KreuCelebrity

Ekskluzive/ Jordan Daci vjen me një rrëfim krejt ndryshe nga sa e keni parë!

Ekskluzive/  Jordan Daci vjen me një rrëfim krejt ndryshe nga sa e

Jemi mësuar ta shohim në studio televizive apo rrëfime profesionale, sa i përket avokatisë dhe ligjit, por në spektrin e një burri me shumë shije në veshje, avokati i njohur Jordan Daci nuk ishte rrëfyer ndonjëherë. Ndaj për ne ishte kënaqësi e veçantë, që Daci tregoi për “Bordo” një tjetër qasje, që nuk e kishte shfaqur më parë...

Zoti Daci, nga avokatia, ku duhet te keni përpara një mori argumentesh, te pedagogjia, përballë studentëve që aspirojnë një të ardhme në fushën juridike, çfarë sfidash por dhe çfarë kënaqësish merrni?

Sfidat janë të shumta dhe janë gjithnjë në rritje, kjo pasi edhe kërkimi ndaj vetes dhe ndaj gjërave në tërësi, vijnë gjithmonë duke u rritur. Ky është rregulli i vetëm për sukses dhe përshtatet edhe me natyrën e qenies njerëzore. Ndër sfidat kryesore që mund të veçoja, është synimi për të tejkaluar vetveten dhe pjesën tjetër në çdo gjë që mendon, bën dhe synon. Avokatia ka sfidën e të qenit gjithmonë disa apo shumë hapa para të tjerëve, të mos bësh kompromis me asgjë në raport me etikën, profesionalizmin dhe për të fituar me çdo kusht. Normalisht, në një vend si Shqipëria kjo sfidë bëhet edhe më e vështirë, duke patur parasysh që sistemi nuk funksionon siç do duhej dhe nuk udhëhiqet nga parimet dhe qëllimet demokratike, sikurse ndodh në vendet e zhvilluara perëndimore. Sëmundjet si mungesa e meritokracisë, mungesa e profesionalizmit, korrupsionit etj., e bëjnë të vështirë punën e një avokati. Ndërsa nga pikëpamja filozofike, sfida e një avokati është të gjej ekuilibrin e duhur midis bindjes së tij profesionale dhe asaj çfarë pret dhe vlerëson me rëndësi gjykata, e cila është ajo që jep drejtësinë. Pra nuk ka rëndësi çfarë mendon dhe vlerëson një avokat si të rëndësishme, por vetëm çfarë mendon dhe vlerëson gjykata si të rëndësishme. Të kuptosh dhe të zbatosh këtë është një sfidë intelektuale dhe njerëzore e gjithanshme, por edhe parakusht për sukses.

Ndërkohë, në fushën e pedagogjisë, tani në vitin e 20-të akademik të angazhimit tim si Dekan dhe Profesor i disa lëndëve dhe me përvoja mësimdhënie edhe jashtë Shqipërisë, sfida kryesore është të ruash dinjitetin dhe etikën në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor, të jesh i aftë t’ju mësosh studentëve si të mësojnë, si dhe të vendosësh standardet e munguara në fushat e studimit dhe kërkimit. Normalisht për vende si Shqipëria, kërkimi shkencor dhe publikimet janë sfida, pasi janë aktivitete jofitimprurëse dhe që kërkojnë shumë angazhim. Kështu që çdo kërkues shkencor në vendin tonë, përtej dallimeve, bën sakrifica të mëdha për të realizuar punimet dhe kërkimet që ato publikojnë.

Sa u përket kënaqësive, sigurisht ndjesia më e pastër njerëzore dhe profesionale është kur fiton një çështje sidomos para Gjykatës Kushtetuese apo gjykatave ndërkombëtare, por ndjesinë më të veçantë ta lënë rastet kur falë punës, një apo disa njerëz fitojnë lirinë. Më besoni, një avokat e përjeton shumë afër me masën, që e përjeton personi vetë. Ndërkohë, kënaqësia e mësimdhënies dhe kërkimit, është e shumëfishtë dhe të bën të ndjehesh i dobishëm për shoqërinë në përgjithësi, por edhe titulli akademik Profesor, është vërtet përçues i një emocioni të veçantë dhe përgjegjësi e madhe profesionale dhe shoqërore. Në gjithë këtë histori, gjëja që kuptohet në një moment të jetës, është se sa më shumë të dish, aq më pak di. Duke nënkuptuar që dija është e pafund dhe njeriu është një nxënës i përjetshëm.

