Edhe pse në fillim të karrierës, nuk i ka thënë jo roleve të mëdha e të vogla, ka shfrytëzuar çdo mundësi, sepse të jesh aktor në Shqipëri, talenti nuk mjafton asnjëherë, ndaj për të gjithë duhet edhe një dozë fati…
Nga Olsi Kolami
I kujton ende zgjimet herët në mëngjes, kur duhej të merrte autobusin që nisej nga Durrësi për në Tiranë. Pas disa minutash kishte mbërritur në bulevardin e madh, ku nisnin të shfaqeshin kalimtarët e parë, që njësoj si ai nxitonin të kapnin punën. E ndalte frymën në Akademinë e Arteve, hynte brenda godinës ende të përgjumur dhe fillonte 60 minuta parapërgatitje, për të qenë gati në orën 8 kur fillonte dita e gjatë akademike. Kur minutat e një dite të gjatë ishin drejt aktit final, Ermir Jonka nxitonte hapin drejt një tjetër impenjimi. Nuk e mohon se ka punuar edhe në Call Center, para se të shfaqej në një program televiziv, ku edhe mori vëmendje nga media, duke studiuar e punuar.
Tani kur kthen kokën pas në vitet e studimeve, pranon se ka pasur fat. “Them fat sepse profesor Timo Flloko na ka ndihmuar për të qenë prezent në Akademi. Nuk mund t’i mohoj vendosmërinë dhe disiplinën që na ka ushqyer duke edukuar brezin tonë që të merremi me shkollën dhe jo me gjëra të tjera”- kujton Ermir Jonka. Nuk e mohon që shpesh ka pasur përplasje idesh me profesorin e tij, por nuk harron se punonin deri në orën 1 pas mesnatës duke e ngurtësuar atë dhe shokët e kursit të mos impenjoheshin me gjëra që nuk kishin lidhje me shkollimin, e si rrjedhim ata përfshiheshin në shfaqje njëra pas tjetrës. Kur thotë fat, përkufizimin e kësaj fjale e bën edhe përballë kolegëve, disa breza më të vjetër se ai, që pas shumë vitesh pas mbarimit të Akademisë, nuk kanë mundur të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar, ndryshe nga ai. Edhe pse role të vegjël, kjo sprovë ka qenë padyshim një hap i madh për Jonkën. E të mendosh që dhjetëra breza aktorësh janë gjithnjë në pritje të audicioneve, ai ka pasur fatin të kalojë disa prej tyre e të përzgjidhet në role teatri dhe kinemaje. “Audicionet janë të pakta. Në teatrin e Metropolit dhe Eksperimental bëhen audicione, por duhet të presësh ndonjë telefonatë, ndërsa në Teatrin Kombëtar, as që bëhet fjalë të të thërrasin për audicione”-thotë aktori i ri. Edhe për atë është shqetësues si për brezin e ri të aktorëve fakti që sot në skenë sheh aktorë mbi 40 vjeç të cilët marrin role të 25 vjeçarëve, ndërsa këta të fundit janë të detyruar të presin në radhë, nëse një ditë një rol do t’u besohet atyre. “Fakti që kam pasur një punë stabël më ka bërë të pranoj edhe role të vogla me pagesa jo shumë të mëdha. Sepse të gjithë dinë që ky profesion nuk ka pagesa të larta”– thotë Jonka.
Fati, ka qenë në anën e Ermirit duke iu besuar role në shfaqje të mëdha, siç ishte vitin e shkuar “Equus”. Por edhe këtë herë nuk ka qenë çdo gjë në dorën e producentëve dhe regjisorëve shqiptarë, ndaj ai, sepse si shumë aktorë të tjerë edhe Jonka u zgjodh nga Dino Mustafic për të luajtur krah emrave të mëdhenj të teatrit, si: Timo Flloko, Igli Zarka, Ema Andrea, Erjona Kakeli, Arben Derhemi, Luli Bitri apo Lulzim Zeqja.
Ermir Jonka ka qenë pjesë e shfaqjeve të mëdha si “Hamlet” apo “Familja Adams”, si dhe në 5 jo të këtij kalibri, por ama secila ka pasur emocionet e veta. “Kur kam qenë pjesë e shfaqjeve të mëdha kam parë mundësinë për të shfrytëzuar çdo moment, edhe pse vija nga role në shfaqje të mëdha, nuk i kam thënë “Jo” roleve më të vogla. Edhe pse mund të kenë qenë role në teatro më të vegjël, i kam parë si mundësi dhe nuk i kam refuzuar”-thekson aktori.
Edhe pse i ri, kur e pyet nëse e sheh veten në kinema apo teatër, me 4 eksperienca në film dhe 7 në skenë, mendon se deri tani vetëm në teatër e ka ndier brenda magjinë e atij rituali, ndërsa në film nuk ka ardhur ende ai moment. “Teatri është më intim dhe më lejon më shumë të shprehem. Në filmin e fundit me regji të Fatos Berishës, i cili është edhe i pari film me metrazh të gjatë, pasi të tjerët kanë qenë me metrazh të shkurtër, arrita të kaloj komplekset dhe frikën” – shprehet Jonka. Pranon se filmi dhe teatri janë dy procese të ndryshme, por duke i besuar mendimit të njerëzve që ua beson gjykimin, mendon se filmi është rruga e drejtë. Edhe pse nuk ka një karrierë të gjatë, pasi ajo sapo ka filluar, e mbyll me një emocion unik që ka përjetuar së fundmi. “Duke naviguar ne internet, zbulova se emri i tij ishte bërë pjesë e IMBD. Ishte një emocion i bukur”– përfundon Ermir Jonka.



















