Sot Dita Botërore e Autizmit/ Faktet dhe informacionet që duhet të dini për autizmin

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç. Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prej tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim. Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

Sëmundja

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës tre vjeç. Në vitin 2018 CDC, përcaktoi se kishte afërsisht 1 në 59 fëmijë të diagnostikuar me në `rregullim të spektirit të autizmit ose e thënë ndryshe 1 në 37 djem  dhe 1 në 151 vajza.

Djemtë ka katër herë më shumë mundësi të diagnostikohen me autizëm krahasuar me vajzat. Përgjithësisht fëmijët diagnostikohen me autizëm, pas moshës 4 vjeçare, megjithëse autizmi mund të diagnostikohet rreth moshës dy vjeç. 31% e fëmijëve me CSA kanë aftësi të kufizuar intelektuale (koefiçienti i inteligjencës <70) , 25% janë në nivelin kufi dhe 44% janë nën këtë nivel. Autizmi prek të gjitha grupet etnike dhe socio-ekonomike. Ndërhyrjet e hershme, ofrojnë mundësi më të mira për të mbështetur një zhvillim të shëndetshëm dhe për të përfitime të dobishme përgjatë gjithë jetës.

Çfarë e shkakton?

Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre.

Diagnostikimi

Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.) që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme. Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

Ndërveprimi social: Fëmijët me autizëm shpesh kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale. Krahasuar me fëmijët që zhvillohen normalisht, ata të diagnostikuar me autizëm mund ta kenë më të vështirë të vendosin dhe mbajnë kontakt me sy, të përgjigjen kur u flitet në emër, të luajnë lojëra të tilla si kukafshehti, apo të përfshijnë fëmijë të tjerë në lojë. Ata mund të pëlqejnë të jenë me prindërit apo të përfshihen në lojëra aktive, por shfaqin më pak interes dhe reagim krahasuar me fëmijët e tjerë me zhvillim normal.

Komunikimi: Fëmijët me autizëm janë përgjithësisht më të ngadaltë në përdorimin e fjalëve apo frazave të thjeshta që janë normale për atë moshë. Gjithashtu, ata kanë më pak të ngjarë të përdorin gjeste të zakonshme të tilla si të kërkuarit e diçkaje, apo të drejtojnë vëmendjen e dikujt drejt një pamje apo tingulli. Disa fëmijë mund të kenë një zhvillim gjuhësor në kohën e duhur, por mund të shfaqin kthim pas apo humbje të aftësive të komunikimit rreth moshës 18-24 muaj. Kjo humbje e aftësive mund të përfshijë ulje të interesave sociale, sikurse edhe humbje të fjalëve apo frazave të cilat i kanë përdorur më parë. Fëmijët që kanë zhvillim të gjuhës mund të shfaqin modele jo të zakonshme të të folurit, të tilla si përsëritja apo bërja jehonë e frazave që dëgjojnë nga të tjerët apo nga televizori. Ata mund të kërkojnë gjëra që dëshirojnë por e kanë shumë të vështirë të mbajnë një bisedë të thjeshtë.

Sjelljet dhe interesat: Fëmijët me autizëm përgjithësisht shfaqin një shkallë më të kufizuar lojërash krahasuar me moshatarët e tyre, dhe shfaqin më tepër sjellje përsëritëse; për shembull, ata mund të fokusohen më tepër në rreshtimin e objekteve sesa në ushqimin e një kukulle apo arushi. Gjithashtu, ata mund të jenë të interesuar për disa objekte të caktuara apo të këmbëngulin në ndjekjen e rutinave të caktuara, apo mund të përsërisin lëvizje specifike si përplasja e duarve, hedhja apo lëvizja para-mbrapa.

Koha: Përveç shfaqjes së diferencave zhvillimore në tri hapësirat e mësipërme, fëmijët me autizëm i shfaqin këto modele përpara moshës trevjeçare.

A kanë të gjithë fëmijët me autizëm zhvillim të vonuar?