Ekskluzive/  Jordan Daci vjen me një rrëfim krejt ndryshe nga sa e

Çfarë raporti krijoni ju me një klient?

Sa më shumë kohë kalon aq më e lehtë është menaxhimi i këtij raporti delikat. Sigurisht, në fillimet e çdo avokati, ky i fundit është emocional dhe përjeton sfida shpeshherë të rënda në raport me klientët, por me rritjen e tij në përvojë dhe profesionalizëm, ky kthehet një proces krejtësisht i menaxhueshëm. Çelësi për një sukses dhe raporte të mira njerëzore dhe profesionale është korrektesa, saktësia, përkushtimi, besnikëria dhe krijimi i raporteve të sakta, të detajuara dhe shteruese kontraktore. Momentet e para duhet të jenë tepër profesionale, të ftohta dhe transparente. Të vepruarit sipas ligjit dhe rregullave etike janë parakusht për një marrëdhënie të shëndetshme. Shumicën e ish-klientëve i kam miq, por që sigurisht secili prej tyre ka një miqësi të caktuar me mua dhe secili merr vëmendjen dhe besimin që krijohet vetvetiu në kohë. Klienti mund të bëhet mik, vetëm pasi gjithçka që ka patur marrëdhënia avokat-klient, të ketë përfunduar me sukses. Në rast të kundërt, marrëdhënia mbaron me mbarimin e kontratës së shërbimit. Gjithsesi, detyrimi për të qenë njeri, i njerëzishëm etj., janë detyrime të përjetshme ndaj çdo personi. Parimi bazë i punës sime është të qenit besnik deri në fund ndaj interesave të klientit, etikë dhe ligjshmëri, si dhe kujdes te çdo detaj pasi asgjë nuk duhet t’i mbetet rastësisë.

Po me studentët?

Me studentët është një marrëdhënie dinamike, e cila pëson ndryshime përgjatë viteve. Nga fillimet që zakonisht janë tepër formale dhe deri diku strikte, te një format i cili ndërton raporte të pastra, tolerance e mirëkuptimi. Për mua në çdo fushë, kërkesa numër një për një marrëdhënie të shëndetshme është të qenit dhe të sjellurit si njeri, pra me humanizëm të theksuar. Normalisht, jam tepër kërkues dhe shumë herë nuk arrij të marr mbrapsht atë që jap dhe pres nga studentet, dhe ky tashmë është një trend shumë negativ në sistemin e arsimit të lartë shqip, ku interesi për të mësuar dhe patur sukses ka rënë në ekstrem.

Cila është këshilla më e shpeshtë që i jepni një klienti, dhe cila është këshilla që i jepni studentëve tuaj që aspirojnë të bëhen avokatë?

Këshilla më e shpeshtë për një klient është mos nënshkruaj dhe mos thuaj asgjë pa u konsultuar me mua, dhe nëse nuk do me mua me dikë tjetër, pasi sadopak i përgatitur të jetë ai apo ajo, përsëri do të jetë më i aftë se ju. Gjithmonë, kushton më shumë zgjidhja sesa parandalimi i një mosmarrëveshje ose procedimi penal. Studentëve u them gjithmonë: “Juristë ka shumë, por juristë të mirë ka pak, fare pak dhe ky është lajm i mirë për ju. Nëse doni të keni sukses, duhet të synoni dhe punoni për të qenë gjithmonë mbi mesataren e kolegëve”.

Në gjithë karrierën tuaj, cilën do të konsideronit çështjen më delikate që keni ndjekur?

Kam patur një numër shumë të madh dhe të gjerë çështjesh, dhe thuajse të çdo lloji të mundshëm, por çështja e cila më ka lënë shije të keqe dhe që më ka bërë të mendoj marrjen përsëri të një çështje të tillë, ka qenë përgatitja e mbrojtjes për një baba dhe djalin e tij që akuzoheshin bashkërisht, për trafik dhe shfrytëzim të qenieve njerëzore për qëllime prostitucioni. Duke lexuar dhe njohur materialet, kuptova që këto dy persona kishin zero ndjesi ndaj qenies njerëzore dhe gjakftohtësia e tyre në kryerjen e veprimeve mostruoze, të krijonte një ndjesi neveritëse. Nuk besoj që do të marr më ndonjëherë në mbrojtje këtë lloj kategorie, ndonëse me rregulla të etikës një avokat nuk mund të refuzojë ofrimin e mbrojtjes ndaj askujt, por e thënë me fjalë të tjera, do të bëja çmos të mos e merrja. Kjo pasi çdo njeri pavarësisht çfarë ka bërë meriton një proces të rregullt, i cili bëhet midis të tjerash, vetëm duke patur mbrojtjen e një avokati. Ndërkohë, aktualisht kam disa çështje ndërkombëtare të cilat janë tepër delikate dhe kërkojnë një punë e saktësi të jashtëzakonshme, por kam besim që do të jenë një sukses i plotë.

Shpesh Hollywood, figurën e avokatit e ka sjellë në qasjen e një njeriu që vishet bukur,  shpesh guxon në ngjyra, stil, prerje…Apo kjo ndodh vetëm në filma?...

Të qenit avokat, sigurisht të jep mundësinë të njohësh shumë më tepër gjëra sesa shumica e shoqërisë. Të jep mundësinë të jesh pararojë e rezistencës ndaj padrejtësive, por edhe të krijon mundësinë të kesh kohë të merresh edhe me veten. Sigurisht, unë preferoj modelin klasik të avokatit dhe nuk preferoj të ndjek modele të krijuara nga asgjëja, apo modele ku i kushtohet rëndësi më shumë formës sesa përmbajtjes. Për mua, vetëm cilësisë nuk i ikën asnjëherë “moda”. Prandaj mundohem që të kem cilësi në çdo gjë që bëj, duke përfshirë veshjen. Cilësi nuk do të thotë marka të njohura, por mbi të gjitha të zgjedhësh gjënë e duhur me cilësinë e duhur për veten. Sigurisht, kjo nuk ndodh vetëm në filma, por është një realitet që zhvillohet edhe në Shqipëri, sigurisht në përmasa më modeste sesa nivelet e Hollywood, dhe jo pak herë edhe në modele të deformuara tërësisht dhe pa asnjë shije mbresëlënëse.

Kur keni një seancë gjyqësore të rëndësishme, a kalon në kokën e një avokati mendimi ‘çfarë do vesh sot?’?

Jo, sepse e kam tepër të qartë këtë gjë. Gjithmonë veshja e duhur për një seancë, është një kostum dhe sigurisht edhe ngjyrat e përshtatshme janë kryesisht ato jo shumë të ndezura për seancat, por për aktivitetet e tjera mund të provohet edhe ndonjë veshje me ngjyra të ndezura, por gjithmonë serioze dhe së fundmi me rritjen e intensitetit kërkohet edhe qenia e rehatshme. Normalisht, unë jam rritur duke parë babain i cili përdorte gjithmonë kravata, sikurse kishte bërë gjyshi dhe xhaxhai ndërkohë që nuk ishin të zakonshme në Shqipëri. Normalisht, ky ka qenë modeli që kam pëlqyer, kështu që kravata ka qenë pjesë e pandashme e imja që në fillimet e karrierës sime dhe është diçka që më pëlqen ta përdor, dhe nuk lidhet me qenien si aksesor i domosdoshëm. Të njëjtën gjë, mund të them edhe për kostumin apo për veshjet e mia të zakonshme. Tek unë kërkesat e profesionit kanë gjetur pajtim thuajse të plotë, edhe me shijet e mia. Kësisoj, e kam të lehtë të jem vetvetja.

A e ka një avokat, dekan, pedagog, lirinë për të shfaqur shijen personale në veshje?

Jo, nuk mendoj që e ka. Kjo pasi je i detyruar, të respektosh kërkesat e detyrës dhe pozitën që ke në shoqëri. Këtë liri mund ta shfaqësh vetëm në sferën e jetës private ose gjatë kohës së lirë, por jo kur jam në ushtrim të këtyre detyrave. Gjithsesi, mendoj se jam shumë më i lirë sesa shumica e njerëzve që më rrethojnë, dhe kjo liri me jep mundësinë që herë pas here bëj atë që dua, pa u shqetësuar për paragjykime, pasi ndihem shumë rehat me atë që jam, atë që bëj dhe atë që dua.

Pas stilit tradicional që jua dikton profesioni juaj, po jashtë sallave gjyqësore, në përditshmërinë tuaj, çfarë stili veshjeje preferon Jordan Daci?

Zakonisht, përdor një stil gjysmë zyrtar, por herë pas here më pëlqen edhe një stil tërësisht sportiv. Apo veshje të posaçme për disa sporte apo aktivitete të ndryshme, që preferoj sikurse ka qenë gjuetia (pasi prej vitesh është ndaluar), apo është ngjitja në mal, shëtitjet në natyrë, udhëtimet e shpeshta etj..

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF