KreuStil Jetese

Ekskluzive/ Dr. Rezar Deveja, magjibërësi i zemrës!

Ekskluzive/ Dr. Rezar Deveja, magjibërësi i zemrës!

Shef i shërbimit të kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, është i pari që ka realizuar ndërhyrjet miniinvazive në zemër në Shqipëri

Nga Ilda Lumani

Fotografia: Gent Onuzi

Jeta fillon nga një rrahje zemre... mbaron kur ajo ndal! Kapriçot e saj rrugës i ka në dorë mjeku!

Magjibërës i zemrës është epiteti që më vjen për drejtuesin e qendrës së Kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, doktor Rezar Deveja. Emri i një mjeku nuk është rastësor, aq më pak i Dr. Rezartit, i cili i është dedikuar si rrallëkush profesionit dhe sot përveç emrit të mirë ndër vite, shënon edhe suksesin më të madh personal, duke shkruar një faqe të rëndësishme të mjekësisë shqiptare, atë të realizimit të ndërhyrjeve miniinvazive në zemër, për rastet e trajtimit të valvulave. Prej tre vitesh, falë tij në spitalin “Shefqet Ndroqi” është hapur reparti i Kardiokirurgjisë, që vetëm vitin që lamë pas realizoi gati 400 operacione, nga të cilat 15 ndërhyrje miniinvazive.

Ekskluzive/ Dr. Rezar Deveja, magjibërësi i zemrës!

Eksperienca e gjatë në kardiokirurgji e ka fillesën në një përkushtim, që nis që në moshë të vogël. Vijon me studimet për mjekësi, me nota absolute 10 dhe medalje ari. Dr. Deveja e nisi karrierën si kirurg në spitalin “Shefqet Ndroqi” për t’u larguar në vitin ’95 drejt Greqisë, ku punoi për 20 vite në një nga spitalet më të rëndësishme private atje. “Të jesh kardiokirurg dhe të punosh në një spital privat ishte shumë konkurrues”, më tregon Dr. Deveja në këtë intervistë për BORDO MEN, ku ndan kujtimet dhe suksesin e tij ndër vite. Pikërisht në Greqi, nga 700 ndërhyrje që bëheshin në vit, 600 të tilla bëheshin në spitalin, ku Dr. Deveja ka punuar, çka do të thotë që të mos kishte asnjë agjendë familjare. Andaj pushimet kanë qenë një luks. Por, kjo është kostoja që ka familja e një kirurgu të madh!

Doktor, pasi mbaruat universitetin, ku u vendosët me punë?

Punën e kam nisur këtu ku jam edhe sot. Nga viti ‘85-‘95 kam punuar në spitalin “Shefqet Ndroqi” si kirurg torakal. Gjatë kësaj periudhe kam munguar 2 vite ‘92-’93, ku kam qenë në Paris për specializim. Kur u ktheva nga Parisi isha shefi i shërbimit të kirurgjisë torakale dhe pedagog i brendshëm në Fakultetin e Mjekësisë për Kirurgjinë Speciale, me shef/profesor Bekim Elezi në atë kohë. Në ‘95 vendosëm të ikim në Athinë.

Ekskluzive/ Dr. Rezar Deveja, magjibërësi i zemrës!

Nuk e patët tundimin për të qëndruar në Francë?

E pata sigurisht dhe pata ofertë për të qëndruar. Por, nuk kisha shumë siguri atje, pasi kontratat ishin disa mujore.

Përse vendosët të largoheshit nga Shqipëria?

Në vitin ‘95 kishte mungesë mjetesh pune. Një situatë që vështirë se mund të kuptohet sot. Vinim në 5:00 të mëngjesit në punë dhe shihnim a ka oksigjen apo jo. Dhe jo më të diskutoje për të bërë gjëra të reja, për të operuar.

Si u pritët në Athinë? Si e gjetët veten atje?

