KreuStil Jetese

Lukova: Perla e Jonit!

Brigjet joniane me ujin ngjyrë gurkali, plazhet e arta, fshati me qiparisa dhe rrugicat e shtruara me kalldrëme karakteristike, muret e shtëpive të mbuluara me lule, janë disa nga sekretet që duhet të zbuloni këtë verë

Përmbi të kaltrën ngjyrë të Jonit, pasi ecën në një gjelbërim të harlisur argumesh, 150 metra mbi nivelin e detit, gjendet Lukova, një perlë e papërsëritshme e rivierës shqiptare. Qyteza e vogël bregdetare është vendosur mbi një pllajë të gurtë, me qiparisa kryelartë, prej nga nxjerrin hera – herës kokën shtëpitë ose kishat e zonës. Prej aty, syri të sheh një pamje spektakolare të plazheve të detit Jon. Plantacionet me ullinj zbresin si një gjerdan në qafat e bregoreve dhe tarracave, pastaj plantacionet me portokalle, limona, fiq dhe hardhi, një gjelbërim magjepsës, që duket se përligj në vetvete edhe toponimin e vërtetë të emrit të fshatit, që do të thotë: breg i gjelbër. Emri i hershëm i Lukovës, është qyteza e Dhoknës që i takon shek. III – II p.e.r. Kjo qytezë u dogj nga komandanti romak Pal Emili në vitin 169. Më pas ekziston me emrin Llukova.

Lukova është rreth i pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika, në pjesën bregdetare kufizohet me fshatrat Piqeras dhe Shën Vasil, ndërsa në anën e malit me fshatrat Sasaj dhe Nivicë. Shtëpitë me mure pllakash të bardha kanë një bardhësi hyjnore, ndërsa rrugët me kalldrëm gjarpërojnë në çdo shtëpi e lagje, duke marrë herë të tatëpjetën drejt detit, e herë ngjiten drejt kreshtës. Të bien në sy lulet që gjallojnë parvazet, por nuk ka më të bukura sesa ato që kacavirren në mënyrë krejt natyrale pas mureve me pllaka të bardha, duke i dhënë një bukuri tipike mesdhetare. Qyteti i sipërm i Lukovës është gjithashtu i mrekullueshëm për pamjet e tij nga bregdeti, plazhet dhe deti Jon, e sidomos për të parë perëndimin e diellit.

Lukova është një vend i mrekullueshëm për t’u çlodhur dhe për të shijuar natyrën, por edhe për të zbuluar kulturën e saj. Në një shëtitje të shkurtër nëpër Lukovë, mes shtëpive fshehur në pyllin e vogël mbi kodër, zbulon një kishë të vjetër ortodokse. Kisha e Shën Premtes mendohet se është ndërtuar në shekullin e 17-të, shumë pranë saj ka edhe një ujëvarë të vogël. Kjo kishë e tipit bazilikë, daton që nga shekulli XVII. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anën perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Lukova shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh, aty gjelbërimi i pafund bashkohet në harmoni të plotë me ngjyrën e kaltërt, ku klima bregdetare gërshetohet mrekullisht me klimën malore dhe ku flladi i detit bashkohet me aromën e pemëve.

Padyshim plazhi mbetet destinacioni kryesor në stinën e verës. Kjo zonë ofron një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë, disa prej tyre ende të virgjëra. Mjedisi është i mrekullueshëm dhe duke qenë se është larg qytetit, gjithçka që shihni përreth janë kodrat dhe shkëmbinjtë e gjelbër dhe uji i qetë i bruztë. Ndryshe nga shumë zona, aty mund të shkoni me makinë, rruga është e asfaltuar deri afër bregut. Ky gji ka një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla me një atmosferë intime, deri tek plazhet popullore e festive të mirënjohura tanimë për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit. Pasi zbret në plazh, të shfaqet para gjiri i madh i Lukovës. Aty është i mundur parkimi i makinave dhe i rulove, sidomos në anën e majtë të gjirit, pasi edhe fusha në atë krah është e madhe dhe zakonisht përdoret për koncerte dhe evente argëtuese. Në anën e majtë të plazhit, i cili njihet edhe si Shpellë Lukovë, keni mundësi të rrëziteni në diell në plazhe të vogla dhe intime, që vijnë në formë gjiresh me pllaka guri ngjyrë të bardhë dhe trëndafili. Për të gjetur këto shpesh duhet të ecni rreth 10 minuta në këmbë në terrenin e vështirë me gurë të mëdhenj, ndaj rekomandohet të merrni çadër me vete. Pasi të gjeni vendin e duhur, me shumë gjasa ndonjë shkëmb, nga aty mund të kridheni në ujin e kristaltë dhe ngjyrë turkeze të detit Jon. Ndërkohë, nëse zgjidhni anën e djathtë të plazhit, pasi të ecni 6-7 minuta, ju mund të gjeni një ambient tejet shlodhës në mes ullishtës. Aty nuk ju duhet çadra, pasi degët e ullinjve do t’iu bëjnë hije, ndërsa një përrua me ujë të ftohtë që rrjedh nga mali i Lavanit, do t’ju freskojë.

 

©Botuar në Revista BORDO, Gusht 2022!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF