste. Nuk kam frikë nga tërmeti, por vetëm nga Zoti. Do ja dal, por si gjithmonë i vetëm”, ka qenë mesazhi prekës i 27 vjecarit.

Previous ArticleNext Article