Fotografia: Leo Arapaj
Zeshkan me tipare tipike mesdhetare, fizik të gjatë dhe timbër zëri që lehtësisht mund ta ngatërrosh me atë të The Weeknd, Dylan Reka është personazhi që me shumë kënaqësi zgjodhëm ta kishim në Bordo Cover Men për këtë numër. Sapo ka publikuar krijimin e tij më të fundit, dedikuar njeriut që e rriti dhe e brumosi në artistin që Dylan është sot, gjyshit të tij. Artisti vjen në një rrëfim për “Bordo”, ku tregon të gjitha shenjat që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e tij si artist e si një i ri 25-vjeçar.
Pak javë më parë publikove këngën “Shenjat” kushtuar gjyshit. Dimë që ke qenë shumë i lidhur me të. Çfarë e ka bërë marrëdhënien tuaj kaq të fortë?
Duke qenë se unë jam rritur që nga mosha 6-mujore nga gjyshi dhe gjyshja, sigurisht lidhja me ta është sublime dhe shumë unike për mua. Gjyshi ka qenë gjithmonë përkrahësi numër 1 dhe mbështetja ime në çdo moment, aspekt financiar apo emocional. Ka qenë shok, një baba i dytë për mua. Nuk kam folur ndonjëherë shumë për prindërit e mi, por sigurisht që dhe ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm në Dylanin që jam sot.
Shpesh nëpër intervista je shprehur se gjithmonë ke dashur të bësh krenar gjyshin, ndoshta më shumë se edhe prindërit. Pse?
Unë në fakt kam jetuar për më shumë se 20 vite me gjyshërit, por edhe prindërit i kam patur gjithmonë aty për mua në çdo moment. Them dua të bëj krenar gjyshin sepse ai ka qenë shtysa e fortë e parë në sport, muzikë etj. Disiplinën, edukatën e shumë vlera të tjera që modestisht mendoj se i kam, i kam marrë nga ai dhe prandaj them që dua ta bëj sadopak krenar, duke qenë se ai vetë arriti shumë në profesionin e tij.
Si ka qenë fëmijëria e Dilanit? Ç’shenja ka lënë fëmijëria në jetën tënde? Çfarë kujton me nostalgji nga ajo kohë? Po kujtimet që do të doje t’i fshije?
Jam rritur me dashuri të madhe, me llastime, me lojërat e moshës, me çdo gjë që mund të plotësojë një fëmijëri të lumtur dhe të bukur. Kujtime që do të doja t’i fshija?! Pyetje e bukur shumë. Sigurisht çdokush mendoj se ka në jetë kujtime që do të donte t’i fshinte, por për mua janë shumë private dhe dua t’i mbaj të tilla, hermetike.
Jetojmë në një kohë kur bullizmi është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues. Personazhe shumë të famshëm në botë kanë ndarë eksperiencat e tyre rreth këtij fenomeni. Ti je ndjerë ndonjëherë i bullizuar? Pse?
Po, jam ndjerë i bullizuar si shumica e figurave në showbiz, si në botë ashtu edhe në Shqipëri. Unë personalisht nuk kam bullizuar kurrë askënd. Mendoj se kjo lidhet ngushtë me mënyrën si jam rritur dhe edukuar, dhe po ashtu nga ana tjetër ata që bullizojnë kanë patur probleme psiko/sociale në fëmijërinë e tyre. Bullizimi karshi meje ka qenë për shkak të peshës sime, ose disa herë dhe rreth edukatës ‘së tepruar’ që mund të kem marrë nga familja. Sot që jam 25 vjeç s’më bën përshtypje më asgjë, sepse edukata dhe kultura më kanë hapur shumë dyer! Falënderoj familjen për këtë.
Çfarë të ka ndihmuar ta kaloje atë periudhë?