Jo, ka një shtrirje të gjerë të aftësive kognitive apo të të menduarit ndërmjet fëmijëve me autizëm. Disa prej tyre kanë një koeficient inteligjence nën mesataren, ndërsa të tjerë e kanë si prej gjeniu. Fëmijë të tjerë kanë vonesa domethënëse në të gjitha hapësirat e zhvillimit. Megjithëse diagnoza e autizmit nuk varet nga aftësitë kognitive të fëmijës, ajo ndihmon në ofrimin e informacionit lidhur me atë fushë që rezulton e dëmtuar, në mënyrë që të kuptohen më mirë nevojat dhe aftësitë e fëmijëve dhe të planifikohen ndërhyrje sa më efikase.

A shkaktojnë vaksinat autizëm?

Ka patur një shqetësim të konsiderueshëm publik, si dhe vëmendje të konsiderueshme mediatike lidhur me lidhjen e mundshme ndërmjet autizmit dhe vaksinave. Studime të shumta shkencore, janë përqendruar në këtë çështje, dhe së fundmi është arritur në përfundimin që vaksinat nuk janë të lidhura me autizmin. Gjithashtu, njihen edhe shumë rreziqe shëndetësore të lidhura me mosvaksinimin.

A u duhet treguar të tjerëve që fëmija ka autizëm?

 

Ky është një vendim tejet personal. Në mënyrë që të mundësohet një ndërhyrje e hershme apo shërbime shkollore për të cilat fëmija ka nevojë, do të ishte e dobishme të tregohej lidhur me diagnostikimin e fëmijës me këto probleme. Po ashtu, mjeku i familjes apo terapistë të tjerë duhet të jenë në dijeni të diagnozës, në mënyrë që të planifikojnë ndërhyrje sa më efektive kur është e nevojshme. Gjithsesi, është prindi apo kujdestari që vendos nëse duhet ta ndajë këtë diagnozë me miqtë dhe të afërmit. Nëse ata kalojnë kohë me fëmijën autik, ndoshta vënë re diferencat zhvillimore. Ndoshta edhe kanë keqinterpretuar sjelljet e lidhura me autizimin duke e menduar fëmijën si të turpshëm apo shpërthyes. Ndarja e diagnozës ka të ngjarë t’i ndihmojë ata të kuptojnë se përse ky fëmijë ka vështirësi në ndërveprimin dhe komunikimin me të tjerët. Gjithashtu, kjo mund të shtojë mbështetjen e tyre për këtë fëmijë në të ardhmen.

A ka nevojë një fëmijë autik për specialistë mjekë?

Fëmijët me diagnozën e çrregullimeve të spektrit të autizimit duhet të vlerësohen nga një mjek ekspert në vlerësimin dhe menaxhimin e këtyre çrregullimeve. Nuk është e rrallë për këta fëmijë të kenë edhe probleme shëndetësore të tilla si konstipacioni, diarrea, refluksi, probleme të gjumit, probleme të të ushqyerit etj. Duke qenë se për autizmin nuk ka një kurë, trajtimi i problemeve që zhvillohen përgjatë këtyre çrregullimeve mund të shtojë rehatinë e fëmijës. Kur fëmijët ndjehen më mirë, ata mund të jenë më pranues ndaj të mësuarit dhe, rrjedhimisht, mund të përfitojnë më shumë nga ndërhyrjet edukative dhe terapeutike.

Rreth 15% e fëmijëve me çrregullimeve të spektrit të autizimit kanë një sindromë të identifikueshme (për shembull sindromën X i brishtë). Mjeku i familjes mund të ndihmojë që prindërit apo kujdestarët të drejtohen te gjenetisti, i cili mund të rekomandojë edhe testet e duhura. Nëse identifikohet një sindromë specifike, kjo do të jepte informacionin e duhur për një të kuptuar më të mirë të fëmijës, si dhe për të ndihmuar familjen në bërjen e planeve.

A duhet të marrë mjekime fëmija me autizëm?

Nuk ka ndonjë mjekim që mund të trajtojë autizmin, por ka medikamente që trajtojnë disa nga simptomat. Për shembull, disa fëmijë me autizëm mund të marrin medikamente për problemet e gjumit, ankthin, hiperaktivitetin, sjelljet vetëdëmtuese apo luhatjet e gjendjes shpirtërore.

AFP

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article