Fama që mori nga pjesëmarrja në “Big Brother” për Kristin është e palogjikshme, madje fare hapur pranon se askush prej personazheve, me të cilët ai bashkëjetoi, nuk e meriton gjithë histerinë e popullaritetit të muajve të fundit. Edhe pse nuk e mohon, se ajo eksperiencë i solli përfitime për të cilat ndihet mirënjohës, nga ana tjetër Krist Aliaj ndihet i velur nga çdo ‘reality-show’. Kontravers, provokativ, i qetë, llogjik dhe me pamjen fizike të një çuni seksi dhe tejet tërheqës, Krist Aliaj është kombinimi perfekt i figurës mashkullore që i ka munguar ekranit shqiptar…
Një histori e re dashurie, projekte personale në art, si dhe prania në televizion, është tabloja që e shoqëron djalin kontraversal këto kohë gjatë qëndrimit në Shqipëri…
Je shprehur që po jeton një histori dashurie. Si u njohe me partneren?
Ne u njohëm në një galeri në Petrelë. Ishte shumë spontane, ajo ishte pas meje dhe po drejtohej për te galeria, për ku isha nisur dhe unë. Aty filloi afrimi, kuptuam që nuk ishte thjesht një pëlqim i rastit. Të paktën unë nga ana ime, e them me siguri që ajo që ndjeva ishte më shumë sesa një tërheqje e momentit. Që në shkëmbimin e fjalëve të para, mënyra sesi flisnim për jetën e për tema të ndryshme, u ndje rehatia dhe të përbashkëtat që ne kishim me njëri-tjetrin.
Çfarë të tërhoqi më shumë tek ajo dhe a ke menduar të bësh publike këtë lidhje?
Në aspektin e parë ishte tërheqja fizike, pasi nuk ishte vajza tipike që mund të shohësh në rrugët e Tiranës, as në stil, as në pamje. Nuk e di çfarë vlere ka ta bëj publike, sepse nga të dyja anët ne nuk kemi asnjë interes për këtë gjë. Nuk na pëlqen statusi publik i marrëdhënies. Mendoj se ka më magji një raport kur është privat dhe intim, dhe nëse e bën publike kjo magji thyhet.
Sa rëndësi ka pamja e jashtme e një vajze për ty?
Shumë! Fiziku flet për gjenetikën, për të kaluarën, të tashmen, të ardhmen dhe pasardhësit. Për mua ka rëndësi edhe mënyra si ajo e trajton fizikun e saj; si vishet, si i kreh flokët, parfumi që përdor, sa rëndësi i kushton lëkurës etj..
Çfarë marrëdhënie ka Kristi me famën? Do bëje gjithçka për të qenë i famshëm?
Mendoj se kam një marrëdhënie të mirë, sepse nuk e shoh famën si jetike tek e cila varet jeta ime. Sigurisht e shoh si bonus, që hap disa dyer për disa arritje personale, por unë e kam marr famën shumë rehat. A kam patur momente deliri? Po kam patur, por kanë qenë të përmbajtura. Do të bëja gjëra për famën edhe pse nuk di çfarë konkretisht, por pjesëmarrjen në “Big Brother” do ta konsideroja një sakrificë shumë të madhe për të qenë i famshëm.
Ku janë limitet e tua, çfarë nuk do të bëje për famën?
Do ta mbroja identitetin tim, nuk do të shkelja dot mbi të, dhe të humbisja veten time. Kjo është e rëndë.
Si një i ri i rritur jashtë, çfarë të pëlqen dhe çfarë jo në përgjithësi te vajzat në Shqipëri?
E mbrojnë shumë feminilitetin, janë të investuara te mashkulli. Nuk më pëlqen që shiten shpejt për fasadë, japin veten për gjëra që mendojnë se janë të rëndësishme, por më vonë ato vetë e kuptojnë se nuk ishin aspak të tilla. Diçka tjetër që më ka bërë përshtypje te vajzat në Shqipëri, është që mendojnë më shumë në grup sesa individualisht.
Po te djemtë?
Në çdo shoqëri mashkulli është reflektim i femrës. Mashkulli shqiptar sakrifikon shumë për partneren e tij, sakrifikon fizikun, mendoren, të mirat materiale, kohën, gjë që në Europë nuk ndodh. Nga ana tjetër them se kjo sjell sensin e posesivitetit dhe kontrollit, që burri shqiptar shfaq në një marrëdhënie.
Nëse do të bëhej një edicion me konkurrentët më të fortë të “Big Brother”, do të merrje pjesë?
Jo! Unë nuk mendoj se hyj te konkurrentët e fortë, të paktën për definimin e ‘lojtarit të fortë’ që i është bërë këtu.
Çfarë po ndodh këto ditë me ish-banorët e BBVIP, që po hiqen nga Instagrami?
Çuditërisht egoja që ka marrë “Big Brother” këtë vit, ka qenë e tmerrshme dhe ka ardhur një moment që duhet të shkëputemi të gjithë, jo vetëm ne ish-banorët por edhe publiku. Duhet t’i japim kohën dhe perspektivën edicionit tjetër. Sa i përket pyetjes suaj, kam dëgjuar dhe unë por vërtetë që nuk më intereson fare.
Me Luizin, çfarë marrëdhënie keni?
Nuk kam asnjë marrëdhënie!
Duhet ta kesh parë kur ke dalë nga shtëpia, që shumë komentues në rrjete sociale mendonin se Kiara në të vërtetë kishte simpati për ty?
Çfarë ka ndodhur aty brenda le të mbetet dhe të groposet aty. Njerëzit kanë qejf të spekulojnë dhe unë thjesht zgjedh të mos u jap zë.
Cili prej ish-banorëve të BBVIP, nuk e meriton famën që mori?
Do thosha në grup të gjithë, nuk e meritojmë famën që kemi marrë për gjërat që kemi bërë aty brenda. Nuk di të them nëse ka një banor nga ne që vërtetë e meriton atë famë që ka marrë, përfshirë dhe mua.
A do merrje sërish pjesë në një ‘reality show’?
Tani jam në një fazë shpifje rreth ‘reality-show-t’. Duhet të dali një prodhim shumë i mirëmenduar, që të më bëjë mua të marr pjesë sërish.
Ku e sheh veten në të ardhmen?
Përgjigjja për këtë pyetje vështirësohet dita-ditës, sepse kërkesat dhe pritshmëritë te vetja rriten. E shoh në një marrëdhënie shumë pozitive, që do të thosha ndihmojmë dhe jemi aty për njëri-tjetrin. Të ardhmen e shoh me projekte në fushën e artit, por duke mos lënë mënjanë televizionin.
Ku nis dhe ku mbaron marrëdhënia jote me televizionin?
Tani jam në një fazë që e shoh televizionin si punë. Futem bëj punën time dhe iki menjëherë, që të mos marr nga toksiciteti që ka prapaskena televizive.
Si ka ndryshuar raporti yt me Robertin pas pjesëmarrjes në “Big Brother VIP”?
Është shtuar një nivel kompetitiv, në familje në kuptimin e mirë të fjalës. Me babain jam në garë gjithmonë, për suksesin dhe arritjet që ai ka. Kjo ndodh përgjithësisht te djemtë, që gjithmonë janë në garë me babain e tyre.
I merr këshilla Robertit, apo i jep mend?
Unë kam tendencë të jap mend dhe eksperiencën në “Big Brother” e përdor shpesh tani si justifikim për të dhënë mend (qesh). Me Robertin, tani jemi në një marrëdhënie që këshillojmë njëri-tjetrit. Ai po tërhiqet dalëngadalë nga ekrani, ndërsa unë sapo kam hyrë, pra ka vend për këshilla dhe shkëmbime idesh, dhe mendimesh nga të dyja palët.
“Love Story” apo “Big Brother”?
Asnjëra nga të dyja!
Na thuaj nga një fjali për secilën nga këto eksperienca?
“Love Story” ishte zhvirgjërim në aspektin mediatik. “Big Brother” ishte sakrificë.
Cili është personi i fundit që ke telefonuar?
Babi!
Nëse do ishe frut, cili do të pëlqente të ishe?
Banane (qesh).
Cila është gjëja e fundit që ke kërkuar në Google?
Parfum.
Cila është pija e preferuar?
Rose Limonate.
Cili është tipari që të pëlqen më shumë te pamja jote?
Hunda.
Po më pak?
Hunda (E kam dashuri-urrejtje).