Nga Nada Biraçi
Ndonëse marka gjermane drugstore Rossmann & Lala prej vitesh operon suksesshëm në vendin tonë, pakkush e di se ‘Lala’ nuk është një gjetje marketingu, që ish-kapiteni i Kombëtares e mendoi për të tërhequr klientelën. Në një bisedë me “Bordo”, Altin Lala, sipërmarrësi që ka ekskluzivitetin e zinxhirit të dyqaneve Rossmann në Shqipëri e Kosovë, tregon se vendosja e emrit të tij përbri markës ka qenë një kusht i vendosur nga themeluesi Dirk Rossmann. Tejet modest dhe me këmbë në tokë, ndonëse filialet Rossmann & Lala po zgjerohen gjithmonë e më shumë prej 15 vitesh, biznesmeni Lala shprehet se do t’i jetë përjetë falënderues Dirk Rossmann që ja dha këtë mundësi.
Rossmann & Lala një rrjet i suksesshëm dyqanesh, që po zgjerohet çdo ditë e më shumë. Sa krenar jeni për këtë arritje?
Themeluesi i Rossmann është Dirk Rossman, i cili e ka hapur këtë biznes në vitin 1972. Merita ime le të themi qëndron vetëm në faktin që arrita ta bindja zotin Dirk që ta sillte markën e tij edhe në Shqipëri. Më duhet të them që i jam shumë falënderues, që pati besim te bindja ime se Rossmann do të zhvillohej suksesshëm edhe në vendin tonë. Natyrisht që ndihem krenar, sepse sot që flasim në Shqipëri dhe Kosovë janë mbi 30 dyqane Rossmann. Nuk mund ta fsheh që po, jam shumë krenar (qesh).
Si lindi ideja që të vendosnit emrin tuaj përbri emrit të Rossmann?
Kjo nuk ka qenë aspak ideja ime. Në nisje të kësaj sipërmarrje unë kam kërkuar vetëm të blej mallin nga firma Rossmann në Gjermani dhe ta shisja në Shqipëri. Të jem i sinqertë, as që më ka shkuar në mendje që krahas Rossmann do të vija emrin tim, madje kisha menduar emra të tjerë, por kjo ishte ideja dhe kushti që më vuri Dirk Rossmann. Personalisht nuk kam qenë dakord ta kisha emrin tim krahas Rossmann, por duke qenë se ishte kusht i prerë, nuk kisha zgjidhje tjetër. Vetëm në Kosovë arrita ta bindja që të mos vihej emri im, ndaj në Kosovë dyqanet janë thjesht me emrin Rossmann. Pavarësisht se edhe atje bashkëpunimi me themeluesin është po në të njëjtën mënyrë si në Shqipëri.
Cilat kanë sfidat që keni hasur gjatë gjithë rrugëtimit të këtij biznesit?
Zakonisht sfidat nisin që në fillim nga gjetja e njerëzve të duhur dhe vendosja e këtyre njerëzve në pozicionet e duhura, duke ju përshtatur profilit të firmës, që të mund të përkthehej në sukses dhe zhvillim të markës. Nuk mund të rri pa përmendur ndihmën e madhe që më është dhënë në fillimet e mia nga firma mëmë në Gjermani, e cila ndërthurur me njohjet dhe influencën time në Shqipëri si personazh i njohur, ndikuan që suksesi i Rossmann të dukej që në ditët e para. Unë jam shumë i lumtur që tani Rossmann është ndërtuar në mënyrë aq kompakte dhe profesionale, sa e vetmja rrugë e markës është suksesi i mëtejshëm dhe i vazhdueshëm.
Ka patur momente kur vërtet keni menduar të hiqni dorë nga kjo sipërmarrje?
Duke qenë se kompania mëmë është ofruar gjithmonë për të na ndihmuar, edhe në ngërçet më të vogla që mund të kemi hasur gjatë gjithë këtyre viteve, nuk më është dashur asnjëherë të mendoj të heq dorë nga kjo sipërmarrje. Mund të them se tregut shqiptar i mungonte një dyqan ‘drugstore’ dhe mendoj se kjo është një nga arsyet pse mundësia e dështimit në këtë biznes ishte shumë e vogël. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Rossmann në Shqipëri dhe të heq dorë nuk është në planet e mia afatgjata apo afatshkurtra (qesh). Sfida jonë tani është vetëm zgjerimi, sepse detyra jonë është t’i afrohemi sa më pranë fizikisht klientit.
Sa i përket sipërmarrjes apo biznesit keni ndonjë projekt të ri?
Ide, plane dhe mendime ka gjithmonë…! Por për momentin nuk mund të them se kam diçka konkrete.
Përpos biznesit, sa vend zë futbolli tani në jetën tuaj?
Duke qenë e pamundur të shkëputem nga pasioni i jetës sime futbolli, kam krijuar një agjenci të vogël që trajnoj futbollistë të rinj dhe kjo më merr një pjesë shumë të madhe të kohës sime.
A i ruani ende miqësitë e vjetra të futbollit?
Po, ruaj ende shoqëri me ish-lojtarë të Kombëtares apo edhe lojtarë këtu në Gjermani. Ndonëse secili prej nesh ka krijuar familjen e tij, apo ka përditshmërinë e tij, gjithmonë mundohemi të gjejmë kohën për t’u takuar, duke kujtuar kohët e bukura që kemi kaluar.
Jeni një ndër legjendat e futbollit shqiptar, çfarë ju mungon më shumë nga fusha e blertë?
Më mungon adrenalina sepse atë lloj emocioni kur futesh në fushën e blertë nuk ta jep asgjë tjetër. Më mungojnë brohorimat e tifozëve, pasiguria dhe të papriturat që fusha e blertë i jep çdo futbollisti. Më mungon edhe ai stresi i para nisjes së lojës, apo zhgënjimi kur humb një goditje të mirë, që ndonëse kur e përjeton është drithërues. Do të jepja gjithçka ta përjetoja edhe një herë.
Si e shihni Kombëtaren shqiptare këtë periudhë? Çfarë note do t’i vinit?
Kombëtarja jonë aktualisht ka lojtarë me cilësi, të cilët luajnë në nivele shumë të larta. Ka aty djem të rinj me eksperiencë, kështu që unë besoj dhe shpresoj që edhe këtë vit të shkojmë në Kampionatin Evropian. Dua me gjithë zemër ta arrijmë këtë qëllim. Sa i përket notës! (Qesh) Nëse kualifikohemi për në Kampionatin Evropian do t’i jap Kombëtares sonë një 9-të. Notën 10 e lëmë për momentin kur do të kualifikohemi për në Kampionatin Botëror.