Fakti që jam bullizuar, fatmirësisht për mua s’do të thotë që e kam vuajtur. Edhe në moshë më të vogël kisha forcën dhe karakterin t’i injoroja lehtësisht të gjithë ata që bënin komente dashakeqëse. Kur ata mendonin se më bullizonin unë vazhdoja përpara, kisha qëllime të qarta ku doja të shkoja dhe çfarë të bëja.
Nëse një i/e ri/re ndodhet në një situatë të tillë, çfarë do t’i thoshe?
Nëse një i ri ndodhet në situatë bullizmi dua t’i them që: I/e dashur, çdokush që bullizon e ka problemin nga brenda me veten dhe jo me ty, sepse një njeri i cili ndihet i plotësuar me veten, është i qetë nuk mund të merret me peshën, ngjyrën, gjatësinë, apo orientimin e dikujt tjetër. Qëndro i fortë, besoi vetes dhe injoroi në heshtje! Mos e harro asnjëherë se ata që bullizojnë, janë ata që po vuajnë vërtetë, jo ti. Nëse s’më beson tani, më kontakto pas disa muajsh, apo vitesh sepse do të më japësh të drejtë. Përqafime nga Dylani (qesh).
Tashmë vera ka hyrë dhe jemi mësuar që në këtë stinë të gëlojnë hitet verore nga artistët. Nga Dilani do të kemi një hit?
Kemi shumë projekte në fakt së bashku me menaxheren time Fiona Krajka dhe producentin tim Ulis Krajka. Po mendojmë për disa projekte, por patjetër që do të kemi këngë ritmike që të kërcejmë dhe të bëjmë qejf.
Me çfarë po merresh aktualisht?
Po merrem me muzikën pothuajse gjithë ditën time, përveç aktivitetit fizik që nuk e le asnjë ditë sepse e kam terapi dhe përpos këtyre praktikoj disa rituale të mia për qetësim shpirtëror dhe mental.
Po pushimet e kësaj vere ku do t’i kalosh? Nën shoqërinë e kujt?
A më beson që nuk kam asnjë plan për pushime? Dua të punoj fort dhe t’i shijoj pastaj pushimet me sukseset që do të vijnë. S’kam plan dhe s’besoj se do të bëj pushime të mirëfillta, përveç ndonjë fundjave shkëputje. Kam shumë punë përpara.
Cila nga këngët e tua të pëlqen më shumë? Po ndonjëra që s’të pëlqen fare?
Këngët që më pëlqejnë më shumë janë “So tu ma ni” dhe “Shenjat”. Këngë që s’më pëlqejnë?!… Yhyy ka shumë (qesh).
A mendon se artistët që cilësohen si ‘in’ të momentit e meritojnë të gjithë famën që kanë?
Unë mendoj se çdokush nga artistët që është ‘in’ e ka diçka, nuk janë kot aty. Mirëmenaxhimi është çelësi kryesor në këto kohë.
Shumë talent dhe pak famë, apo pak talent dhe shumë famë; cilën do të zgjidhje?
Shumë talent dhe pak famë me super mirëmenaxhim bëhet Supestar!
Çfarë e bën Dilanin të veçantë?
Unë s’flas dot për veten se çfarë më bën të veçantë, por njerëzit më kanë cilësuar si një person të çiltër dhe pozitiv (dhe shumë workaholic).
Po me çështjet e zemrës në ç’moment je?
Me kaq punë sa kemi, nuk po gjejmë kohë për këto punët e zemrës, por e mirëpres kurdo që të vijë!
Nëse një fanse do të shprehte dëshirën për t’u njohur me ty nga ana romantike, a do ta konsideroje?
Sigurisht që po! Nëse do të ishte në shijet e mia si vajzë, me kënaqësinë më të madhe!
Cili është ai tip vajze që s’mund ta marrë kurrë vëmendjen tënde?
Vëmendjen time s’e merr dot një vajzë, e cila përcjell fodullizëm dhe negativitet. Larg!!!