Menjëherë iu nënshtrova të gjithë procedurave që ka për të njohur diplomat, dhashë provimet, pastaj u njoh dhe specializimi. Në specializim ke 7 vite, kështu që m’u desh të plotësoj 2 vite të zemrës, sepse atje është kirurgji torakale, ku përfshin mushkëritë dhe zemrën bashkë. Kështu që bëra dhe 2 vite specializim, iu nënshtrova provimeve të diplomës së specializimit dhe në vitin ‘98 mora diplomën greke të kirurgut torakal, pra të kirurgut të zemrës dhe të mushkërisë. Dhe fillova punë atë vit në një nga spitalet kryesore të Athinës. Në Athinë janë 2 spitale të mëdha private, një prej tyre është spitali “Hygea”, ku unë punova aty pa ndërprerje deri në vitin 2014. Pra për gati 20 vite, derisa u ktheva në Shqipëri.

Përse u kthyet në Shqipëri?

Në Shqipëri u ktheva pasi në një farë mënyre kisha mbyllur ciklin tim në Athinë, pas një pune 20-vjeçare, pas mijëra operacioneve të bëra në një nga qendrat më kryesore dhe më të përparuar përsa i përket mjekësisë dhe sidomos kardiokirurgjisë në Athinë. Gjithmonë ishte dëshira për t’u kthyer, për të bërë diçka dhe në Shqipëri. Kuptohet jo si shpëtimtari i Shqipërisë, por një dëshirë për të punuar dhe në atë kohë pashë që në Shqipëri ishin krijuar kushtet që mund të realizoheshin të gjitha operacionet. Sidomos hapja e spitalit “Hygea”, ishte një spital modern dhe kishte kushtet bashkëkohore shumë të mira, por jo vetëm. Ishte dhe spitali shtetëror, kishin marrë zhvillim, kishin ndryshuar gjërat. Kuptohet në atë kohë kishte dhe përputhje interesash që unë u ktheva.

Pra, fillimisht u kthyet te spitali privat “Hygea”?

Po unë u ktheva te “Hygea” në fillim, isha shef i shërbimit të Kardiokirurgjisë, kam punuar për 6 vite rresht në atë spital. Në atë kohë kur erdha, kjo rastisi me takimin që bëri Rama për herë të parë në nëntor të 2013, “Thuaj Shqipërisë Po”. Kam qenë në atë takim. U mblodhëm në Pallatin e Brigatave, pati diskutime të shumta, u bë dhe një darkë ku ishte dhe vetë kryeministri, i cili tha në fund të darkës “mirë ju erdhët ,po unë çfarë do të bëj me ju?!”. Ka qenë kjo një thënie shumë e zgjuar, që shpesh herë i thotë Rama këto. Kishte të drejtë sepse aty ishin disa mjekë, shokë që pjesa më e madhe njiheshim, specialitete të ndryshme, por që Shqipëria nuk ishte e përgatitur ose nuk kishte mundësi, ose nuk kishte një program të organizuar për të bërë këto punë. Megjithatë vitet kalojnë dhe kur erdhi kryeministri në një inagurim te “Shefqet Ndroqi” ku unë punoj tani, ia kujtova këtë dhe i thashë që atëherë na the çfarë do të bëj unë me ju, ja që diçka u bë.

Për ç’arsye u larguat nga spitali privat për t’u rikthyer te spitali “Shefqet Ndroqi”, aty ku edhe e nisët karrierën tuaj?

Unë punova 6 vite atje, drejtova 6 vite shërbimin e Kardiokirurgjisë. Pasi spitali u shit, pata një lëvizje rreth 1 vit e gjysmë te spitali “Amerikan 3”. Dhe ndërkohë kisha gjithmonë ngacmimin për të hapur një qendër të dytë në Shqipëri të Kardiokirurgjisë. E kisha filluar që kur isha në spitalin “Hygea”, u bë një përpjekje, për arsye të ndryshme nuk u realizua. Në 2021 përsëri bëj një përpjekje dhe këtë herë siç duket ishin pjekur kushtet, me iniciativën e kryeministrit u vendos që të hapet shërbimi i kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Caktohem unë për organizimin, për hapjen dhe për drejtimin e këtij shërbimi. Kthehem pas kaq shumë vitesh në spitalin ku kisha filluar punë, por këtë radhë më duhej jo të vazhdoja kirurgjinë torakale, e cila është qendra e shërbimit të kirurgjisë torakale të vetmes në Shqipëri, por të hapja diçka nga 0. Në kuptimin e vërtetë nga 0, sepse te spitali “Shefqet Ndroqi” nuk ekzistonte asnjë bërthamë e Kardiokirurgjisë. Kuptohet fillimisht u morëm me organizimin e materialeve që duheshin, me aparaturat që duheshin. Krijuam ekipet përsa i përket sallës edhe reaminacionit, sidomos stafin e mesëm që nuk kishte asnjë lidhje me kardiokirurgjinë. I dërguam disa kohë në spitalin “Nënë Tereza” në shërbimin e kardiokirurgjisë për të bërë një specializim. Filluam operacionet e para me një dyshim shumë të madh, jo nga unë kuptohet, por nga të gjithë që na rrethonin.

