KreuBordo Men

Albi Delilaj; E ardhmja me sytë e rinisë!

Albi Delilaj; E ardhmja me sytë e rinisë!

‘Fuqia e rinisë është pasuria e përbashkët për të gjithë botën. Fytyrat e të rinjve janë fytyrat e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë’; është kjo një ndër thëniet më kuptimplota drejtuar të rinjve nga aktivisti i të drejtave të fëmijëve Kailash Satyarthi, fitues i çmimit Nobel për Paqen. Ndërkohë që na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet vendore në Shqipëri, në morinë e lajmeve dhe debateve politike këto ditë, ajo çfarë na jep shpresë janë listat e gjata të të rinjve që kanë dëshirën dhe vullnetin e mirë për të kontribuar në politikën e vendit të tyre. Në këtë shkrim kemi zgjedhur t’i japim vëmendje njërit prej tyre, i cili kandidon për Këshillin Bashkiak në Tiranë. Quhet Albi Deliaj dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës për Menaxhim Biznesi. Emri i tij në listën e kandidatëve nuk është aspak i rastësishëm, pasi prej 6 vitesh i riu me origjinë nga Përmeti, djalë i dy mjekëve të nderuar është pjesë e Forumit Rinor të Partisë Socialiste në njësinë nr. 3. Në rolin e tij si koordinator i rinisë së FRESSH-it, Deliaj mendon se ka dhënë një ndihmë në rritjen e numrit të të rinjve që dëshirojnë të angazhohen në politikë dhe përfshirjen e këtyre të rinjve me gjithë fuqinë, idealizmin, entuziazmin dhe guximin e tyre në aktivitetet e organizuara për ta. “Bordo” realizoi një bisedë me Albin për të mësuar më shumë rreth të riut që ka dëshirën e mirë të kontribuojë për të ardhmen e vendit të tij, duke u bërë pjesë e politikës.


Çfarë është politika për ty?

Për mua politika është më shumë se sa vendimmarrje për ligjet e hartuara, në mënyrë garantimin e sigurisë së qytetarëve të një shteti. E shoh atë si një mjet që secili nga ne mund ta përdor për të zgjidhur pakënaqësitë edhe problematikat që mund të ketë, por dhe duke u interesuar për të mirën e një komuniteti nëpërmjet adresimit në institucionet përkatëse. Edhe pse marrëdhënien time me politikën e kam filluar para disa vitesh, mund të them që çdo ditë përballem me sfida të reja, të cilat më kanë mësuar se në politikë është akoma edhe më shumë e rëndësishme marrëdhënia me qytetarët dhe gjetja e mënyrave të përshtatshme për të ndihmuar ata.

Pse nuk ndoqe rrugën e prindërve?

Që në momentin që më duhej të vendosja për degën që do të vazhdoja në universitet, prindërit më kanë lënë të lirë për të vazhduar në rrugën që unë vetë dëshiroja, pa më imponuar dëshirat e tyre, por duke më dhënë hapësirën që unë të kuptoja se cila do të ishte dega më e përshtatshme për prirjet e mia. Kjo zgjedhje pa u ndikuar nga familjarët, mendoj se është një gjë shumë e mirë për të zgjedhur një profesion që ke dëshirë ta ushtrosh për një kohë të gjatë.

Si e sheh Tiranën pas 5 vitesh?

Me gjithë këto ndryshime që qyteti i Tiranës ka pësuar, edhe plot plane të reja për zhvillimin e saj, them se pas 5 vitesh Tirana do të jetë një nga qytetet me hapësira më të gjelbra, zonat e dedikuara për secilën grupmoshë dhe infrastrukturën më bashkëkohore krahasuar edhe me kryeqytetet e tjera evropiane. Një pjesë e progresit që Tirana ka pasur është edhe rritja e nivelit të të punësuarve dhe mendoj se e ardhmja premton shumë gjëra të bukura si këto që kanë ndodhur.

Po Shqipërinë?

Ashtu siç është punuar për Tiranën, edhe qytetet e tjera janë transformuar për më mirë në mënyrë që mirëqenia e qytetarëve të rritet. Shqipërinë e shikoj si një kandidate të denjë për BE me të gjitha ndryshimet që po pëson.
Cili është vendi i preferuar në Shqipëri?
Territori shqiptar është i larmishëm dhe ka plot vende që kam vizituar e që kanë lënë mbresa tek unë, por mund të them që vendi i preferuar shqiptar për mua do të mbetet gjithmonë Përmeti, sepse është vendlindja ime dhe ka një rëndësi të veçantë për mua. Aty ndaj një pjesë të madhe të kujtimeve nga fëmijëria ime, përfshirë edhe shokët që kam patur kur kam qenë i vogël. Edhe pse kohët e fundit nuk kam shkuar shpesh sepse kam qenë i angazhuar me fushatën zgjedhore, për mua mbetet vendi i preferuar.

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF