KreuCelebrity

Ekskluzive/ Arta Shurbi: Një rrëfim pa uniformë si bashkëshorte, nënë e grua…

Ekskluzive/ Arta Shurbi: Një rrëfim pa uniformë si

Nga Nada Biraçi

Ajo është një figurë ikonike në qarkullimin rrugor në kryeqytet, e njohur si policja hermetike, autoritare, me flokët bionde nën kapelë, ndaj së cilës dorëzohet bindshëm kushdo që thyen ligjin. Arta Shurbi, lufton çdo ditë dualizmin mes brishtësisë dhe ndjeshmërisë së një gruaje dhe gjakftohtësisë së një efektiveje profesioniste. Zonja Shurbi ndodhet prej muajsh në shtëpi nën kujdesin mjekësor, për shkak të një aksidenti që pësoi gjatë shërbimit dhe siç do të shprehet ajo për “Bordo”, gjendja shëndetësore është ende larg të qenit normale. Në fakt qemë në dilemë nëse duhet ta kontaktonim apo jo, për shkak të gjendjes së saj, por vetëm pasi folëm me të në telefon, kuptuam sesa të nevojshme e kishte Arta e qarkullimit të ishte pranë qytetarëve të saj, qoftë edhe pa uniformën blu veshur. Mirditorja Shurbi vjen si rrallëherë në një rrëfim për “Bordo”, ku shfaq çiltërsisht të gjitha dimensionet e saj, si efektive në krye të detyrës, si bashkëshorte, nënë e grua…

Pak muaj më parë, ju pësuat një aksident gjatë punës në terren. Si është tani gjendja juaj shëndetësore?

Po, e vërtetë. Në fillim të gushtit, gjatë ditës sime të punës në shërbim të qytetarëve, pësova një aksident jo të vogël, nga një automjet i drejtuar nga një person që nuk zbatoi rregullat e qarkullimit. Gjendja ime sot është akoma larg të qenit normale. Pas një konsulte të bërë këto ditë me mjekët që më ndjekin, duhet të kryej dy ndërhyrje delikate në gju.

Ekskluzive/ Arta Shurbi: Një rrëfim pa uniformë si

Zonja Arta, ju jeni një figurë ikonike në qarkullimin rrugor, e njohur si policja hermetike, autoritare me flokët bionde nën kapele…Qarkullimi rrugor identifikohet me figurën tuaj….

Të falënderoj për termin "ikonike", por mendoj se është shumë për mua. Jam përpjekur që ditën e parë që vesha uniformën, të jem në shërbim të qytetarëve, të zgjidh momentet e vështira të rrugëtimit të tyre të përditshëm. Kam marrë falënderime e shumë urime, kam njohur njerëz që më vonë i kam bërë miq, etj... Sigurisht, ndihem dhe shumë krenare.

Si është të punosh në një sektor që mbizotërohet nga burra. A ka qenë e vështirë për ju përshtatja?

E vështirë nuk mund të them përsa i takon raportit me kolegët, të cilët më kanë respektuar që në fillim. Vështirësitë më tepër lidheshin me punën në rrugë, me kushtet atmosferike, me personat që hasja në momentet kur bëja kontrollet e dokumenteve, ose dhe kur konstatoja shkelje e vendosja gjobat. Sigurisht, u desh pak kohë të kryeja një përshtatje me të gjithë këta elementë dhe që në fund të ditës, të shkoja pranë familjes sime dhe të mos përcillja te to ngarkesat e punës.

Ndonëse së fundmi realiteti po ndryshon, në fillimet tuaja mentaliteti shqiptar nuk ishte mësuar me një figurë gruaje në policinë rrugore. Sa jeni përballur ju me paragjykime të tilla?

Sigurisht, kam hasur dhe paragjykime nga më të ndryshmet. Por, karakteri im që është farkëtuar nga vendi i origjinës, Mirëdita, më ndihmoi t’i shoh në sy ata paragjykuesit e t'ia tregoj me punë, se të qenit grua nuk më pengon aspak të kryej detyra të vështira e me përgjegjësi të lartë.

Ju përballeni çdo ditë me drejtues mjetesh të kategorive të ndryshme, deri edhe të dehur apo përdorues lëndësh narkotike…A keni frikë?

Hasem çdo ditë me njerëz të çdolloj kategorie. E di që çdo njëri prej tyre ka probleme, halle, gjendje jo të mira shpirtërore, ndoshta dhe gëzime të mëdha... besomëni i marr të gjitha parasysh, kur vendos të ngre atë tabelën "Stop". Frikë? Nuk mund të them.., por e shqetësuar jam ndjerë jo pak herë.

Në shumë vite në terren duke mbikëqyrur trafikun dhe lëvizjen e automjeteve, fatkeqësisht duhet t’ju ketë ndodhur të jeni dëshmitare e ndonjë aksidenti me pasojë vdekjen. A e mposht brishtësia e brendshme dhe ndjeshmëria e një gruaje hermetizmin e profesionit tuaj? Si e përballoni ju këtë dualizëm?

Po është e vërtetë, që për fat të kaq, kam qenë dëshmitare në aksidente fatale dhe për hir të së vërtetës, më duhet të them që Zoti ka qenë me mua e më ka dhënë një forcë të madhe për të menaxhuar situatën. Disa pamje i kam akoma parasysh, duart e mia dhe uniforma e përgjakur.... Mes ndjeshmërisë e hermetizmit zgjodha këtë të dytën, për ta përfunduar detyrën me forcë dhe gjakftohtësi në atë fushëbetejë tragjike. Por së brendshmi, ka qenë e pashmangshme të mos thyhesha…

A keni qarë ndonjëherë përballë rasteve të tilla?

Patjetër që po... dhe shumë madje. Tronditja e akumuluar shpërthen dhe shpirti im, si vajzë, nënë dhe grua, bën që të shpërthejnë lotët e dhimbjes për humbjen e jetëve të pafajshme, të cilat, në shumicën e rasteve, vijnë nga pakujdesia.

Cila është ngjarja më e trishtë me të cilën jeni hasur gjatë karrierës suaj, si efektive policie në terren?

Këtë do t’ua them shkurtimisht, edhe pse panorama e atij mëngjesi është ngulitur thellë në memorien time…Ka qenë një mëngjes i trishtë, kur një motor me dy djem të rinj përplaset në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës dhe pësojnë aksident fatal. Kur mbërritëm aty shoh një djalë me kaçurrela, shumë i bukur, fare i ri, që e njihja që të vogël, pasi ishte banor në Rrugën e Elbasanit, kishte humbur tragjikisht jetën….S’mund ta harroj asnjëherë…

Ekskluzive/ Arta Shurbi: Një rrëfim pa uniformë si

 

Jemi në prag festash dhe në profesionin tuaj, shpesh ju duhet të mungoni në tryezën e familjes, në data të shënuara. Ka qenë e vështirë për ju dhe familjen tuaj për t’u përshtatur me këtë fakt?

Në familjen tonë, pasi dhe bashkëshorti im është oficer policie, nata e festave është punë dhe vetëm punë. Në fillim, familjarët e kishin të vështirë të përshtateshin me këtë. Por me kalimin e kohës u mësuan e bashkë me ta edhe ne... Festat tona janë një ditë më pas, ose 2 ditë. Bëjmë shaka e themi që Vitin e Ri nuk e festojmë më 31 dhjetor, por festojmë vitin e ri kinez.

Ju ka ndodhur ndonjëherë të pendoheni për profesionin që keni zgjedhur?

Për hir të së vërtetës duhet të them “Po”. Jam zhgënjyer, mërzitur, befasuar... Unë punën time e kam bërë për veten, familjen e dinjitetin tim, por kur nuk të falënderojnë për sukseset e arritura, ndjehesh si më lart radhita. Megjithatë, këto janë sporadike në karrierën time.

Dimë që lexoni shumë. Cili është ai libër që ju ka shënjuar në jetën tuaj?

Po, kam lexuar e vazhdoj të lexoj. Nuk mund të them që kam një libër që më ka shënjuar jetën time, janë disa dhe lidhen me Kadarenë, Markesin, Hygoin, që më ka lënë mbresë që në fëmijëri, e me radhë.

Cilat janë pikat e dobëta të Artës para së cilave dorëzohet? Për çfarë loton Arta?

Djali im i vetëm, i cili është një fotokopje imja për sa i takon shumë tipareve të karakterit, që nga dashuria për njerëzit e punën, e deri te sakrifica për to. Kam edhe një pikë pa kthim, që është kujtimi i nënës sime të ndjerë para të cilës gjunjëzohem e lotoj pa fund.

Pasi mbyllni turnin, zhvishni uniformën blu dhe merrni rolin e nënës dhe bashkëshortes, si vijon dita juaj?

Pasi heq uniformën blu, atë pak kohë që më mbetet, ia kushtoj familjes sime të vogël e të madhe. Për ta jam gjithmonë, çfarëdo që të ndodhë e sido që të jetë dita ime e punës. Babai im jeton larg nga unë dhe për mua, ai dhe shëndeti i tij janë një preokupim i vazhdueshëm.

Çfarë raporti keni krijuar me djalin tuaj? Jeni nëna shoqe, ajo autoritare dhe strikte apo….? 

Me djalin në kohë e momente të ndryshme, kam qenë një miks. Herë shoqe, herë kam qenë motra e munguar, herë vëllai. Kur ka qenë në udhëkryqe të jetës e më ka kërkuar mendim kam qenë "Nënë", dhe e rreptë madje.

Po me bashkëshortin? A jeni ju romantike, bëni dhurata surpriza, apo më shumë ju pëlqen të merrni?

Bashkëshorti im është në radhë të parë, shoku im më i ngushtë. U bënë shumë vite tashmë dhe kuptohemi pa folur. Ai, siç e thashë edhe më lart, është oficer policie dhe ka shërbyer në disa rrethe të vendit. Duke qenë në këto kushte, takimet tona janë gjithmonë emocion më vete dhe na duket si herën e parë, e mundohemi që kohën bashkë ta kalojmë duke marrë e dhënë dashuri e respekt. Vdes të bëj surpriza dhe lumturohem kur shikoj gëzimin në sytë e miqve e mikeshave.

Ju pëlqen gatimi? Cila është receta që për Artën është ‘Kali i Trojës’?

Gatimin e kam pasion, të cilin së bashku me shumë receta e kam të trashëguar nga nëna ime. Familjarët e miqtë e mi pëlqejnë pa masë të gatuar nga unë byrekun me qumësht, qoftet, tavën e peshkut... po ‘Kali i Trojës’ që thoni ju.. janë petullat pa maja që më ka mësuar mami.

Si e kaloni kohën e lirë? Cilat janë pasionet tuaja jashtë impenjimeve të punës dhe familjes?

Koha e lirë për mua është shumë e kufizuar, edhe prej impenjimeve familjare që ju përmenda më lart. Kur e gjej atë kohë, më pëlqen të shëtis në buzë të detit e të dëgjoj zhurmën dallgëve.

Cili është stili juaj i veshjes në përditshmëri?

Stili im i përditshmërisë, jashtë uniformës, është sport e vetëm sport. Tuta, atlete, t-shirt. Ndërsa në evenimente të rëndësishme apo edhe gëzime familjare, shumë shpesh ja besoj dukjen time stilistes Enada At’Nikolla. Ajo ka ditur ta ndërthuri shumë bukur, personalitetin tim brenda një fustani…

Ju pëlqen të bëni shopping? Për çfarë shpenzoni më shumë?

Më pëlqen të bëj shopping, shumë madje. Bëj në çdo kohë e çdo vend.

Mund të jepni një mesazh për të gjithë drejtuesit e mjeteve?

Kujdesuni për jetën tuaj qytetarë, se vjen vetëm njëherë. Kur uleni në timon, mendoni se jeni bij, baballarë, motra e vëllezër. Mendoni që dikush ju pret në shtëpi e ka nevojë për ju! Uroj që festat e fundvitit t'ju gjejnë me shëndet të mirë, e paçi veç gëzime në shtëpitë tuaja.

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF