KreuBordo Men

Drilon Hoxha flet pa doreza: Jeta, filmi dhe e vërteta ime! Jeta e Drilon Hoxhës një film përtej filmave të tij! EKSKLUZIVISHT PËR BORDO

 

Drilon Hoxhën e takuam në studion e tij, e cila ndodhej në periferi të Tiranës, shumë pranë Dajtit. Një studio modeste, por që mbante detaje të ndryshme që të çonin tek ajo që vetë aktori do më së shumti, dashuron, filmat. Gjithë jeta e tij është lidhur me këtë hapësirë të studios… Te Driloni pamë producentin që kujdesej jo vetëm për gjetjen e financimeve për grupin e xhirimit, por edhe merakliun për imazhin e tij, kujdesin ndaj fotove personale, kujdesin ndaj banerave të çdo filmi. Në kompjuterin e tij personal, gjendeshin këto detaje të cilat rastësisht i mësuam nga takimi. Teksa dritat e kamerës u ndezën, ne arritëm të realizonim me të një intervistë të sinqertë, të vërtetë, morëm përgjigje të dhëna pa frikë… Gjenerata 30 apo 35-vjeçare patjetër që e kujton Drilon Hoxhën, si aktorin e imitimeve të suksesshme dhe befasuese. Nga skena e një spektakli televiziv, sot po shkojmë drejt 2 dekadave të tij në fushën e kinematografisë. Për këtë rrugëtim 15-vjeçar jemi ndalur me të, për të kuptuar që nëse ke një ëndërr të duhet guxim, shumë punë dhe dëshirë për ta realizuar. 

 

Drilon, faleminderit që prite “Bordon” në shtëpinë tënde! Studioja është gjithë jeta jote? 

Unë ju falënderoj juve dhe e vlerësoj shumë që erdhët! Kjo është jeta ime, kjo është shtëpia ime… ne shtëpinë e kemi këtu, në studio. Pothuajse gjithë kohën, edhe kohën e lirë, unë e kaloj prapë duke punuar. 

Vështirësi e madhe e juaja të zgjoheni herët, por ama kur vjen puna te filmi nuk e mendoni dy herë? 

Kur zgjohesh herët, ti mbaron shumë lloj punësh. Vështirësi për ne është pasi rrimë shumë vonë në studio deri në 4 ose 5 të mëngjesit, dhe duhet të zgjohemi herët sërish, për të kapur ditën dhe për të vazhduar përgatitjet për xhirimet. 

 

Sa kohë do të marrin xhirimet e filmit “Golden Brothers 2”? 

Nuk ka një kohë të caktuar. Varet… si i do qejfi filmit them unë (qesh). Flas nga eksperienca që kam, ka patur filma që janë dashur 6 muaj për t’u përgatitur, për të qenë gati, dhe është dashur 1 vit për t’u xhiruar; ka patur projekt që për 1 muaj është bërë gjithë skenari dhe përgatitja, dhe në 3 muaj është xhiruar gjithë filmi. Varet si shkojnë gjërat, asnjë gjë nuk mund të bëhet dhunshëm, duhet të vij natyrshëm. 

“Golden Brothers 2” erdhi si rrjedhojë e një detaji që u frymëzove gjatë realizimit të 1-shit? 

“Golden Brothers 1” ishte një kthesë e imja krahasuar me projektet e mëparshme. Dark komedi po shiste në gjithë botën, pjesa e aksionit ishte bërë e lodhshme, ndaj ishte dhe më afër shijes sime. Mendova të bëj një komedi që të mos qeshim me mënyrën se si e bënë plastikën aktori, plastikë unë quaj që të bëj si klloun që ne të qeshim, por publiku të qeshte me situatat në të cilat ndodhet personazhi në film. Sigurisht që kisha një pikëpyetje, duke menduar se si do ta prisnin njerëzit, se si do t’u dukej… Por, realisht ky projekt kishte një sukses shumë të madh. “Kur vazhdon tjetri?”, ishte kërkesa që na vinte nga publiku në çdo sallë dhe vend që ishim, ndaj thashë, në rregull njerëzit duan këtë gjini filmi. Vendosëm për të bërë “Golden Brothers 2”. Skenarin e kam bërë unë… patjetër që jam këshilluar dhe me profesionistë që kam afër, por nisjen, zhvillim dhe mbarimin e gjithë është ideja ime. 

 

Sa situata nga përditshmëria i bën pjesë të skenarit? Si ia atashon personazheve? 

Nuk po them 100%, por po them që 99% e jetës së përditshme që na rrethon. Unë shoh me vëmendje situatat, edhe nëse ndodh tani që po realizojmë këtë intervistë diçka që më tërheq, unë e marr dhe e bëj pjesë të filmit tim. Dua gjëra jetësore, dua gjëra që vërtet preken dhe jetoen nga njerëzit. Sigurisht që edhe fantazia është pjesë për të lidhur gjithë mesazhin. 

Kasti i aktorëve, i piketove menjëherë? Kemi një kast të ri apo kemi aktorë nga “Golden Brothers 1”? 

Sokol Angjeli te “Golden Brothers 1”, ishte gjithë filmi. Mënyrën se si luan, interpreton hallin që ka Koli në film, me dy vëllezërit që i luaj unë në film, nuk do të doja të flisja për veten se si kam bërë rolet, por do të thosha që Koli kishte vërtet një personazh, që jo çdo njeri mund ta luaj lehtë. Ndoshta i forti dhe bosat mund të luhen kollaj, por një hallexhi do me vërtetë botë ta luash sepse duhet të futesh në botën e  personazhit. Unë i them Kolit, “ti edhe flokët i ke me halle”, aq bukur ishte futur në personazh. Te 2-shi Koli është padiskutim, jam unë, kemi personazhe të rinj që do t’i shohim në film, si Eva Alikaj, Laert Vasili, Krisa Caushi, Renne e të tjerë. Për të gjithë ata që kanë parë “Golden Brothers 1” nuk do të jetë e njëjta gjë, tematika janë fajdet, por nuk do të jemi gjithë kohës te pyetja “kur do t’i shlyej lekët”, por do të zhvillojmë një gjë akoma më dramaturgjike me këtë personazh. Personazhi në “Golden Brothers 2” duhet të japë një pjesë të trupit të tij, vetëm për të shpëtuar nga halli. Dhe unë gjithë kohën duhet ta mbaj publikun, se si të shpëtoj personazhi pa dhënë një pjesë të trupit të tij, që të lahet me këta dy personazhet e tjerë në film. Jo se këta janë aq të ligë sa shkojnë në këtë pikë, për ta vënë në rrezik me jetë, por situata i çon në këtë drejtim, futën në një lojë kot dhe ngecin aty. Nuk kanë se si ia bëjnë, se duhet të shkojnë deri në fund.