Ekskluzive/ Dr. Rezar Deveja, magjibërësi i zemrës!

Kur u bë operacioni i parë i zemrës në spitalin “Shefqet Ndroqi”?

Operacioni i parë është bërë në nëntor të 2021. Viti 2022 ishte një vit përpjekjesh, mungesë materialesh sepse shteti ka disa procedura të përcaktuara për marrjen e materialeve, ishim me materiale hua; gjysmat i merrnim nga Shefqet Ndroqi, gjysmat i sillja unë nga jashtë. U realizuan me gjithë këto sforco rreth 70 operacione gjatë vitit 2022, derisa në fund të 2022 u bë e mundur hapja e tenderit të parë. Në vitin 2023 filloi programi me mbështetje materiale të plotë dhe u bënë 333 operacione. Flasim për operacione madhore të kardiokirurgjisë te të rriturit. Fillimi ishte shumë i vështirë, i pashmangshëm, unë i quaja sëmundjet e fëmijërisë, pra si një fëmijë që është i detyruar të kalojë disa sëmundje. Dhe një shërbim i ri është i detyruar të ketë probleme. Duke filluar nga mungesat, duke filluar nga shumë veta jo dashamirës për arsye dikush individuale, dikush xhelozi, dikush konkurrencë. Sidoqoftë puna eci dhe në 2024 u realizuan plot 395 operacione. Një numër i konsiderueshëm, duke patur parasysh se këto operacione u realizuan me një sallë, që do të thotë 2 operacione zemre çdo ditë; me një reaminacion me 5 shtretër dhe një pavion me 10 shtretër; me një numër të kufizuar personeli. Një tjetër fakt që vërtetoi domosdoshmërinë e hapjes së këtij shërbimi, ishte që gjatë periudhës shkurt-qershor si pasojë e fatkeqësisë që ndodhi te “Nënë Tereza”, u përballua e gjithë urgjenca në spitalin tonë, kardiogjike dhe kardiokirurgjikale. Kjo vërtetoi dhe njëherë domosdoshmërinë dhe sa larg pamës ishte mendimi për të hapur një shërbim të dytë, sepse imagjinoni të mos kishte qenë ky shërbim i dytë, çfarë do të kishte ndodhur ato 5 muaj me të sëmurët kardiak dhe kardiokirurgjikal.

Pra, 2024-a ka qenë një vit shumë i suksesshëm dhe i arrirë profesionalisht?

Po! E mbyllëm vitin 2024 me një gamë shumë të madhe operacionesh, siç thashë te ne bëhen të gjithë operacionet te të rriturit; ku përfshihen bypass-et, operacionet e valvulës, operacionet e aortës dhe të gjithë sëmundjet kirurgjikale te të rriturit. Aktualisht që nga shtatori i 2024-ës kemi filluar dhe krijimin e një qendre miniinvazive në spitalin tonë. Pra, duam që qendra e kardiokirurgjisë te “Shefqet Ndroqi” të kthehet në një qendër miniinvazive, që do të thotë që pjesa më e madhe e operacioneve në valvulat e zemrës të kryhet me hapje jo standarde klasike, e cila është një mesi stenotomi që e quajmë ne, por me hapje të vogla 5-6 hapje që bëhet me torgatomi të djathta, hapje të cilat janë shumë kozmetike se hapjet e mëdha.

