KreuStil Jetese

Roberto Bolle, krenaria e italianëve!

 

Historia e djaloshit nga provinca që u bë ‘l’etoile’, ylli i skenave botërore të baletit dhe imazhi i mashkullit seksi me të cilin krenohet Italia

‘Maestro! Një allegro vivace”. Nga mesi i sallës dëgjohet zëri urdhërues i një burri. Një grup prej 20 të vegjlish mbi skenë përpiqen të ruajnë distancën mes tyre duke mbajtur duart gjysmërreth. Në majë të gishtave, ata nisin ‘të fluturojnë’ një e nga një mbi skenë. …‘Stop’! Zëri i burrit nga errësira, çan si vetëtima sallën e teatrit ‘La Scala’. Ngjit shkallaren me një frymë. Hapat shkelën butësisht mbi linoleumin e zi, e për çast, nën ritmin e përplasjes së duarve u ngjit në ajër, u ul, ceku tokën butësisht dhe teksa u ngrit ngadalë, kofshët, më pas abdominalet dhe flokët gjysmë të lagur nga djersa të bëjnë të mendosh për një çast se po sheh Diskhedhësin e famshëm të Mironit. Ka pak që ka mbushur të 40-at, por Roberto Bolle ngjan 10 vjet më i ri, kjo falë disiplinës në balet, e cila i ka dhuruar një trup të përsosur, andaj ai mbetet mashkulli me seksi, balerini më i talentuar, krenaria e të gjithë italianeve.

Fillimi i vështirë

I larguar që herët nga familja, nuk e mohon se i janë dashur aq shumë sakrifica për të plotësuar atë që dikur e quante pasion, sa sot i duken të largëta, krahasuar me aureolën e admirimit e cila e shoqëron atë kudo. “Edhe pse isha i rraskapitur nga orët e gjata të provave, mendoja për ditën tjetër. Çdo natë ulesha fillikat në mensën e mbrëmjes, e më pas hyja vjedhurazi në shtëpinë e një gruaje të moshuar, e cila më kishte bujtur, për të mos e zgjuar. Isha ende një fëmijë. Eshtrat më kërcisnin si gjethe të thata teksa shtrihesha për të mësuar. Zgjohesha në mes të natës. Isha vetëm. Më mungonin prindërit dhe vëllezërit. Netëve qaja pa zë, e lotët rridhnin çurg. Betohesha se sapo të zgjohesha, do të bëja valixhen gati e do të kthehesha në shtëpi. Por mëngjesi vinte ndryshe. Çdo gjë niste aty ku e kisha lënë një natë më parë. Mezi prisja tringëllimën e ziles për të nisur nxemjen për provat e radhës në teatër”, – kujton ai, ato net 25 vjet më pas, duke u ngushëlluar me faktin që zgjedhja e tij sot, talenti dhe këmbëngulja nuk e ka zhgënjyer.

Katër vjeç, teksa ndiqte në ekran ‘Fantastikët’, arriti të mësonte përmendësh hapat. Kur mbushi 7, duke këqyrur mësimet e baletit të një shoqe, i kërkoi prindërve ta regjistronin në kurs. Nuk ishte e lehtë për një djalë të bëhej balerin. Sot, kërcimi klasik është kthyer në ‘modë’ edhe për meshkujt, ndërsa në atë epokë si ai numëroheshin me gishtat e një dore. Kujton se ka pasur edhe ditë të sikletshme alla Billy Elliot, por me kalimin e kohës ato u kthyen në rutinë, që nga veshja e pupetave e deri tek getat e mishta puthitur pas trupit. Por, ndodh që përshtypja e parë gënjen, pasi Roberto u zhgënjye qysh në fillim, sapo shkeli në klasën e dancit klasik. “Përshtypja e parë ishte negative. Kërcimi nuk më pëlqeu. Isha mësuar të lëvizja lirshëm, ashtu sipas mënyrës time, por aty kishte disa rregulla skematike që më bënë të forcoj trupin e zhdërvjellësoj lëvizjet, por edhe anën mentale”. Sot ai përfaqëson historinë e djaloshit të suksesshëm nga provinca, konsiderohet ‘l’etoile’, një titull i cili e klasifikon si yllin e skenave botërore të baletit, e gjithçka pas vetëm një takimi fatlum me mjeshtrin e baletit modern, Rudolf Nurejev…

Maestro Nurejev

Kur ishte ende fëmijë, pak para se Rudolf Nureyev të vuloste përfundimisht fatin e tij si balerin, Roberto Bolle e ndiente se diçka nuk shkonte me jetën e tij. Gjaku i tij pulsonte në vena me një shpejtësi marramendëse. Edhe pse shfaqej një natyrë e qetë, shpërthente papritur sapo dëgjonte tinguj muzike. Talenti i tij u bë i dukshëm, derisa u pranua në Akademinë e ‘La Scala’. Pikërisht këtu, kur ishte vetëm 15 vjeç, mjeshtri i baletit rus, Rudolf Nurejev do të magjepsej nga talenti dhe plastika e djaloshit italian. “Kur e pashë në skenë teksa bënte provat për ‘Arrëthyesin’, më ngjau si një kalorës mbi kalë”, – kujton ai që e bekoi startin e Roberto Bolle, i cili u bë shumë shpejt Balerin i Parë i ‘La Scala’. Ndoshta për shkak të fizikut të tij, balerini italian do të ‘joshte’ Nurejevin, i cili e ftoi atë për të luajtur në skenat me famë botërore. Më shumë se një shenjtërim artistik, takimi i Rudolf Nurejev ishte një nxitje e madhe besimi për 15-vjeçarin, pikërisht në një moment kur dëshira për të hequr dorë nga gjithçka dhe kthimi në familje ishte më e fortë. E nëse nuk do të kishte qenë ky takim, ndoshta nuk do të ishte bërë ai që është sot. “Rudolf, përveç të qenët një balerin i madh, ishte një koreografi i cili i dha një pikë kthese baletit dhe rëndësi rolit të meshkujve. Baleti nuk është më vetëm hiri dhe delikatesa, por lartësimi i fuqisë dhe pushtetit që vjen përmes roleve të meshkujve. Një dhuratë kjo e cila e bëri baletin modern të vlerësuar”. Ai, i përzgjedhuri i Nurejev, nga mosha 15 deri 19 vjeç u formua si balerin shumë shpejt falë teknikave brilante të maestros së tij, ndaj arriti që kur ishte 21 vjeç të bëhej Balerini i Parë i teatrit ‘La Scala’, ndërsa dy vjet më pas nisi një karrierë të admirueshme ndërkombëtare në skenat e Londrës e Berlinit, Vjenës e Tokios, Moskës dhe Shën Petërburgut, derisa në 2009 arriti të zinte vendin e balerinit kryesor në ‘American Ballet Theatre’ të New York. Roberto nuk e mohon se Nurejev ishte për të shkolla më e mirë, një disiplinë sa e adhuruar, por edhe kritikuar, duke u shprehur i bindur se përveç talentit, nuk arriti të pranonte kurrë disa rregulla të cilat ndiqte maestroja tij, i kritikuar shpesh për një anë të errët: pasioni deri në ‘çmenduri’, që e udhëhiqte dhe frymëzonte në punë. “Ana e errët që unë kam parë tek maestro Nurejev ishte një lloj çmendurie ekstreme për baletin. Unë besoj se cilësia e një artisti nuk është tek kaosi, por tek ndjeshmëria që përcjell tek publiku”. Edhe pse është konsideruar nga kritika si trashëgimtari i vetëm i Nurejev, balerini italian beson se nuk ka një koreograf si gjeniu i madh rus. “Madhështia e tij e bëri klasiken, moderne, diçka që sot i mungon baletit klasik. Rudolfi është miti i gjallë. Ai rrëzoi mure gjigante, në krahasim me të, mund të them se unë kam hapur vetëm një derë…”

Jashtë skenës

Baleti i ka ‘vjedhur’ çdo sekondë të 25 viteve të fundit, ndaj nuk harron të kujtojë atë shprehjen e famshme të notarit amerikan Phelps kur thoshte: ‘Dua të pushoj së notuari, dua një jetë normale’. E në fakt, si mund të jetë një jetë normale për një balerin si Roberto, i cili nuk e fsheh se ka vuajtur tej mase frustacionin e të pasurit pak kohë të lirë për t’u marrë me gjëra të tjera, që po ashtu i dashuron sa baleti. E di që koha e lirë është një fjalë që thuajse nuk ekziston në fjalorin e tij: Kinemaja dhe mbrëmjet me miqtë duket se janë disa ‘vese’ të të zakontëve, që për balerinin italian thuajse zënë shumë pak në jetën e tij. Me përjashtim të verës, moment kur i duhet të pushojë për disa ditë, pjesa tjetër e vitit i merr të paktën 3 orë në ditë ushtrime, dhe mbi 6 orë kur ka shfaqje, ndryshe do të ‘ndryshkej’. “Jashtë skenës, kur teatri nis e boshohet, fillon një pjesë tjetër e jetës time, të cilën nuk preferoj ta nxjerr në dritë. Është një pjesë e gjallë, e cila më mbush shpirtërisht, më dhuron energji njerëzore. Është ajo pjesë që zakonisht ndan një njeri, nga një artist”, – rrëfen Roberto Bolle. Ky është i vetmi rrëfim, një letër e hapur ku Roberto Bolle komenton për herë të parë e të fundit jetën e tij, duke thyer kështu heshtjen përballë ekuacionit seksist dhe homofob: ‘të jesh balerin, do të thotë të jesh gay’. Një polemikë kjo e cila, siç shprehet Bolle, nuk zgjidhet asesi me faktin nëse duhet të pranojë seksualitetin e tij, për shkak se ka vendosur që të flasë trupi i tij për të, prandaj duhet të gjykohet për atë që bën në skenë, e aspak të japë sqarime në lidhje me moralin. “Respekti për të tjerët, bujaria, thjeshtësia, shpirti i sakrificës, përkushtimi dhe puna, por mbi të gjitha përulësia janë cilësi që njerëzit duhet t’i njohin mes tyre. Njerëzit e mi janë shumë të rezervuar, në familjen time është pothuajse e vështirë për të festuar arritjet apo sukseset e mia, sepse unë nuk jam pranë tyre. Dhe pas kësaj, dashuria, është objekti që në i dhurojmë të tjerëve për t’i bërë apo na bërë të lumtur. Nuk ka vlerë ta dinë të tjerët sesa sa i lumtur jam, apo kush më bën të lumtur. Mjafton vetëm të them që jam i lumtur”, – përgjigjet balerini i Parë i Teatrit ‘La Scala’.

