KreuCelebrity

Nxehtë është. Le të zhvishemi!

Nxehtë është. Le të zhvishemi!

Nga Doreada Mio

Isha pikërisht në plazh, në shezlong, kur lexova në celular një artikull të një reviste. Fliste për atë që quhet “bikini blues”: jo, nuk është ngjyra e kostumit të banjës, por ankthi i daljes në plazh apo përpara të tjerëve.

Në pamje të parë duket si një detaj i vogël sezonal, por në thelb prek një nga temat më të ndjeshme të kohës sonë: marrëdhënien me trupin.

Ngrita sytë nga ekrani dhe hodha vështrimin rreth e qark.

Përpara meje kishte trupa të të gjitha moshave dhe formave. Fëmijë që vraponin drejt detit pa u shqetësuar nëse barku u dilte pak përpara. Burra me barkun krenar të pushimeve, të shtrirë në diell me një qetësi që vetëm burrat dinë ta kenë. Vajza dhe gra që bënin foto, kryesisht me bikini që lënë shumë pak vend për imagjinatë. Asgjë nuk më ngjante me ankth.

Megjithatë, sipas artikullit, rreth një në shtatë persona përjeton atë që psikologët e quajnë ankthi i “provës së kostumit”. Një ndjenjë sikleti, pasigurie apo vetëgjykimi që shfaqet kur afrohet vera dhe trupi ekspozohet më shumë.

M’u duk interesante. Jo sepse nuk e besoj, por sepse menjëherë m’u kujtuan dhjetëra foto që kam parë javët e fundit në Instagram. Fotot në plazh nuk janë më thjesht kujtime personale, por edhe një formë prezantimi publik. Kjo e rrit presionin, por njëkohësisht edhe mundësinë për vetëshprehje. Në këtë kontekst, kostumi i plazhit nuk është vetëm një veshje verore. Ai bëhet simbol i marrëdhënies me trupin, me moshën dhe me vetëpranimin.

Një paradë e pafundme bikinish, kostume banje, kapelash kashte dhe buzëqeshjesh verore.

Më duhet ta pranoj: një pjesë e madhe e tyre duken shumë bukur. Sidomos vajzat e reja. Duket sikur kanë lindur për të pozuar. Argëtohen, ndërrojnë pozicion me një lehtësi të admirueshme. Por ajo që më tërheq më shumë vëmendjen nuk janë ato. Janë gratë mbi 45 apo 50 vjeçe.

Te to vihet re ndonjëherë një kujdes më i madh për pozën. Ndonjëherë një ngërç i vogël. Poza një, poza dy… poza tre… Krahu pak më lart, mjekra pak e kthyer, barku pak më brenda. Një koreografi e vogël që shumë prej nesh e njohim mirë. Por vihet re edhe diçka tjetër: një lloj vendosmërie për të mos u bërë të padukshme. Dhe ndoshta këtu qëndron paradoksi më interesant: ndërsa një pjesë e grave ende ndihen të stepura, një pjesë tjetër po e përdor pikërisht këtë moment jete për të “rikuperuar” atë që nuk e kanë pasur në rini, lirinë për t’u dukur pa justifikim.

Dhe kjo më pëlqen.

Sepse brezi ynë është rritur me shumë rregulla. Kishte gjithmonë diçka që nuk duhej: fundi shumë i shkurtër, bluza shumë e hapur, trupi i gruas si objekt komentesh, këshillash dhe gjykimesh.

Prandaj pyes veten nëse “bikini blues” ka të bëjë vërtet vetëm me vetëbesimin.

Kam parë gra me trup pothuajse perfekt që nuk ndihen kurrë rehat në plazh. Dhe kam parë të tjera me rrudha, me celulit, me shenja jete në lëkurë, që ecin drejt detit me një qetësi të admirueshme. Ndoshta nuk është çështje perfeksioni. Ndoshta është çështje pranimi.

Pak ditë më parë i thashë një shoqeje:

“Sa shumë foto me rroba banje po poston këtë verë!”.

Ajo qeshi dhe ma ktheu pa u menduar:

“Po këto hire që kemi, do t’i nxjerrim. Nuk do t’i marrim me vete në dimër”.

Qesha me të madhe.

Por sa më shumë e mendoj, aq më shumë më duket se ajo kishte të drejtë.

Sepse pas një moshe të caktuar kupton se vera është shumë e shkurtër për t’u fshehur pas peshqirëve, pareove apo komplekseve.

Në fund të fundit, plazhi nuk është konkurs bukurie. Është vendi ku duhet të heqim disa shtresa, jo vetëm rrobat.

Dhe ndoshta fëmijët që vrapojnë pa asnjë kompleks kanë kuptuar diçka që ne të rriturit e harrojmë shpesh: trupi nuk është aty për t’u admiruar. Është aty për të jetuar e shijuar. 

Si përfundim, vera nuk është vetëm një stinë. Është edhe marrëdhënia jonë me trupin nën dritën e diellit.

Nxehtë është.

Le të zhvishemi.