
Fëmijëria e Danielit nuk i ngjan asaj të bashkëmoshatarëve të tij. Pasi kthehet nga shkolla, ndryshe nga shokët e klasës ai nuk pëlqen të kalojë kohë në tablet apo TV, por menjëherë shpejton hapat për në cepin e preferuar të shtëpisë, në kuzhinë. Në fillimet e tij, kur si pa kuptuar nisi të interesohej për gatimet dhe kombinimet e shijeve, Danielit i duhej një stol që të arrinte banakun, por prej muajsh tanimë ka hedhur shtat dhe si një chef i vërtetë kuzhine, nis të krijojë recetat autentike që mbajnë firmën e Danielit…
Daniel, në rrjetet sociale kam parë që merresh me muzikë, këndon, bën humor, por dhe gatuan? Cili është hobi yt më i madh?
Për momentin, pasioni im më i madh është gatimi. Më pëlqen kuzhina molekulare, të eksperimentoj teknika gatimi dhe shije të veçanta. Sigurisht që përveç kësaj, adhuroj muzikën, kërcimin dhe më pëlqen të këndoj, sidomos kur jam në fugonin e shkollës. Gjithashtu kam zbuluar dhe një pasion tjetër që është skijimi.
Me kë i ndan fillimisht hobet e tua?
Si fillim me mamin dhe babin, dhe më pas me shokët ose të afërmit e mi.
Kush i provon i pari pjatat që bën?
Unë gatuaj në shtëpi, kështu që e para që i provon gatimet e mia është mami im. Shpesh gatuaj për miqtë që na vijnë në shtëpi, sepse shumë prej tyre e vlerësojnë dhe i hanë me shumë kënaqësi gatimet e mia.
Çfarë muzike dëgjon? Kush është artisti yt i preferuar dhe pse?
Unë dëgjoj rock, pop, hip-hop, regatone. Shpesh dëgjoj dhe muzikë italiane të viteve ‘70 dhe ‘80. Mes shumë artistëve, i preferuari im është Freddie Mercury, i cili është për mua mbreti i rockut që mund të përdori fjalët dhe emocionet si asnjë artist tjetër.
Në shkollë, për cilën arsye mendon se dallon nga të tjerët?
Unë dalloj nga shokët e mi të shkollës sepse mendoj që jam më i pjekur dhe nuk fokusohem në gjëra të parëndësishme, por në ëndrrat e mia dhe në të ardhmen time.
Cila ka qenë eksperienca më e bukur që ke kaluar deri tani dhe do të doje t’ua sugjeroje dhe fëmijëve të tjerë që ta provojnë?
Eksperienca më e bukur për mua deri tani ka qenë në dimër të këtij viti. Për dy javë shkova në një kamp dimëror në Zvicër, ku përveçse mësova të skijoj shumë mirë, mësova të mbroja të drejtat e mia pa ndihmën e prindërve dhe arrita të bëj shokë të rinj nga e gjithë bota.
Cili është opinioni yt për rrjetet sociale? Sa kohë shpenzon ti në to?
Mendimi im për rrjetet sociale është që po na kontrollojnë dhe po na programojnë që të bëhemi të varur aq shumë, sa një ditë do t’na kalbet truri dhe nuk do të jemi në gjendje të kemi një mendim tonin të pavarur. Pavarësisht se i pëlqej, por mundohem të harxhoj kohë vetëm në fundjavë. Mendoj që nëse je inteligjent është një mundësi e mirë për të fituar para, duke bërë marketing për produkte të ndryshme.
Çfarë planesh ke për këtë verë?
Këtë verë kam shumë plane, por gjëja më interesante është që do të shkoj dy javë në një fermë në Itali, ku fëmijë nga e gjithë bota mblidhen dhe jetojnë mes kafshëve, kujdesen për to, mjelin lopët, dhitë, pastrojnë dhe jetojnë në natyrë në kushte shumë të thjeshta, pa asnjë komoditet. Sigurisht pa telefon dhe pa televizor.
Ke ndonjë ëndërr për veten?
Unë kam shumë ëndrra, por ajo që është ëndrra më e madhe e momentit është që në të ardhmen dua të hap një restorant timin dhe ai do të jetë me yje Michelin. Në të njëjtën kohë, dua të studioj, të bëhem një agjent real estate dhe më pas të udhëtoj nëpër botë e të njoh sa më shumë kultura të ndryshme e të bëhem qytetar i botës.



