Piter Pani

Edhe pse sapo ka mbushur të 40-at, ai ngjan ende riosh. Pikërisht për shkak të natyrës, Roberto, di të bëjë shumë mirë edhe maestron para të rinjve apo atyre më të vegjëlve që ngjiten në skenë. “Shoh shumë të rinj të mbushur me talent dhe dëshirë për të kërcyer, por shoh edhe të tjerë që u duhet të dorëzohen herët, sepse është e pamundur të bësh balet. Shumë prej tyre ndjekin kurse me kursimet e gjyshërve të tyre. Ndihem shpesh në faj kur ndonjë prej tyre më thotë: ‘Gjyshi im do të bëhem si ti’”. Kjo e motivon më shumë për të punuar, e madje për të sakrifikuar, duke e ditur se kjo jetë që bën i dhuron kënaqësi, sepse fara që ka hedhur në një tokë të fortë e të zhuritur për talente, një ditë do të prodhojë filiza të mbarë që do të shfaqet në skena të cilat i ka shkelur më parë. Nuk e mohon se të qenët autokritik e bën atë të ketë një pamje fizike në harmoni dhe të bukur. “Sigurisht, një ditë do të ulem dhe do të pushoj. Më pëlqen shumë të udhëtoj. As që më shkon në mendje që pas disa vitesh të shikoj veten time të fryrë si patatinë para televizorit. Nëse vendos të jesh balerin, duhet të mbetesh i tillë deri në fund”, – jep një mesazh Roberto Bolle, për ata që adhurojnë sharmin e tij.

Roberto ka një natyrë të turpshme. Qysh në takimin e parë mund të shohësh se nëse nuk e pyet, rrotullon sytë si një fëmijë i kapur gafil para mësueses dhe që nuk di të përgjigjet për mësimin e ditës. Por, më pas zbulon se ai djaloshi bukurosh di të flasë shumë bukur, të artikulojë, po aq mirë sa edhe në skenë përmes lëvizjes dhe trupit të adhurueshëm. “Nuk e besoni, por kërcimi më ka përmirësuar edhe si person. E dini? Kam kërcyer gjithnjë më mirë në skenë sesa gjatë provave. Pikërisht gjatë momentit që ndodhem para njerëzve ndihem i lirë, ndërsa gjatë provave vishem me koracën e personazhit, nga i cili nuk e kam të lehtë të dal dot”. Nuk e mohon se i është dashur të ndjekë disa terapi të forta për të ‘mundur’ ndjesinë e turpit, atë të skuqjes njomëzake të mollëzave, pulitjes si kronometër të qerpikëve apo buzëve që shtrembërohen padashur sepse nuk dinë të lidhin një fjalë. E ka pasur të vështirë qoftë edhe të bënte një kritikë, të fliste hapur atë që mendonte, duke dyshuar se kjo formë mendimi shpesh konsiderohet një formë rebelimi. E pranon se këtë e ka trashëguar nga familja. Aty gjithnjë flitej më shumë në heshtje sesa me fjalë, një kod komunikimi paksa aristokrat, por që në epokën tonë thuajse nuk funksionon. “Afeksioni dhe sinqeriteti janë ndjesi të cilat duhen shprehur, ndryshe ato shuhen e vdesin bashkë me ty. Për disa njerëz është vështirë të thonë ‘të dua”, edhe pse e dinë se kjo fjalë është kaq e rëndësishme për ty. Dua të mësoj ta them më shpesh këtë fjalë”, – premton Roberto.

 

 

 

 

 

 

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF