Nga Nada Biraçi
Fotografia: Leo Arapaj
Ndonëse i ka kaluar 2 dekada që është pjesë e muzikës në Shqipëri, së pari si DJ në Top Albania Radio e mandej si menaxher i këngëtarit Alban Skënderaj, Olti rrallë pranon ftesa për rrëfime në studio televizive apo media të shkruar. Ka zgjedhur t’i festojë sukseset e jetës pa zhurmë, ndërsa tregon për “Bordo” se në këtë pikë të jetës, nuk e ndjen të nevojshme vëmendjen masive sepse në finale punët flasin vetë. Kur e kontaktuam dhe i treguam se kjo do të ishte një intervistë ndryshe, për të njohur më shumë Oltin, babin e Elois, nuk ju desh fare të mendohej dhe tha menjëherë, “Po”. Një baba që flet për marrëdhënien me vajzën e tij, shndërrohet shumë lehtë në një burrë të brishtë, me frikëra e pasiguri, e njëkohësisht është po ai burrë që ka forcën e gjithë botës për të qenë shpatulla mbështetëse për të bijën në stuhitë e jetës…Olti Kazaferi vjen në këtë rrëfim të çiltër sa mosha e Elois, e të vërtetë sa ndjesia prej babai, duke na njohur me versionin më të mirë të vetes së tij…
Me siguri gjatë karrierës suaj keni dhënë shumë intervista, por kësaj here ne kemi dëshirë të njohim Oltin, babin e Elois. Çfarë ndjesie ju jep ky epitet?
Faleminderit në radhë të parë për këtë intervistë, jam shumë i lumtur dhe mbi të gjitha ndaj nuk ngurova të them “Po”, pasi ky do të jetë një kujtim për mua dhe Elois. Ndjesia e të qenit baba, sidomos i një vajze në rastin tim, mendoj që mund të jetë gjëja më e bukur që mund të përjetojë një prind.
Kam dëgjuar shpesh rrëfimet e nënave, frikërat e pasiguritë që i shoqëron gjatë prindërimit. Por dëgjoj pak baballarë të bëjnë rrëfime të tilla. Ju si babi, çfarë ju tremb më shumë gjatë rritjes së Elois?
Personalisht më tremb fakti që po rritet shumë shpejt dhe mbi të gjitha që do të vijë një ditë që ndoshta nuk do të dojë të flejë përsëri me mua, siç bën tani (qesh). Gjithsesi, unë bëj çmos të kaloj sa më shumë kohë me Elois dhe ta shijoj atë çdo minutë të jetës sime.
Disa prindër zgjedhin të jenë shokë më fëmijë e tyre, disa të jenë striktë e të rreptë, të tjerë gjejnë të mesmen e artë, po Olti çfarë stili prindërimi ka zgjedhur?
Unë kam zgjedhur të bëj atë që di të bëj më mirë edhe pse ndoshta është akoma herët, pasi Elois është e vogël, por unë jam disi tek e mesmja e artë, midis vlerave dhe parimeve që na ka dhënë familja, duke e ndërthurur modernen e kohëve tona që po jetojmë, duke qenë dhe shok dhe tolerant me të.
Nëse keni një ditë të lirë për ta kaluar me Elois, çfarë do të bënit ju të dy?
Ne bëjmë gjithçka që Elois ka qejf, nga lojërat deri te ‘shopping’ apo edhe një drekë në një nga vendet që ajo preferon. Elois është shumë e qartë në ato që do gjithmonë, madje i planifikon mirë dhe ditë përpara…!
Baballarët zakonisht janë ata që i llastojnë më shumë fëmijët. Ndodh dhe në familjen tuaj?
Them se po, edhe pse Lori nuk i lë gjë pa plotësuar, ndoshta dhe më shumë seç duhet, por në fund është ajo që ndoshta nxehet dhe më shpejt kur Elois bën një gabim apo nuk ka sjelljen e duhur prej fëmije gjithmonë.
Cili është ‘polici i mirë’ dhe cili ‘polici i keq’ mes Oltit dhe Lorit?
Unë nuk para e bëj, pasi dhe Elois lëndohet çuditërisht më shumë. Siç po thosha, Lori nxehet më shpejt, kështu që i bie dhe “polici i keq” i takon asaj (qesh), përtej batutës ajo është një nënë me shumë vlera dhe mënyra si Elois është mësuar disi me disiplinë por dhe rregulla, dhe pse ajo vetë është shumë e kujdesshme si fëmijë, i takon plotësisht Lorit.
Kishit një përvjetor pak ditë më parë…Çfarë është 19 maji për ju?
Data 19 maj është dita kur ne kemi shkëmbyer puthjen e parë dhe pas asaj dite vazhdon gjithçka natyrshëm për ne të dy…
Ecim ca vite para, 19 maj 2050…Si e imagjinoni?
Se po bëj pak llogaritë, sa vjeç i bie…(qesh). Eh, do të jemi disi të plakur, por e imagjinoj gjithmonë me Lorin dhe duke shijuar një udhëtim me fëmijët, pse jo edhe me nipër e mbesa (qesh).
Jeni një personazh që ka kaluar dy dekada karrierë në muzikë, por jeni po aq diskret, pse kjo zgjedhje?
Unë kam jetuar ndoshta kohën time më të mirë të famës në periudhën më të bukur, të themi kur kam qenë adoleshent dhe në ato vite nuk bëheshe dot kollaj i famshëm në Shqipëri, ndryshe nga tani që dhe pa bërë asgjë përfundon në ekran apo revista (qesh). Mendoj që jam i plotësuar me ato që kam marrë dhe kam dhënë gjatë gjithë viteve të karrierës sime, sidomos në Top Albania Radio kur për njerëzit e thjeshtë ishte sensacion të njihje dikë aty, e jo më të punoje brenda saj. Kështu që nuk e ndjej më të nevojshme vëmendjen në këtë pikë të jetës dhe pse në finale punët flasin vetë (qesh).
Prej vitesh jeni menaxher i këngëtarit Alban Skënderaj. Njëkohësisht edhe ortakë në biznesin tuaj të ëmbël. Çfarë e bën një bashkëpunim të jetë i suksesshëm?
Albani është nga ata njerëz që e them me bindje të plotë, ke qejf të punosh dhe të kalosh kohën në punë ose jo. Ne kemi një kimi që nga fillimi me njëri-tjetrin dhe kjo na ka bërë të kuptohemi dhe të kemi të njëjtat kërkesa apo dëshira për të vazhduar para. Mosha e njëjtë ndoshta, ambicia dhe serioziteti në punë janë disa gjërat që kanë qenë gjithmonë në favorin tonë. Kjo na bën të gjejmë dhe rrugën për të ecur përpara e mbi të gjitha të kemi sukses.
Në botën e Elois
Si e kalon Elois kohën e lirë?
Në kohën e lirë unë shkoj në balet, në piano dhe në kursin e pikturës! Por kaloj shumë kohë duke luajtur edhe me shoqet!
Cili është ushqimi i preferuar i Elois dhe kush e gatuan?
Më pëlqejnë shumë kotëletat me patate të gatuara nga bushi ime!
Po gatimi që s’të pëlqen fare?
Nuk më pëlqejnë fare gjellërat, edhe pse mami mi jep me zor.
Çfarë këngësh dëgjon më shumë?
Mua më pëlqen kolona zanore e filmit “Trolls”!
Cilat janë lojërat dhe filmat që ka Elois në tablet?
Filmi “Matilda” dhe lojërat me barbie.
Do të doje të kishe një vëlla ose motër?
Dua shumë një motër të vogël!
Çfarë kë dëshirë të bëhesh kur të rritesh?
Kur të rritem dua të bëhem balerinë, si mami!