KreuBordo Men

Ekskluzive/ Ëndrra amerikane e Devis Xherahut!

Ekskluzive/ Ëndrra amerikane e Devis Xherahut!

Kur ishte ende vetëm pesë vjeç, gjumin ja prishte zëri i të atit. Një prekje në sup, e teksa puliste sytë e përgjumur, në sfond dëgjohej zëri i Elvis Presley. Ishte një kohë kur të shihje televizione të huaja dhe të dëgjoje artistë të ndaluar, ishte gati e pamundur, por i ati kishte zgjedhur të kultivonte tek i biri muzikën e mirë, e njëkohësisht, ëndrrën amerikane. Devis Xherahu, asokohe ende fëmijë dhe përveçse do të mahnitej nga artisti i madh, as që e imagjinonte çfarë ishte ëndrra amerikane. Vite më pas, pasi kishte nisur me kitarë në dorë të këndonte rrugëve të kalldrëmta të Korçës, krejt papritur, fati e deshi të udhëtonte në Greqi, prej nga edhe jeta e tij ndryshoi 360 gradë. Nga skena e një ‘talent-show’ në Greqi, talenti e sfidoi fatin, duke e kthyer djaloshin nga Korça një ndër këngëtarët më të dashur. Ai rrëfen për “Bordo” mbi fëmijërinë, jetën personale, miqtë dhe projektet artistike.

Ekskluzive/ Ëndrra amerikane e Devis Xherahut!

Devis, cilat janë pritshmëritë nga kënga “Ka momente” me të cilën merr pjesë në Festivalin e RTSH-së?

Është vetëm një pjesëmarrje në festival ose në evenimentin më të madh shqiptar, Festivali i Radio Televizionit. Sepse unë aty jam rritur, kam lindur para viteve ‘90, kështu që për mua Festivali Shqiptar është Sanremo Shqiptar. Një arsye më tepër që marr pjesë në këtë festival është orkestra e madhe e Radio Televizionit Shqiptar, pastaj çmimet kanë rol dytësor. Në këto 33 vite karrierë, kam mësuar që çmimi është kalimtar, ajo që ngelet është kënga në publik. Kështu që për mua është një videoklip shumë herë më i mirë, sesa një videoklip normal që ne bëjmë, sepse është orkestra e madhe dhe këndohet “live”.

Tekstin e ke shkruar me Ertemionën, kush kontribuoi më shumë dhe cili bëri më shumë kritika?

Kjo këngë është një baladë pop. Para disa kohësh u nda nga jeta, krahu im i djathtë i bashkëpunimeve të mia dhe teksteve të mia, Jorgo Papingji dhe e falënderoj. Ky është festivali im i parë që unë marr pjesë vetë. Ertemionës shumë herë i vjen dorësh për të rimuar vargjet, madje shpesh përfshihet dhe i thashë, kam një ide. Mirëpo gjithmonë në balada, normale është dashuria në mes dhe temat e ndarjes, sepse duke qenë melankolike, edhe balada është melankolike në vetvete si lloj, kështu që kjo temë më doli kur po shkruaja. Dy strofat e para i bëra me Ertemionën, ideja ishte e imja “Për ndarje ka momente” dhe pastaj e filluam bashkë. Pastaj ngecëm në një moment dhe kërkova ndihmën e dy miqve të mi. Ata janë dy reperë shumë të talentuar, Marli dhe Santi, të cilët i falënderoj që vazhduan pjesën tjetër të këngës. Pra, teksti ka katër autorë, mua, Ertemionën, Marlin dhe Santin.

Sa e aspiron Eurovisionin?

Po të kthehem në retrospektivë, ne dikur kishim si referenca Festivalin e RTSH-së, Eurovizionin apo Sanremon, sepse është një eveniment shumë i madh, një kujtim shumë i bukur artistik dhe në biografinë e çdo këngëtari. Kështu që do të gënjeja po të thosha e anashkaloj, padiskutim e mirëpres nëse do të jetë e shkruar që unë të përfaqësoj Shqipërinë më Eurovision.

Këngët e tjera pjesëmarrëse, a i ke dëgjuar?

Nuk i kam dëgjuar, di që kanë dalë emrat e konkurrentëve.

Cili mendon se ka qenë përfaqësimi më dinjitoz për Shqipërinë?

Në përgjithësi kemi patur përfaqësime dinjitoze. Duke qenë se Rona Nishliu mori vendin e pestë, them Rona Nishliu, sepse vërtet ishte një këngë dhe vokal i veçantë, ishte një surprizë jo vetëm për mua si shqiptar, por edhe për të gjithë botën. Gent Bushpepa dhe Rona Nishliu më kanë ngelur në mendje, sepse ishin shumë të veçantë.

Ekskluzive/ Ëndrra amerikane e Devis Xherahut!

Ka patur ndonjë bashkëpunim për të cilin je penduar?

Asnjëherë. Ka qenë një bashkëpunim që e quaj surprizë në jetën time dhe ishte çudi pasi mori shumë përmasa. Jeta më lidhi që të njihesha me mikun tim Lefteris Pantazis, një nga këngëtarët më të mëdhenj grekë. Kur erdha në Shqipëri dhe nisa të bëj koncerte më kërkonin këngën “Tope Tope Papagalos” që ishte e Lefteris, por dhe ai nuk e këndonte prej kohësh. Këtë këngë as që e kisha në llogari, madje as në repertorin tim, por vura re që shqiptarët e donin shumë dhe i thashë Lefteris: Ndoshta është jashtë stilit tim, por është një pasaportë që të futem fort në tregun shqiptar! Sepse duhet një arsye e fortë që të futesh dhe çudia e madhe ishte që ajo këngë u pëlqye, nuk kishte vend ku shkoje dhe nuk dëgjohej. Kur shqiptarët e morën vesh që përkthimi ishte, “Ma tha, ma tha dhe papagalli”, zhgënjeheshin, sepse kishin tjetër pritshmëri (qesh).

Devis, jetën tuaj personale me Ertemionën e keni bërë shpesh publike, a keni një dasmë në plan?

Është e fortë sepse unë kam martuar pothuajse gjysmën e Shqipërisë...

Kjo është arsyeja që nuk keni patur dëshirë për të bërë diçka?

Gjithmonë e kam dashur ceremoninë në kishë, atë zhurmën e madhe, nuk e kam patur të nevojshme. Ajo është më shumë për të tjerët sesa për çiftin. Çiftin dhe anëtarët e shtëpisë i shikoj në ankth: mos kështu, mos ashtu, më shumë një lloj ankthi, sesa gëzim për ata që martohen. Kështu që them dasma është personale, do kënaq vetëm veten.

Nëse ndodh kë do të merrje në dasmë për të kënduar?

Devis Xherahun (qesh). Kam edhe shumë shokë: Endrin dhe Stefin, me të cilët jemi shokë fëmijërie, po ashtu edhe Anxhelën e kam shoqe të vjetër dhe shoqe të mirë. Sigurisht, Vaskë Currin, Lefteris nuk diskutohet që do vinte. Ja pra, u bë grupi.

Je përballuar me vështirësi në Greqi apo ke qenë më i favorizuar?

Unë nuk kam shkuar si emigrant në Greqi. Unë isha shumë mirë në Korçë në atë kohë, sepse sapo kisha filluar karrierën time dhe isha shumë i kërkuar në dasma, koncerte të ndryshme dhe nuk kisha asnjë problem ekonomik. Shkova për qejf, për turizëm! Mora një vizë turistike për 3 muaj dhe thashë një muaj do ta kaloj andej. Rastësisht po shikoja në televizor një emision, një ‘talent-show’ që drejtohej nga një aktore shumë e madhe greke dhe u bëra kurioz. Sapo kisha mbaruar universitetin, isha i kompletuar me shkollë muzike dhe kisha mjaft vite që këndoja në skenë. Thashë këta nuk janë asgjë para meje, me modesti e them, thashë do të marr pjesë. Shkova dhe pasi më dëgjuan, nga një muaj që do të qëndroja, u bënë 11 vite, sepse ëndrra ime, ishte ëndrra amerikane.

Kush ta ka ushqyer ëndrrën amerikane?

Babai që në moshën 5 vjeç më zgjonte nga gjumi dhe më thoshte shiko këtë. Kujtoj që shikonim kanalet jugosllave dhe aty është një artist shumë simpatik, që quhej Elvis Presley, unë nuk e njihja, por u rrita me kulturën amerikane. Nga ajo kohë, ëndrra ime është Amerika. Në Greqi në atë program ku konkurrova mora çmimin e parë dhe në çdo derë që trokita në Greqi mua mu hap. Ishte ndoshta zgjuarsi nga ana ime, sepse e impostoja zërin nga këngët rock & roll të Elvisit tek ato të Eros Ramazzottit, duke mbuluar pjesën e këngëve moderne. Më pas kur u njoha me Lefteris Pantazis shëtitëm gjithë botën me koncerte në Australi, Kanada dhe Europë.

Nëse do të udhëtoje pas në kohë, cila ka qenë periudha më e bukur për ty?

Pyetje e mirë kjo, sepse unë kthehem shpesh në retrospektivë, sidomos në fëmijëri. Brenda vetes kam një fëmijë që nuk dua ta vras asnjëherë dhe ndoshta ky fëmijë më bën të jem më spontan, të jem pozitiv dhe i qeshur. Arrij të shikoj anën pozitive dhe kur ka negativitet. Kështu që paçka se para viteve ‘90 ishin kohë të vështira në diktaturë, kishin pak gjëra, por kishim respektin, ishim bashkë me të gjithë. Mbaj mend në shtëpinë tonë, babi me familjet e dy vëllezërve të tij, bëheshim 10 ose 12 veta në shtëpi. Ishim gjithnjë bashkë, festonim Vitin e Ri, festat dhe shtëpia gumëzhinte. Kjo kohë më mungon...!

A ktheheni ndonjëherë në shtëpinë e fëmijërisë?

Kthehem shpesh, sepse atje linda dhe u rrita, atje qava dhe qesha, atje thashë të dua, atje mora kitarën për herë të parë dhe këndova për herë të parë në shkallët e shtëpisë time, ku mblidheshim pothuajse çdo natë. Të paktën pas moshës 15 vjeç me shoqërinë, skena e parë për mua ishte kalldrëmi korçar.

Devis, cila është marrëdhënie jote me paratë?

Marrëdhënie shumë e keqe. Jam biznesmen në shtëpi dhe nuk jam në atë që duhet të jem, në këngë. Sepse shumë herë jam paksa rebel, për sa i përket përshtatjes së tregut. Bëj gjëra që më pëlqejnë mua, nuk jam në shërbim të lekut, leku është në shërbimin tim.

Si do ta përkufizoje veten, më shumë harxhon apo kursen?

Po të kisha bërë pak ekonomi do të isha shumë herë më mirë, për sa i përket gjërave të dukshme. Mirëpo kur mbyll sytë në shtëpi, kam shumë gjëra që kujtoj duke shpenzuar ato lekë. Shumë udhëtime dhe shumë kujtime, në fund, dy metra vend do të marrim, çfarë do të marrim nga kjo jetë?! Asgjë nga ato që ndërtuam, kështu që jetoj më shumë sesa të bëj një ekonomi. Nuk jam materialist, jam përfundimisht shpirtëror.

Ke patur një koleg në fillimet e tua që të ka ndihmuar dhe a i je shumë mirënjohës?

Mirënjohës i jam Jorgo Papingjit, sepse që në momentin e parë që shkela në Shqipëri, ai ishte mbështetja ime kryesore. Kam bashkëpunuar dhe me mikun tim Pandi Laço të cilin e falënderoj, por edhe me miq të tjerë, por me Jorgon është 95 për qind e repertorit tim. Në një farë mënyre i detyrohem shumë për këtë që jam sot, kostumi artistik që unë vesh.

Cilat janë planet e ardhshme, duke qenë se jemi në prag festash?

Po ne sapo nxorëm me Vaskë Currin një këngë e cila quhet “Hajde më përqafo”. Një duet që po ecën shumë dhe është i kërkuar nga publiku. Jo më kot e realizuam, sepse me Vaskë Currin dhe Eneda Tarifën ishim në një turne në Amerikë. Gjatë dhjetorit është festivali i Këngës në RTSH, ku do të prezantohem me “Ka momente”, të cilën ua dedikoj të gjithë atyre që do të gjejnë veten te kjo këngë.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF