Nga Nada Biraçi
Fotografia: Gent Onuzi
Ky sezon televiziv do të ketë një ajër tjetër për aktorin Visjan Ukcenaj…Ekran i ri, program i ri, e kolegë të rinj janë përjetime të cilat i kanë dhënë një ylber ngjyrash e emocionesh aktorit të njohur. Ndërsa vetëm pak ditë e ndajnë nga shfaqja për herë të parë në shtëpinë e re televizive, Visjani vjen në një rrëfim të vërtetë në “Bordo”, ku rrëfen anët e panjohura të djalit të rritur në Pukë.
Visjan, si ishte kjo verë për ju? Ku pushuat?
Pushimet i kam kaluar një javë në Sarandë dhe një javë në Romë me familjen, pasi kësaj here nuk preferova që pushimet t’i kornizoj vetëm me plazhin. Duke qenë se djali po rritet, dua që ta edukoj edhe me turizëm kulturor, të vizitojë vende të tjera duke e prezantuar me gjuhë, kultura dhe tradita të ndryshme.
Bëni ndonjëherë udhëtim në kohë? Zhyteni në kujtimet e fëmijërisë, adoleshencës?
Ky lloj udhëtimi është gjëja më e bukur që mund dhe duhet të bëjë një qenie njerëzore për të mbajtur gjallë kujtimet, shpirtin, emocionin, imagjinatën e pse jo dhe një mendje të shëndoshë. Të paktën unë e bëj shpesh, pasi duke udhëtuar në kohë, nis e krijoj një dimension tjetër për jetën time dhe gjithashtu e mbush veten me ngjyra të cilat herë pas here në përditshmërinë tonë, na humbin nëpër rutinë. Kam shumë nevojë të rikujtoj fëmijërinë bashkë me format primitive të argëtimit por me aq shumë ngjyra…Sot, argëtimi është i veshur me luks, shkëlqim, vanitet, por ngjyrat janë gri dhe nuk e di pse e shoh shumë të frikshme këtë gjë dhe është e çuditshme që ky kaos që ka jeta dhe bota këto kohë, të ketë edhe kaq shumë monotoni. Kjo është arsyeja që unë shpesh, shumë shpesh, arratisem dhe strukem në kujtimet e fëmijërisë.
Çfarë kujtoni dhe ruani me nostalgji e fanatizëm nga fëmijëria juaj, në qytetin e lindjes? Po kujtimet që do të doje t’i fshije?
Kam lindur në qytetin e Pukës dhe duke qenë një qytet në të cilin bie shumë borë, për ne fëmijët dimri ishte stina më e bukur dhe e mezipritura. Me dëborën ne kishim mundësi të krijonim lojëra dhe mënyra argëtimi nga më të ndryshmet. Thjesht duke i kujtuar, portreti më vishet me një buzëqeshje të çiltër fëminore. Ngjarje, kujtime apo veprime që do të donim të mos kishin ndodhur, besoj se ka secili prej nesh, por mendoj se edhe ato kanë rëndësinë e tyre në jetën tonë, pasi me siguri prej gabimeve tonat apo të të tjerëve ne marrim mësime që na vlejnë për jetën.
Çfarë do t’i thoshit sot Visjanit adoleshent?
Visjanit të vogël do t’i thosha, ‘lëshoje veten pak më shumë, mos ji i mirë me të gjithë sepse ata nuk janë siç ti i mendon. Po të paralajmëroj që jeta do të të njohi me një grua fantastike, e cila do të të sjelli në jetë një djalë si drita që do të të ndryshojë jetën dhe ti do të habitesh sesa e bukur do të jetë jeta kur të bëhesh baba…’.
Shpesh që në vegjëli shfaqen ato shenjat apo të dhënat e para për karrierën që do të na drejtojë jetën…Ju kur nisët të mendonit që doni të bëheshit aktor?
Të them të vërtetën kur kam qenë i vogël as nuk e dija çfarë do të thotë të jesh aktor, dhe kjo ndjesia dhe dëshira për aktrimin më ka ardhur shumë më vonë. Por, mesa më tregon mami, e cila si çdo mam tjetër ishte shumë vigjilente në ato veprimet e pandërgjegjshme që bëjnë fëmijët, më tregon që kam patur një sens protagonizmi. Mblidhja fëmijët e lagjes, krijoja histori nga fantazia ime dhe bëja narratorin para tyre dhe mesa më kanë treguar, zhdërvjelltësia dhe oratoria me të cilën i tregoja ato histori të trilluara ishte mbresëlënëse. Një element tjetër që ndoshta mund të jetë një tregues se brenda meje flinte dhuntia për aktrimin, ishte vendosja e epiteteve për shokët. Në gjimnaz nisa vërtetë ta mendoja aktrimin si profesionin tim të ardhshëm, nga aktivitetet që zhvilloheshin në shkollë.
Çfarë marrëdhënie keni me paranë?
Marrëdhënie toksike dhe romantike (qesh). Kur nuk e kam më mungon shumë, por sapo vjen, ajo zhduket nëpër dyqane, restorante, lodra, udhëtime…
Keni mbetur ndonjëherë pa asnjë lek në xhep? Në një situatë kur lekët duheshin?
Periudha më e vështirë sa i përket anës financiare për mua është viti 2018 kur ne patëm një tranzicion pasi u shkëputëm nga Vizion Plus në Tv Klan. Duke qenë se ishim në pritje të djalit, sapo kishim marrë një shtëpi më të madhe dhe ajo ka qenë në kuptimin e vërtetë të fjalës, periudha kur mbetëm pa ‘kokërr leku në xhep’. Bashkë me Jonën, e cila ishte shtatzënë kërkonim nëpër xhepa pantallonash nëse ka mbetur ndonjë lek. Ajo ka qenë vera më e vështirë në jetën time dhe e vetmja që ne nuk kemi bërë asnjë ditë plazh nga mungesa e parave. Natyra ime sedërlie nuk më linte të kërkoja ndihmë apo hua, as nga familja ime…
Si ja dolët?
Ja dolëm me shumë krenari, pa ja shtrirë dorën askujt, duke u mbështetur vetëm te njëri-tjetri, duke kursyer frikshëm edhe 100 lekëshin për 3 muajt e asaj vere. Si me magji kur lindi im bir në shtator, çdo gjë nisi të ndryshojë me rrogat dhe me të ardhurat tona në familje. Ardhja e Divinit në jetën tonë, përpos mbushjes shpirtërore, solli si me magji begatinë që na kishte munguar aq shumë së fundmi.
Fillimi i kësaj vere përkoi me fundin e eksperiencës suaj në Klanifornia. Si e përjetuat?
Nuk ka qenë aspak e lehtë ndarja nga kolegë me të cilët ke punuar çdo ditë, për 12 vite me radhë. Ne ishim familje. Jam prekur, jam emocionuar dhe kam qarë kur mësova që kontrata nuk do të rinovohej për sezonin e ardhshëm. Jam i bindur që edhe kolegët janë ndjerë po njësoj. Por jeta vazhdon dhe siç e dini, tani për mua nis një kapitull i ri.
Cili prej kolegëve do t’ju mungojë më shumë? Po më pak?
Të gjithë! Po e nis me Turin, si personi që ka patur besim tek unë që në fillimet e mia dhe që këmbënguli që unë të isha pjesë e 2XL. Turi për mua është vëlla të cilit do t’i jem përjetësisht mirënjohës. Nëse jam dikushi sot në fushën e aktrimit, kjo është edhe falë kolegëve të mi me të cilët kemi shpërndarë eksperienca, duke mësuar nga njëri-tjetri. Falë Julit, Albanos, Cubit, Egit, Olsit, Andreas…në mënyrë të padiskutueshme të gjithë aktorët që kanë qenë pjesë e Klanifornia dhe 2XL, kanë dhënë kontributin e tyre në atë çfarë unë jam sot.
Sezoni i ri nis me ndryshime në karrierën tuaj, duke ju bashkuar skuadrës së ‘Portokalli’. Çfarë do t’i sillni ju atij show?
Për herë të parë unë do të jem nën logon e Top Channel dhe si një ndër televizionet më të mëdha në vend, është nder për mua të jem pjesë e asaj logoje. Shihemi në tetor me surpriza…
Përgjithësisht aktorët e humorit frymëzohen nga e përditshmja për të krijuar një karakter. Ka lindur ndonjë personazh këtë verë nga Visjani?
Kjo është shumë e vërtetë, përditshmëria është një ndër frymëzimet më të mëdha për një aktor. 90 % të personazheve që unë kam krijuar, kanë marrë jetë nga njerëz realë, ndodhi reale. Sa i përket kësaj vere më shumë se karaktere, kanë lindur shumë batuta për t’ia ‘veshur’ karaktereve që do të shihni në tetor.
Cila ka qenë mënyra më e çuditshme nga e cila ka ‘lindur’ një personazh gjatë karrierës suaj?
Kam qenë në Shëngjin në plazh, në temperaturë 40 gradë, dhe një shitës ambulant nga Shkodra dëgjohej të thoshte, ‘hajde byrek i nxehtë’, me atë theksin e lezetshëm shkodran. Realisht ky burrë më ka frymëzuar për shumë karaktere, që kam realizuar në karrierën time.
Prej vitesh jetoni një histori të bukur dashurie me bashkëshorten tuaj Jonën. Thuhet se dashuria merr disa forma gjatë jetës, ç’formë ka juaja në këto momente?
Kemi 13 vite dashuri me njëri-tjetrin dhe si çdo histori, kemi patur edhe ne kurbën tonë ulje-ngritje. I kemi kaluar të gjitha llojet e formave të dashurisë dhe tani për shembull, ka formën e një fruti të ëmbël apo në torte, dhe qershia mbi tortë është djali ynë Divin (qesh).
Mendoni se jeni baba më i mirë apo bashkëshort më i mirë?
Jam një baba tmerrësisht i përkushtuar, në mënyrën që e llastoj shumë tim bir dhe nuk e quaj aspak gjë të mirë këtë që bëj, por nuk mund ta ndryshoj. Të them të drejtën edhe bashkëshorten e llastoj (qesh). Në të dyja statuset edhe si prind, edhe si bashkëshort mundohem për më të mirën.
E gjeni veten ndonjëherë duke thënë me vete, ‘babi apo mami kishe të drejtë’?
Patjetër që po! Kur bëhesh prind vetë, ajo shprehja ‘do më kujtosh kur të bëhesh prind’ që na bezdiste kur ishim të vegjël, tani na rri si çekan në kokë.