KreuBordo Men

Nga rikthimi i Mira Konçit tek kënga e re më Shpat Kasapin, Gent Myftaraj i zbulon të gjitha

Nga rikthimi i Mira Konçit tek kënga e re më Shpat Kasapin,

Në muzikë ka artistë që duan të flasin më shumë përmes notave, emocioneve dhe këngëve të tyre të cilat mbeten gjatë në kujtesën e publikut. Producenti dhe kompozitori Gent Myftaraj është një prej atyre që nuk zgjedh shumë të flasë për veten, por krijimet e tij që prej vitesh kanë lënë gjurmë në skenën muzikore shqiptare, janë një dëshmi e gjallë e suksesit. Qysh kur ishte pesë vjeç, muzika ‘goditi’ shpirtin e tij artistik, e më pas bashkë me grupin e rokut “ARB” ku do të spikaste në muzikë, derisa vendosi të zgjidhte një tjetër profil, atë të producentit dhe kompozitorit, larg dritave të skenës. Në këtë intervistë për “Bordo”, ai zbulon projektet e fundit muzikore, një album që do të transformojë muzikën qytetare elbasanase në zhanrin Ethnic Jazz Fusion dhe bashkëpunimet që rikthejnë emra ikonë. Në një rrëfim të sinqertë, Genti flet për emocionet pas çdo kënge, raportin me artistët, si dhe ndjesinë për humbjen e artistit Shpat Kasapi.

Gent, si do të doje të drejtoheshin si kompozitor apo producent?

Do të zgjidhja rolin e producentit sepse është më gjithëpërfshirës, por edhe kompozitor, duke qenë se shumë krijime të mijat janë të lidhura ngushtë me pjesën time krijuese të muzikës.

A të vjen keq që artistët që interpretojnë këngët tuaja njihen më shumë sesa kompozitori?

Kënga është si puna e fëmijës që ti e rrit, të merr kohën tënde, të jep emocione pafund dhe në fund fare, ne jemi ata heronjtë e heshtur. Keq të vjen, por nuk është se i jap rëndësi kësaj pjese, pasi është si një prind që çon fëmijën në shkollë dhe ka dëshirë që të marrë sa më shumë dije dhe kënga të marrë atë që i takon.

Kënga juaj “100 pyetjet” fitoi çmimin “Çmimi i Medias në Netët e Klipit”, si e pritët?

Ishte një surprizë e bukur sepse e kam bërë para shumë vitesh, e kënduar nga Eranda Libohova, me tekst të Pandi Laços. Është një këngë e vlerësuar me dy çmime në Festivalin e RTSH-së dhe më vjen mirë që i bashkohen çmime të tjera.

Riktheheni pas shumë vitesh me Mira Konçin në dy duete, si ishte ky ritakim pas kaq shumë kohe?

Me Mirën njihemi që në '95-ën në Festivalin e RTSH-së dhe ky ishte një ritakim shumë profesional. Është një artiste që e rrethon klasi dhe finesa në skenë, një artiste që i ka munguar skenës dhe më vjen shumë mirë që u rikthye. Mira bëri dy produksione me mua: një këngë me Redon Makashin dhe një tjetër me Genën. Të dyja këngët u pëlqyen jashtë mase dhe kur shoh që njerëzit e mirëpresin pas kaq vitesh dhe i japin dashuri, kjo është diçka shumë e bukur.

Të kthehemi pak pas në kohë, i ruani ende raportet me djemtë e grupit “ARB”?

Me grupin “ARB” ruajmë ende raporte shumë të mira, si me Redonin, Genin dhe me Altinin. Herë pas here ritakohemi dhe kemi pasur plane, por ndonjëherë koha është kundra disa gjërave, në sensin që ti ke shumë dëshirë për të bërë një koncert apo album, por rrjedha e jetës të merr ndryshe.

Po punoni për një projekt me këngë të muzikës popullore në versionin jazz. Si i keni përzgjedhur?

Albumi do të jetë i zhanrit Ethnic Jazz Fusion. Ka qenë një dëshirë e vjetër të rikthej këngët e Elbasanit dhe po merrem me krijime të Isuf Myzyrit, Mustafa Bodinit e me radhë. Do të vijnë në një version më Mesdhetar, pasi këto këngë i përkasin edhe Mesdheut.

Sa ka ndryshuar Genti nga muzika rock apo heavy metal në zhanret që punon sot?

Me zhanret që punoj aktualisht ka shumë ndryshime: jam bërë më emocional, më fragile për sa i përket krijimit. Nga pjesa filozofike e rokut, jam po ai Gent që luftoj për gjërat që do dhe nuk dorëzohem kollaj.

Ju keni qenë edhe kitarist, sa rol luan kitara në kompozimet që ju krijoni?

Kitara luan një rol shumë të madh, madje një pjesë e këngëve të mia kanë kitarë, sepse janë punuar me këtë instrument, por ashtu edhe në piano.

“Si herën e parë” e Shpat Kasapit ishte e kënga e tij e fundit, si e kujton?

Shpat Kasapi është një artist unik për muzikën që na dha. Kishim plane të tjera, madje kemi një këngë për nënën ende në sirtar. Kënga është realizuar dhe prodhuar, por një ditë të bukur u zgjuam me lajmin që Shpati na la. Një artist me të cilin u lidhëm shumë 10 vitet e fundit dhe kemi ndarë shumë suksese së bashku.

Keni një raport të veçantë me vajzën tuaj, Kristin. Çfarë ka marrë ajo më shumë nga ty?

Kristi ka marrë nga unë energjinë time, një pjesë të mirë të karakterit tim, është luftarake. Muzikën nuk është se ma mori, pasi edhe unë nuk e kam shtyrë me zor të bëhet artiste. Ajo studion për Financë, por besoj është një Gent i vogël në llojin e saj: akoma më e mirë, më e zgjuar dhe më e bukur.

Si lind një këngë për ty, Gentin?

Një këngë e krijoj brenda shpellës sime, asaj dhomës sime. Kur vjen kërkesa jam më i motivuar sigurisht, por kur ka këngë që i bëj për këngëtarë, filloj e studioj këngët e mëparshme, rang-et e oktavës që ka, frymën si këndon, ngjyrat dhe emocionin, pastaj ulem e krijoj këngën që i përshtatet.

Çfarë kërkon të transmetosh përmes muzikës që krijon?

Gjithmonë kam dashur të transmetoj sinqeritet dhe muzikë, pastaj atë e vlerësojnë njerëzit. Mendoj që nuk ka muzikë të keqe, ka vetëm muzikë të mirë në momentin kur kënga përqafohet nga njerëzit.

Nëse do të përshkruaje veten me një nga këngët e tua, cila do të ishte ajo?

Vështirë, sepse çdo këngë e imja ka dalë nga emocionet dhe nuk mund t’i ndaj dot.

INTERVISTA E PLOTË