Teksa mungesa e Arbana Osmanit në "Post Ferma VIP" dhe në festën pas finales së madhe ndezi menjëherë aludimet për një largim të mundshëm nga formati, një zhvillim i ri duket se po e kthen historinë në një tjetër drejtim.
Për ditë me radhë, në rrjet qarkulluan spekulime se moderatorja mund t’i kishte dhënë fund bashkëpunimit me "Ferma VIP", sidomos pasi u bë e ditur se emisioni "Post Ferma VIP" do të drejtohet nga Florian Agalliu dhe jo nga vetë Arbana.
Por, sipas gazetarit Elton Tozaj, prapa zërave qëndron një realitet krejt ndryshe. Ai pretendon se Arbana Osmani ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me Vizion Plus, marrëveshje që, sipas burimeve të tij, është firmosur edhe para nisjes së sezonit aktual.
Nëse ky informacion konfirmohet, atëherë teoritë për një largim të moderatores nga spektakli bien poshtë, duke lënë të kuptohet se Arbana do të vijojë të jetë pjesë e "Ferma VIP" edhe në sezonet e ardhshme.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Arbana Osmani apo Vizion Plus për të konfirmuar ose mohuar këto pretendime. Për rrjedhojë, gjithçka mbetet në nivel raportimesh, ndërsa publiku pret të mësojë se cili është versioni i vërtetë i kësaj historie.
