A duhen përdorur gratë në vdekje klinike si nëna bartëse? Ky është koncepti jashtëzakonisht i diskutueshëm i paraqitur nga një filozofe, dhe që po ngjall debate në perëndim.
Lëvizja – të cilën vetë shkrimtarja norvegjeze e pranon se është “pa dyshim shqetësuese” – do të ndihmonte “prindërit e mundshëm që dëshirojnë të kenë fëmijë por nuk munden”, siç janë çiftet homoseksuale dhe ato jopjellore.
Por Dr Anna Smajdor, një profesoreshë e asociuar në filozofi në Universitetin e Oslos, gjithashtu pohoi se mund të ishte një opsion i zbatueshëm për gratë që ‘preferojnë të mos mbajnë vetë’ një fëmijë në bark. Gratë do të shmangnin rreziqet shëndetësore të shtatzënisë, të tilla si presioni i lartë i gjakut, së bashku me çdo traumë emocionale si rezultat i komplikimeve, dhe kjo trajton problemin e mungesës së zëvendësuesve, argumenton ajo.
Sipas teorisë së saj, gratë që kalojnë në “vdekje të trurit”, do të përdoreshin si zëvendësuese nëse do të kishin rënë dakord paraprakisht me një gjë të tillë. Kjo do të përfshinte edhe vendosjen e embrioneve në mitrën e këtyre grave deri në lindje. Vdekja e trurit është e përhershme, që do të thotë se personi i prekur nuk mund të rifitojë kurrë vetëdijen ose nuk do të fillojë të marrë frymë vetë. Ata janë konfirmuar ligjërisht si të vdekur. Një vdekje e tillë mund të shkaktohet nga një atak kardiak apo hemoragji cerebrale, ose lëndime të tjera që ndalojnë furnizimin me gjak ose oksigjen në tru. Një gjendje vegjetative – në të cilën është ende legjenda e Formula 1, Michael Schumacher – është ndryshe. Këta pacientë ende tregojnë disa shenja të vetëdijes dhe kanë një shans për t’u rikuperuar sepse pjesa qendrore e trurit të tyre ende funksionon.