Këto lloj ndërhyrjesh janë më shumë estetike, pra për të mos patur një çarje e për rrjedhojë një shenjë të madhe në turp?

Këto lloj ndërhyrjesh miniinvazive ndihmojnë jo vetëm për pjesën kozmetike, që patjetër ka rëndësinë e vetë, por që janë operacione që ndihmojnë shumë përsa i përket rikuperimit të pacientit, ditët e qëndrimit në spital, qëndrimi në reanimacion, përdorimi i gjakut. Përdoren shumë në të sëmurë të rëndë, të sëmurë obezë, sepse kuptohet një traumë e vogël është një shërim më i shpejtë dhe më i kollajtë. Eliminon të gjitha infeksionet e mundshme, kështu që është një metodë e cila përdoret dhe në botë, jo në të gjitha spitalet, jo në të gjitha vendet, por që ne kemi filluar ta përdorim.

E keni realizuar pra ëndrrën tuaj?

Kjo ka qenë një ëndërr e imja që ka filluar vite më parë në spitalin “Hygea”, por që tani po realizohet në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe kjo më gëzon shumë.

Te QSUT realizohet kjo?

Jo nuk realizohet.

E shihni si një sukses personal këtë arritje?

Me gjithë modestinë që më karakterizon është një sukses absolutisht personal. Këtë nuk e diskutoj fare, sepse kam punuar natë e ditë. Që të bësh një gjë si kjo, duhet të mundohesh, në radhë të parë ka shumë mungesa. Unë akoma gjërat specifike të këtyre operacioneve i sjell nga Greqia. Unë jam një person që drejtoj një shërbim të vogël, pra është gjysma e shërbimit të QSUT, ne jemi 4 kirurgë nga të cilët janë bërë 395 operacione, nga të cilat 320 operacione i kam bërë unë personalisht. Puna në një farë mënyre është ‘one men show’ atje. Në QSUT janë 8 kardiokirurg, vjen njëri bën 2 operacione ikën, që të bësh diçka të re, që të mbledhësh gjithë këto materiale, gjëra. Kjo është një metodë që ne e kemi filluar, kemi disa muaj që e bëjmë. Janë bërë mbi 15 raste, vazhdojmë bëjmë. Këtë javë kam për të operuar, do të kem 2 raste javën tjetër. Të gjithë këto operacione që bëhen në valvula i realizojmë në këtë mënyrë. Është një punë personale shumë e madhe, realizimi dhe suksesi i kësaj pune ka arsyet e veta. Një nga arsyet është niveli profesional dhe gjithë eksperienca mbi 30-vjeçare kaq e madhe. Fakti tjetër është që unë kam një aftësi organizative, pra jam një person me aftësi organizative. Kjo është e rëndësishme të organizosh punën dhe të të mos ndodhi të thuash ‘waw’. “Waw’ në kardiokirurgji është të të vdes i sëmuri dhe unë nuk e lejoj këtë. Një gjë që është në Shqipëri që e kam spikatur, meqë ne u shkëputëm 20 vite dhe erdhëm, ua them gjithmonë kolegëve të mi. Ajo që është më e rrezikshmja dhe më e keqja në Shqipëri është e vetëkuptueshmja dhe kur vjen momenti ti nuk e ke. Pra, nuk ka të vetëkuptueshme, çdo gjë ti duhet ta shohësh, ta kontrollosh, ta përgatitësh. Është shumë i rëndësishëm organizimi, sidomos në rastin e kardiokirurgjisë, që përveçse janë shumë njerëz që marrin pjesë në operacion që secili ka detyrën e vetë. Përveç kësaj, është që përdorin jashtëzakonisht shumë materiale të ndryshme, nga më e thjeshta deri te më e përbëra. Duhet t’i kesh të pranishme në operacion të gjitha materialet. Duhet t’i kesh për çdo lloj materiale, duhet t’i kesh numrat e caktuar. Është një përgatitje absolute, sepse një nga këto, ti mund të bësh një punë 5 orë të shkëlqyeshme dhe i sëmuri të vdes për një hiç gjë. Kështu që organizimi është shumë i rëndësishëm. Dhe një gjë tjetër që mendoj që është një veti e imja pozitive është bashkëpunimi, jam një person që bashkëpunoj, jam një person që në një farë mënyre jam i ngopur nga jeta, pra nuk kam mendime, persekucione të ndryshme që të kem zili. Jam shumë bashkëpunues, arrij t’i kuptoj të tjerët edhe kur bëjnë gabime. Bëj sikur s’kuptoj, bëj atë që duhet të bëj kur bashkëpunoj. Pra, rëndësia është bashkëpunimi. Dhe në rast se shoh që dikush ka xhelozi bëj sikur nuk e kuptoj, e çoj punën atje ku dua unë që të bëhet. Toleroj për të bërë atë që është e rëndësishme. Pra për çdo gjë ka një qëllim, ka një objeksion, ka një gjë ku do të shkosh. Në çdo punë që duhet të jesh, duhet të jesh i domosdoshëm, kudo që të jesh duhet të jesh i domosdoshëm. Ti duhet të luftosh që të jesh një faktor i domosdoshëm i atij ekipi. Kudo që të jesh duhet të punosh që të jesh i nevojshëm për një ekip, për një spital.

Në të gjithë këtë investim që keni bërë, e keni marrë kënaqësinë?

Po e kam marrë absolutisht, kënaqësia është maksimale.

Keni vënë emrin në mjekësinë shqiptare me këtë që keni bërë!

Po besoj që kjo është një gjë fare e vogël, por për mua në qoftë se do më thonë në fund të karrierës, se çfarë është ajo që bëre më shumë, është kjo.

Doktor, cili është operacioni më i gjatë që keni bërë? Sa orë ka qenë?

Operacionet tona të zakonshme janë nga 3-4 orë, kuptohet ka patur dhe 10-12 orë. 3-4 orë është e zakonshmja, duke patur 2 të tilla në ditë. Vështirësia dhe e keqja jonë kjo është, sepse ne veç punës që kemi me pacientin, diagnostikimin, ndjekjen, leximin, të gjitha punët e tjera që ka çdo mjek, ke dhe një 8 orësh punë fizike në sallë. Veç punëve të tjera, ke dhe 8 orë që duhet të jesh fizikisht. Është lodhje fizike shumë e madhe.

Deri në çfarë moshe mendoni se do të kryeni operacione?

Unë jam tani 65 vjeç dhe mendoj deri në moshën 68 vjeç, pra dhe 3 vite të vazhdoj të kryej operacione. Nuk e di a do ta realizoj dot këtë që ta ndërpres, por do të doja që ta ndërprisja. Për ta jetuar pjesën që ngelet. Të operosh në moshën 70 vjeç, e quaj të mjeruar. Ka dhe të rinj të tjerë që shpëtojnë jetë, nuk jemi vetëm ne. Unë nuk jam nga ata që them që erdha në Shqipëri për të shpëtuar Shqipërinë, absolutisht Shqipërinë nuk e shpëton asnjë nga ne. Ne kemi nevojë për Shqipërinë, Shqipëria nuk ka nevojë për ne.

Doktor një këshillë, që do t’u jepnit mjekëve të rinj, që ëndërrojnë të ndjekin rrugën tuaj?

Zakonisht ju them pacientëve kur janë sëmurë, nëse doktori që keni shkuar ju thotë 100% nuk vdes, ikni me vrap sepse ai gënjen. Puna jonë është një specialitet i tillë që o merresh, o nuk merresh. Pra nuk mund të bëhesh gjysmë kardiokirurg. Një gjysmë dermatolog edhe mund të jesh, gjysmë kardiokirurg nuk mund të jesh. Që t’i thuash vetes kardiokirurg ose duhet të jesh ose mos e thuaj fare.

Një nga arsyet që të kesh rezultate të mira, është që të jesh i përgjegjshëm për punën që bën, pra të kesh kujdes. Kjo pastaj varet nga karakteri i njeriut, nga ndërgjegjja. Të bësh një punë me ndërgjegje dhe të kesh përgjegjshmëri.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF