KreuBordo Men

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Veshjet: London Men

“Mbaj mend ka qenë vjeshtë, fillim shtatori kur kam nisur në Top Albania Radio dhe kanë qenë ditë të nxehta në Tiranë”; kështu e nis Eno Popi rrëfimin e tij për “Bordo”, në barin ku u takuam, e që rastësia e deshi të jetë po vjeshtë, e po ashtu Tirana është ende nën pushtetin e ditëve të nxehta. Sapo është kthyer nga pushimet me të bijën dhe i puthur nga dielli i Antalias, Eno tregon se pushimet me Livin janë të bukura sa më s’ka, ama edhe sfiduese. 6-vjeçarja me energjinë e pashtershme, është krejt indiferente ndaj famës së të atit, madje edhe ndaj syve kureshtarë të njerëzve në rrugë që herë pas here përshëndesin Enon përzemërisht. Nëse për publikun Eno Popi është një imazh i dashur e i kahershëm i Top Channel, për Livin ai është ‘kali më i mirë në botë që e mban në krahë sa herë që ajo përton të ecë’. U bënë disa vite që jeta e Enos është kthyer në një udhëtim mes Kanadasë dhe Shqipërisë, një ndasi përjetimesh mes gjysmës tjetër të familjes që ndodhet përtej Oqeanit dhe karrierës për të cilën është investuar tri dekada këtu në atdhe. Kanë kaluar 27 vite që nga trokitja e parë në dyert e radios më moderne të asaj kohe, kur Eno një djalosh njomëcak në kapërcyell të adoleshencës ishte kapur fort pas një ëndrre…Një ëndërr që ndonëse me kohën herë zbehej, e herë kthehej edhe më e furishme, e vërteta është se për publikun, Eno Popi i mungon ekranit...

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

Eno, sapo je kthyer nga udhëtimi në Antalia? Si janë një palë pushime me babi Enon dhe Livin? Je dhe ti si të gjithë baballarët që ndonjëherë pëlqen të bësh lojëra ‘të rrezikshme’ me fëmijët?

Deri në pikën që është e sigurt për një 6-vjeçare, po jam dhe unë ai lloj babi (qesh). Ime bijë ka natyrë sfiduese, edhe ndaj argëtimeve mbi moshën e saj dhe kur je vetëm me të në pushime, përgjegjësia që mos të lëndohet nuk të lë të rrish ulur, edhe pse në pushime supozohet të pushosh. Nuk ishte hera e parë që unë dhe Liv udhëtojmë vetëm të dy për të pushuar. Herë na bashkohen familjarë, në raste të tjera jemi vetëm të dy. Dhe nga bisedat e mëngjesit deri te leximi i librave para gjumit, të gjitha i bëjmë vetëm të dy. Ka momente kur edhe bisedat mbarojnë, për t’i rinisur sërish nga e para të nesërmen. Me një fëmijë vetëm, është sfiduese.

Çfarë raporti ke krijuar me vajzën? Je lloji i babait autoritar, strikt, apo shok dhe tolerant që e llaston pa teklif?

Oh, është sfidë më vete të jesh autoritar me gjeneratën e re sot. Ndonjëherë përkthehet prej tyre si cenim i lirive personale. Autoriteti prindëror në konceptin se si unë dhe gjenerata e të lindurve në vitet ’80 ndryshon totalisht, nga ajo që prindërohet sot. Unë i kam besuar më shumë raportit të besimit dhe marrëdhënies shoqërore, sepse edhe shoh që funksionon në rastin tonë.

A mund ta pyesësh Livin se si do ta përshkruante ajo babin?

I kam në kokë çdo ditë përcaktimet e saj. Sidomos kur më duhet ta mbaj mbi shpinë. Sipas saj, “jam kali më i mirë që çdo fëmijë do të donte ta kishte, kur përton të ecë.”

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

Si e përjeton ajo këtë ndjesinë e një babi të famshëm?

Nuk e ka idenë hiç. Fama është aq relative në këto kohë. I ka rastisur të më shohë në televizion në disa dalje të mia, por ajo e quan punë, sepse kështu ia kam shpjeguar kur për shkak të punës kam qenë larg saj, dhe me kaq e mbyll.

U bënë disa kohë që jeta jote është e ndarë mes Kanadasë (ku jeton partnerja Atena dhe vajza Liv) dhe Shqipërisë? Është dilemë e vështirë vendosja e një destinacioni përfundimtar jetese?

Për familje që pozicionohen në këto situata është tejmase e komplikuar. Sidomos kur fëmijët rriten dhe prezenca e njërit prej dy prindërve është e reduktuar për shkak të largësisë. Por njerëzit vendosin përfundimisht në bazë të të mirave që marrin për hir të familjes dhe fëmijëve.

Në shtëpinë tënde të fëmijërisë tashmë është vetëm babi… prej vitesh familjes tuaj i mungon Mira, mami… Të ndodh ta kërkosh prezencën e saj sa herë je në atë shtëpi?

Mamatë janë të dashura për këdo. Sidomos për djemtë. Kur ikin janë humbje tejmase e fortë. Por cikli i jetës na dikton të shohim përpara. Fëmijët vijnë dhe për të tjerët që kemi ende mes nesh, marrin vëmendjen kryesore. Mungon patjetër fizikisht, por asnjëherë në kujtimet tona të përditshme. Unë në varreza shkoj gjithmonë vetëm. E kam bërë që nga ikja e saj. Ndaj ka momente që kur malli më thërret, e di çfarë duhet të bëj.

Kur njerëzit e dashur largohen nga jeta, na ndodh që ne të gjallët rrekemi të gjejmë te personat e tjerë tipare të tyre… Ty të ndodh?

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

Është shumë normale. Tek ime bijë tentoj të shoh herë pas here tipare, që i asocioj me trashëgiminë. Por janë gjithmonë detaje që shtyhen nga kujtimi dhe malli për ata që nuk janë më, sesa përngjasime reale.

Kjo nuk është një përshtypje personale, por një mendim që e kam dëgjuar shpesh në publik: “Eno Popi i mungon ekranit”. Po ty vetë, sa të mungon ai komunikimi me dritën e kuqe të kamerës?

Televizioni dhe radio janë profesion im. Unë kam qenë aktiv deri në sezonin e fundit televiziv. Prej disa vitesh kam zgjedhur të punoj me një ritëm tjetër nga angazhimi gjithëvjetor. Dikur e nisja në shtator dhe e përfundoja në korrik. Tashmë me cikle më të shkurtra. Patjetër që në çdo rast, kur diçka rifillon me atë dritën e kuqe, emocioni është si ditën e parë.

Duket si ‘mallkim’ i njerëzve të ekranit që shpesh u duhet të luajnë kllounin… Pas buzëqeshjes së një klouni fshihet shumë dramë. Ty të ka ndodhur ndonjëherë të buzëqeshësh në ekran, ndërkohë që brenda teje ishe i copëtuar?

Kush bën këtë profesion e di që problemet e tij i lë krejt jashtë performancës që duhet të ketë për programin apo angazhimin publik që po bën. “Problemet e mia” nuk janë të askujt tjetër, as për t’ja ngarkuar. Po, është e vërtetë që në faza të dendura pune, kam patur probleme që mund të bënin që nga përqendrimi deri te dalja në ekran të ishin problematike, por jam munduar me shumë forcë t’i mbaj larg. Dhe të kujtoj pse jam aty. Dhe të kujtoj pse më kanë besuar të jem aty.

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

Bën dot ‘miq për kokë’ në televizion? Ti ke të tillë?

Po, patjetër që bën. Koncepti mik nuk ka të bëjë me vendin e punës, sesa me njeriun që ke përballë. Patjetër që bën dhe unë natyrisht që kam miq për kokë në televizion.

Duhet të ketë ndoshta në të pandërgjegjshmen tuaj pak ‘luftë’ për protagonizëm?!

Oh, krejt normale. Kjo e bën më sfiduese.

Si e kujton trokitjen e parë në derën e Top Albanias?

Mund të më lësh 1 vit t’i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe kurrë nuk do e kujtoj çfarë kisha veshur. Mbaj mend ka qenë vjeshtë, fillim shtatori kur kam nisur dhe kanë qenë ditë të nxehta në Tiranë. Këtë e kujtoj mirë.

Nëse do ta kishe para sot Eno Popin 15 vjeç, çfarë do t’i thoshe? Ndoshta diçka që do të doje të ta kishin thënë atë kohë?

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

Kujtoj vazhdimisht të ndjerin Fatos Baxhaku, që më rastisi veçse ta kisha në ambiente të përbashkëta pune, edhe pedagog në Departamentin e Gazetarisë kur studioja dikur. Tosi më pati thënë që në 18-tat e mia: Ky profesion mund të japë aq shumë, sa mund të lërë në një moment edhe bosh. Pa asgjë! Në shumë raste e rikujtoj.

Eno, a ke pengje? Thua ndonjëherë ‘Po sikur…’?

Krejt normale! Kush nuk ka?! Por jeta nuk jetohet me “po sikur”. Do të ishim peng i madh pastaj i ngjarjeve dhe rrethanave.

Të paktën së jashtmi dukesh një person me këmbë në tokë… Në një kohë kur vaniteti dhe pompoziteti janë kthyer në stil jetese në radhët e të famshmëve, çfarë të bën ty të mos ‘infektohesh’ ende nga ky stil jetese?

Mbase nuk i kuptoj kur nuk i kam të gjitha rrethanat dhe kushtet për “vanitet”. Por i gëzohem dhe jam falënderues çdo ditë me aq sa jeta më ka ofruar dhe i kam marrë.

Eno Popi në ekran… Kur?

Unë këtu jam. Natyrisht me projektin e duhur.

Ekskluzive/ Eno Popi, rikthimi në ekran me projektin e duhur!

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF