Nuk kanë fund lajmet tragjike nga Turqia, ku prej tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit mësohet të ketë humbur jetën edhe aktori i serialit të famshëm “Kurulus Osman”, Cagdas Cankaya dhe gruaja e tij, muzikantja Zilan Tigris.
Vdekjen e aktorit dhe bashkëshortes e konfirmoi produksioni i serialit, përmes një postimi në Instagram.
“Jemi të pikëlluar nga vdekja e Cagdas Cankaya, aktorin e çmuar të serialit tonë, si dhe gruas së tij, muzikantes Zilan Tigris. Zoti i mëshiroftë të gjithë qytetarët që humbën jetën në tërmet. Shprehim ngushëllime për të afërmit e tyre. U prehshin në paqe”, thuhet në postim.
Dy tërmete shkatërruese goditën të hënën pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Tërmeti kryesor u pasua nga dhjetëra pasgoditje. Sipas informacioneve të fundit, më shumë se 36,000 njerëz kanë vdekur dhe shifra vazhdon të rritet.