KreuStil Jetese

Drejtuesja e “Coca-Cola” në Shqipëri, letër presidentit për pijet energjike

Në muajin shtator një grup deputetësh të parlamentit shqiptar krijuan një projektligj që propozonte ndalimin e tregtimit dhe ofrimin e pijeve energjike dhe ato me gaz që përmbajnë sheqer të shtuar për personat nën 18 vjeç, jo vetëm në ambientet e shkollës, por edhe në dyqane, bare apo restorante. Katërmbëdhjetë nenet e projektligjit që do jenë pjesë e ligjit “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit” synojnë kufizime si në përdorim, tregtim apo reklamim të pijeve të tilla për të miturve, duke e shoqëruar me gjoba edhe për të rriturit.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe drejtuesja e kompanisë së njohur Coca-Cola Bottling Shqipëria e cila i ka dërguar një letër konfidenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ambasadorit italian në Shqipëri,-Alberto Cutillo; Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ambasadorit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri-Luigi Soreca si dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë-Arben Ahmetaj.

Në letrën drejtuar institucioneve më sipër, Cristina Busi Ferruzzi shkruan se qëllimi i letrës është mosrënia dakort dhe shqetësimi për sa i përket projektligjit në fjalë. Bordo.al ka mundur të sigurojë letrën në fjalë ku ndër të tjera shkruhet: “Coca-Cola Bottling Shqipëria Sh.p.k është një realitet i konsoliduar në Shqipëri, ku jemi të pranishëm si kompania e parë e huaj që investon në këtë vend me një numër prej 335 punonjësish dhe me aktivitete që punësojnë mbi 1000 punonjës. Në 24 vitet e fundit ne kemi investuar 42 milionë euro dhe 15 milionë euro janë parashikuar deri më 2023, duke konfirmuar kështu mbështetjen tonë për vendin”– shkruan znj.Ferruzzi.

Duke iu referuar angazhimit dhe ndikimin që kompania ka në ekonominë shqiptare, ajo shprehet e shqetësuar për projektligjin në fjalë që sipas saj grumbullon në një, pa asnjë bazë shkencore, pijet jo-alkolike dhe ato me bazë alkoli, duke parashikuar masa të rrepta për reklamimin ndaj fëmijëve.

Po referuar letrës, drejtuesja menaxheriale shprehet se kompania e njohur Coca-Cola gjithmonë ka qenë dhe është e përmbajtur dhe e moderuara lidhur me reklamimin e produkteve të saj dhe ka rregulla strikte sa i përket marketimit të produkteve të tyre në gjithë botën, qoftë në media apo në forma të tjera, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët.

Për të gjithë agjensitë, dhe partnerët në botë ndiqen disa politika të caktuara kur merren fushata marketingu dhe promovimi, disa prej të cilave janë si më poshtë:

-Asnjë fëmijë nën moshën 12-vjeçare nuk është shfaqur në fushatat reklamuese të kompanisë. Edhe kur kjo ka ndodhur , ata kanë qenë gjithonë të shoqëruar nga prindërit.

– Ne nuk i shesim produktet tona në shkollat fillore, veç në rastet kur prindërit dhe drejtuesit e institucioneve e kërkojnë këtë.

– Ne nuk përdorim imazhe që përpiqen të jenë tërheqëse për fëmijët nën 12 vjeç, etj

“Në kuadër të Bashkimit Europian, së bashku me UNESDA (shoqata që grupon prodhuesit e pijeve të buta), ne kemi kontribuar në përcaktimin e një kornize të angazhimeve të përbashkëta që përmes EU Pledge- ne kemi marrë përsipër së bashku me Komisionin Europian dhe palët e tjera që të jemi në dobi të pasurisë sonë më të çmuar: konsumatorët tanë.”-vijon letra.

Në mbyllje të letrës së saj ajo shpreson se Ilir Meta në cilësinë e kreut të shtetit nuk do ta kalojë projektligjin e deputetëve dhe se do të mund të zhvillohet një tavolinë e përbashkët ku të përfshihen institucionet, përfaqësues të industrisë dhe të këtij sektori në mënyrë që të krijohet një kuadër i përbashkët rregullator duke u dëgjuar edhe zëri i tyre e duke pasur në thelb sigurisht konsumatorin.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF