Diana, së fundmi keni krijuar një kontakt të ri me publikun përmes televizionit “Ora News”, me programin “Kronikë e Pambaruar”. Për ju personalisht, çfarë është kjo dritare letrare?
Është vërtetë një dritare letrare, siç shpreheni ju. Emisioni, të cilin në fillim e pranova me një lloj ngurrimi, ngaqë nuk kam pasur përvoja drejtuese me televizionet, në të vërtetë është shndërruar në një burim entuziazmi për mua. E para, sepse më lejon të risjell në vëmendje të publikut personalitete të shquara të kulturës dhe artit tonë e të huaj; e dyta sepse hapësira kohore është e tillë që mundëson një bisedë të thelluar dhe jo të nxituar; e treta, sepse në një situatë televizive ku mbizotërojnë spektaklet, ‘Big brother’-at dhe gjithashtu politika ‘non-stop’, mendoj se njerëzit kanë nevojë për pak ushqim shpirtëror e kulturor. Jam e lumtur që mund të kontribuoj sadopak në këtë drejtim dhe i falënderoj drejtuesit e “Ora News” që e menduan e më ftuan ta drejtoja.
Cili është personazhi që do të donit të kishit në studio në sezonin e ri?
Oh, ka shumë personazhe në listën time. Por, nuk do të doja të flisja para kohe, sepse mundet që emri që unë do të përmend të mos vijë dot për një arsye ose tjetër – gjëra që ndodhin – dhe do ta zhgënjeja lexuesin. Por, mund të them se të ftuarit e këtij emisioni janë domosdoshmërish krijues me përvoja të gjata, me vepra të rëndësishme të krijimtarisë së tyre. Emisioni synon jo vetëm të paraqesë veprat e autorit, por kryesisht opinionet dhe mendimet e tij mbi artin, letërsinë, shoqërinë, jetën në përgjithësi. Të shprehura nga personalitete të rëndësishme, këto opinione kanë një vlerë të veçantë.
Vihet re një “luftë” e vazhdueshme brenda gjinisë femërore, në politikë, art e gazetari… Përse kjo “luftë” sipas jush?
Jo më e fortë se sa lufta mes burrave dhe klaneve të tyre. Rivaliteti është shprehje e natyrës njerëzore, qofshin gra ose burra. Burrat kanë 5000 vjet në pushtet, kanë sunduar me shekuj shoqërinë, kanë më shumë përvojë, më shumë instrumente për ta mbajtur këtë pushtet e këtë sundim, dinë edhe si të tërhiqen e si të krijojnë aleanca. Grave u duhet të mësojnë më tepër. Por kjo nuk do të thotë se ato janë “të këqija” dhe “xheloze” nga natyra, sepse kështu do të gabonim rëndë dhe përsëri do të çonim ujë në kanalin e atyre që e kundërshtojnë barazinë shoqërore, politike dhe të të drejtave të njeriut.
Po mes shkrimtareve femra, çfarë klime ekziston?
Mes shkrimtareve gra tek ne nuk ka pasur asnjëherë rivalitete, sharje, fyerje. Më gjeni një shembull ku të jenë grindur publikisht dy shkrimtare gra! Të paktën në Shqipëri, po as në botë nuk njihet ky fenomen. Ndërkohë, që të mos jem e padrejtë me askënd, do të shtoja se mes shkrimtarëve në përgjithësi, burra dhe gra, nuk ka ndonjë rivalitet të dukshëm. Mes shkrimtarëve gjithnjë ka një klimë shumë interesante vlerësimi për njeri- tjetrin, qoftë edhe të pashprehur, qoftë edhe të heshtur, qoftë edhe nga larg.
Shkrimtare, përkthyese, aktiviste e gazetare; cili është terreni më i sigurt, më i dashur për Dianën?
Gjithnjë ka qenë dhe mbetet letërsia.
Jeni shkrimtarja më e njohur shqiptare, sa ju ka përkëdhelur ky status në grupin e penave femërore?
Nuk e kam menduar kurrë në këtë mënyrë. Do t’ua korrigjoja pak pyetjen, e cila më tingëllon diskriminuese: përse në grupin e penave femërore? Nuk kemi të drejtë ne gratë shkrimtare të pyetemi se si ndihemi në mes të autorëve në përgjithësi? Ka letërsi të grave dhe të burrave apo vetëm letërsi? Unë e kam parë profesionin e shkrimtarit si nga më të vështirët dhe lexuesin shqiptar e mendoj tepër nazik dhe me shije të hollë. Të fitosh emrin e shkrimtares apo të shkrimtarit nuk është e lehtë, por më e vështirë është ta mbash. Është si një peshë e rëndë mbi shpinë, dhe sa më shumë kalon koha, aq më e rëndë të duket.