KreuBordo Men

Regis Kasemi, kokë e këmbë në industrinë e modës!

Regis Kasemi, kokë e këmbë në industrinë e modës!

“Ecja në pasarelë duhet të jetë shumë e lehtë, thjesht duhet të jesh i sigurt e madje nëse arrin të krijosh idenë e mospërfillësit, atëherë ja ke dalë”; kjo ka qenë një shprehje të cilën Regis e ka lexuar në intervistën e një modeli të njohur dhe e risjell në mendje sa herë që ka për të bërë një ecje në pasarelë. Regis është lindur dhe rritur në Rhodos, Greqi dhe qysh fëmijë, në të pavetëdijshmen e tij kuriozohej fort pas modës e së bukurës.

Dhe jo më kot, në moshën 14-vjeçare fiziku dhe hiret e tij do të vidhnin vëmendjen e drejtuesve të një kompanie prestigjioze modelingu, duke e bërë Regisin pjesë të kastit të modelëve. Qysh prej atij momenti, për djaloshin simpatik me origjinë nga Shqipëria do të niste aventura e ëndrrave. Ecjet në pasarela, ‘photoshoot’ për kompani të ndryshme marketingu, e pjesëmarrja në evente bukurie, duket se nuk plotësonin mjaftueshëm figurën e simpatikut të modës, ndaj dy vite më parë kur sapo kishte prekur të 18-tat, Regis ushqeu ambicien e tij me një tjetër hap të rëndësishëm në fushën e modës.

Një linjë kozmetike, e quajtur Rein’s Beauty, shoqëruar edhe me një studio Make-Up-i që mban 100 % firmën e tij, është një tjetër sfidë së cilës djali i pasarelave nuk i trembet aspak. Edhe pse fare i ri në moshë, Regis ka një filozofi jete. Ai nuk i lë shanset t’i ikin, madje edhe nëse jeta nuk i servir të tilla, do bëjë çmos t’i krijojë.

Pak muaj më parë sipërmarrësi i ‘beauty’ ndjeu se ishte momenti që ai të prekte brand-et e mëdha botërore të modës dhe një aplikim rastësor në një prej emrave më prestigjiozë të A-listës së dizajnerëve botërorë, duket se ndezi dritën jeshile për një karrierë të afirmuar në kryeqytetet e njohur të modës në botë…Bota e modelingut do të dëgjojë së shpejti për Regis Kasemin, kjo është pak por e sigurt.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF