Danielle Steel, një histori dashurie për një fustan!

Një histori dashurie për një fustan! Tingëllon pak e çuditshme. Por po flasim për një fustan të veçantë, haute couture e Christian Dior nga koleksioni Vjeshtë/Dimër 1994, i dizajuar nga Gianfranco Ferré në Paris. I veçantë sepse sjell pas kujtimet e saj…, sepse Haute Couture është një formë e rrallë e artit sot. Danielle Steel, rri e sheh e mahnitur, sepse moda për të mbetet një pasion i përjetshëm. “Kam qenë me fat që kam shkuar në një sfilatë haute couture në Paris, kur isha adoleshente. Gjyshja ime më dhuroi kostumin e parë kur isha vetëm 17 vjeç, nga një stilist i cili prej kohësh ka ikur nga kjo botë. Më pëlqeu, ishte prej leshi, blu i zbehtë me cërka të bardha.

E vesha dhe dukesha kaq bukur. Flokët më derdheshin mbi supe dhe u ndjeva aq elegante…” – kujton Danielle Steel, shkrimtarja e madhe amerikane, e 180 romaneve dhe me 800 milionë kopje të shitura. Kujton se vjehrra i dhuroi fustanin e bardhë të martesës, po ashtu haute couture, prej sateni Balenciaga, me të cilin kishte shkuar vetë në altar, por edhe pse pas 30 vitesh, ai ishte po aq i bukur. “Pasioni im për modën ka qenë gjithnjë i sinqertë, madje ndoqa studimet shkollën e stilimit Parsons, edhe pse nuk u bëra kurrë një stiliste” – kujton Steel. Por, pesë nga nëntë fëmijët e saj janë vajza, tre prej të cilave punojnë në fushën e modës, me të njëjtën dashuri për të bukurën që e kanë trashëguar nga e ëma. Kujton se i merrte me vete në shfaqjet haute couture kur ishin fëmijë shumë të vegjël, madje ju blinte vajzave fustane, edhe pse ato kishin çmime të shtrenjta, por jo sa në ditët tona. Kur hap ende dollapin e rrobave, aty nuk ka mbetur thuajse asgjë, përveçse disa fustane nga Dior dhe Chanel, të cilat me shaka i quan “specie në zhdukje, por që duhen mbajtur ende gjallë!” Danielle Steel është nga ato që e adhuron stilin e Haute Couture. “Jam e mahnitur kur i shoh dhe prek, sepse janë të punuara në çdo cep me dorë. Të dizanjuara nga një mjeshtër i madh, ajo mbetet veshja më e rafinuar, e cila i besohet rrobaqepësit të cilët mësojnë për 12 vjet para se të lejohen të qepin për klientin” – rrëfen autorja e dhjetra librave.

Ndihet si një fëmijë i ngazëllyer kur kujton momentin para shfaqjes në pasarelë, në janar dhe korrik kur mban në dorë ftesën dhe një vend mbresëlënës për t’u ulur. Pasi ka shijuar pamjen e modeleve të hajtshme; yjet e kinemasë dhe redaktorët e revistave të modës, Danielle lë urgjent një takim me shtëpinë haute couture të modes që ka pëlqyer më shumë nga pasarela. “Filloj e bëj pak nga pak ëndrrën realitet. Nga një magji që fluturon në ajër, teksa e sheh sesi fustani merr formë, sesi ajo magji bëhet e prekshme, ndihem si një princeshë e dalë nga bota e përrallave. Do të më duhet kohë të pres derisa ta vesh, por e bukura e haute couture është se parashikimi është pjesë e misterit dhe magjisë” – thote Danielle Steel. Ndihet si e droguar kur sheh mesazhin në telefon që shkruan: Veshja juaj fluturoi nga Parisi në San Francisko. Kur pakoja e madhe prej druri mbërrin tek porta e shtëpisë, mezi pret të hapë kasat e drunjta. E emocionuar sikur po pret hapjen e një kutie ku fshihet një vepër arti, prek çdo detaj, materialin e butë si të një dashnori që e adhuron, i cili më pas e mbështjell dhe shtrëngon fort pas trupit të tij. Një kryevepër e adhurueshme nga Dior. Fustani ka një bluzë mëndafshi të rëndë ngjyrë fildishtë, mëngë të gjata, jakë të lartë, një bel i ngushtë, ndërsa pjesa e poshtme prej mëndafshi ngjyrë konjaku është e zbukuruar me një kornizë tipike të shekullit të 18- të. “Ajo që mendova menjëherë kur e pashë ishte se më kujtoi personazhin e Anës në filmin “Mbreti dhe unë”.

Një pëlhurë e lehtë me formën e një kafazi zogjsh. Është kaq i përsosur”. Duke qenë shumë e dashuruar me gjërat e vjetra, reliket e së kaluarës, ajo dhe i shoqi, John Traina, kur familja e tyre filloi të rritet, blenë një shtëpi të vjetër si Downton Abbey. Aty nuk kishte jetuar njeri për shumë vite, ndaj ata e restauruan plotësisht. Dhe ndër mrekullitë e shtëpisë është një sallë vallëzimi. Aty planifikuan të jepnim ballot dhe darkat për miqtë, ku mund të kërcenin tërë natën, edhe pse kishte stil paksa të vjetëruar, i takonte një epokë që kurrë nuk do të vijë më dhe nuk del asnjëherë jashtë mode. “Kjo ishte dhoma e përsosur për fustanin e Dior. Burri im është elegant dhe një balerin i mrekullueshëm. Kurrë nuk do ta harroj ndjesinë e rrëshqitjes mbi dysheme me atë fustan magjik me bluzë ngjyrë fildishi dhe mëndafsh konjaku. Sepse me atë fustan e ndjeva veten si Anna…! Sepse fustanet Haute Couture kanë për qëllim të bëjnë të ndihesh magjike. Si një poezi për një histori dashurie e cila zgjat përgjithmonë. E kam veshur atë fustan më shumë se një herë dhe është kaq…, kaq mbretërore” – përfundon shkrimtarja amerikane e miliona kopjeve te shitura!

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article