KreuBordo Men

Ekskluzive/ Regjisori Robert Budina në Oscar me filmin “Pikë Uji”!

Ekskluzive/ Regjisori Robert Budina në Oscar me filmin “Pikë

Nga Olsi Kolami

Regjisori Robert Budina rrëfen pesë vite pune të jetës së tij, të cilat arriti t’i kthejë në një film 90-minutësh, e në fund u shpërblyen, jo vetëm me mirënjohjen nga publiku, por edhe përzgjedhjen nga Akademia e Oscar

Filmi “Pikë Uji” fsheh brenda çdo skene e dialogu pikëza të vogla uji të cilat përbëjnë realitetin shqiptar. Një histori përdhunimi pas së cilës nisin e shpalosen të tjera plagë të shoqërisë sonë, ku në syrin e ciklopit vihet raporti nënë e bir, i cili do të përballet me moralin, të vërteta, korrupsionin dhe drejtësinë. Kasti i shkëlqyer i aktorëve, si: Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga, Gerhard Koloneci, Kodjana Keco si dhe Paolo Iancu, kanë gdhendur me vërtetësi galerinë e personazheve. Ndërsa filmi po shfaqet me sukses në kinematë shqiptare, më pas do të udhëtojë drejt Italisë, Kosovës, Rumanisë, Gjermanisë e shumë vende të tjera, ndërsa qershia mbi tortë është Akademia e çmimeve Oscar, e cila sapo e ka përzgjedhur “Pikë Uji”, si filmin përfaqësues të Shqipërisë në ngjarjen më prestigjioze kinematografike botërore. Regjisori Robert Budina rrëfen për “Bordo” gjithçka që e ngjizi filmin 90-minutësh, në një produksion, i cili ka zgjatur plot pese vite.

Ekskluzive/ Regjisori Robert Budina në Oscar me filmin “Pikë

Robert, urime për filmin! Doja ta nisja nga skenari, për një regjisor ai ka shumë rëndësi, madje thuhet që është gjysma e suksesit, çfarë ju ngacmoi më shumë?

Skenari është shumë i rëndësishëm, aq sa puna me të zgjati thuajse tre vjet. Pasi e shkrova unë dhe nuk ishim të kënaqur ftuam skenaristen Ajola Daja e më pas Doruntina Bashën nga Kosova, për të realizuar një skenar i cili ishte frymëzues dhe kishte cilësinë e duhur për të thithur financime ndërkombëtare. Nga viti 2018 -2019 ndodhën disa raste përdhunimesh të të miturave nga shokët e tyre, të cilët në disa raste ishin familje të pasura dhe me pushtet dhe bënë gjithçka që rastet të fshiheshin nga media. Dhe më e çuditshmja ishte që edhe kur rastet dolën në dritë, të gjithë projektorët e mediave dhe opinionit publik u drejtuan te viktimat dhe jo te dhunuesit. Ajo çfarë më tronditi më shumë ishte që nënat e dhunuesve bënin gjithçka të fshihnin fajet e djemve të tyre, duke e hedhur atë te viktimat, të cilat sipas tyre kishin provokuar vetë djemtë. Nga ana tjetër, unë kam qenë gjithmonë një aktivist në shoqërinë time mbi të drejtën dhe kam njohur njerëz me pushtet që ndryshe sillen në publik dhe ndryshe janë në jetën e tyre reale. Duke i njohur nga afër dhe parë se çfarë kostoje njerëzore kishte pushteti, mendova të bëj, shkruaj një histori që mbi të gjitha drejtonte vëmendjen mbi shkaktarët e dhunës dhe raportet e tyre morale me jetën që bënin. Shkrova një histori komplekse që i përmblidhte të gjitha.

Realisht sa kohë ju është dashur për ta konkretizuar deri në momentin e premierës botërore?

Puna ka zgjatur rreth 5 vjet. Tre vjet skenari, thuajse një vit gjetja e financimeve, realizimi dhe shpërndarja edhe një vit tjetër.

Filmi sjell një pikë uji nga realiteti shqiptar, por brenda ka shumë pikëza të tjera, që japin një panoramë të shoqërisë, pse ky titull?

Një “Pikë Uji” që derdh gotën e Pitagorës, është ajo pikë uji që bën ndërrimin e madh nga sasior në cilësor, ose në kuptimin më të thjeshtë është që etja e madhe për pushtet duke shkelur mbi të tjerët, mund ta derdhë gotën e ujit, kështu i ndodh Aidës, që i ka të gjitha, por një ditë djali i saj adoleshent arrestohet nën akuzën se ka përdhunuar një nga shoqet e klasës. Aida për të nxjerrë të birin nga burgu, do të bëjë gjithçka, duke luftuar me një sistem moral të korruptuar nga i cili kish përfituar deri më sot.

Sfida prindërore një temë universale, a keni futur në film pjesë nga prindërimi juaj dhe Sabinës?

Kur djemtë tanë ishin pak më të vegjël, ne ishim në dilema të mëdha nëse po i edukonim siç duhej, pasi shumë shpesh ishin nervozë dhe nuk na dëgjonin. Kuptuam që shoqëria e tyre ushtronte te ta një presion të madh, si rezultat i statusit të thjeshtë që kishin dhe nuk ishin aq të pasur sa duhej. Punonim shumë që t’i krijonim kushtet atyre që mos të ndiheshin të frustruar apo të bullizuar. Disa vite ishin shumë të vështira dhe nuk e dinim cili do të ishte rezultati i edukimit tonë, sepse ajo që shihnim ishte thuajse e kundërta.

Një ndër elementët e komentuar të filmit ka qenë thellësia e tij, disa mendojnë që nuk është një triller, por psikologjik, ju si do ta konsideronit?

Filmi është dramë triller. Drama shpalos pjesën e konfliktit social, politik dhe psikologjik, ndërsa mënyra se si rrëfehet ngjarja dhe mjetet që përdoren për ta rrëfyer, janë triller sepse brenda ka shumë mister, suspansë dhe simbole të thjeshta, të cilat të ndihmojnë atmosferën e duhur për t’u përfshirë në ngjarje.

Kasti i aktorëve zgjedhje e zgjuar, një përzierje mes Shqipërisë e Kosovës, pse?

Në filozofinë tonë të punës ne gjithmonë kemi patur një kast mbarë shqiptar, në të gjithë filmat e mi nuk jemi mjaftuar me aktorë nga Shqipëria, por edhe Kosova e Maqedonia e Veriut, sepse mendoj se ka më shumë mundësi zgjedhjeje, por edhe sepse përmes artit bashkojmë trojet shqiptare kulturalisht. Dalja përtej kufijve të Shqipërisë ndihmon shumë në krijimin e një atmosfere më pozitive pune dhe ka mundësi më të mëdha shkëmbimi eksperiencash mes nesh.

Aida, një personazh shumë kompleks përballet me familjen e shoqërinë, a ka qenë një personazh real?

Mbase tani që e mendoj, mund të ketë ndodhur nën pavetëdijen time, sepse më ngjan me disa figura grash të auto-vërtetuara më së miri në pushtet në Shqipëri, i cili u jep një vetësiguri të tillë sa që duket sikur kurrë nuk do të shkëputen prej tij, por fillimisht personazhi i Aidës ka qenë i paravendosur nga ideja se deri ku mund të arrijë një nënë, që për më tepër ka edhe pushtet për të mbrojtur djalin e saj dhe bjerrja e saj morale, kur mëson disa të vërteta të hidhura, të cilat bëjnë që bota e privilegjeve që gëzonte fillon të shembet.

Ekskluzive/ Regjisori Robert Budina në Oscar me filmin “Pikë

Si ishte të punoje me Gresën, sidomos për faktin që vinte nga Kosova?

Që kur vendosëm të bënim kinoprovën, te Gresa pashë një potencial që nuk e kisha hasur në jetën time si profesionist, as në teatër dhe as në film. Gresa është një makineri aktrimi e lindur me talent dhe ajo që e shkëput është puna e madhe që bën, por mbi të gjitha humanizmi që e karakterizon. Gresa është tipi i aktores, e cila edhe pse kishte gjithë peshën e filmit gjente kohën të ndihmonte partnerët, stafin, mua personalisht. Gresa edhe pse nuk është nënë, në set u shndërrua në nënën e vërtetë të Paolo Iancut që luante Markun, të birin në film. Kjo bëri që marrëdhënie e tyre në film të ishte aq e besueshme dhe emocionuese njëkohësisht. Puna me Gresën ishte një magji, e cila u transmetua te të gjithë në set deri te stafi teknik. Ajo është lidere në punën e saj, e lindur për role kryesore, ka prerjen e duhur psikologjike për të qenë e tillë.

Arben Bajraktari sërish pjesë e Erafilm Production, çfarë ka ai diçka që e ftoni në filmat tuaj?

Beni është një aktor atipik, gjithmonë u jep roleve një përmasë përtej imagjinatës që ke krijuar për një rol të caktuar. Në film doja që figura e Ilirit, burrit të Aidës, të mos ishte klishe, pra një tip që detyron gruan të veprojë sipas vullnetit të tij, por doja figurën e një burri, i cili e do gruan dhe djalin dhe nga ana tjetër, të ruajë raportet me pushtetin dhe Arbenit nuk i lexohen qëllimet e jashtme, por emocionet me të cilin e realizon figurën.

I njohur për opozitën tuaj në jetën publiku, edhe në film keni zgjedhur ta bëni atë, si është të ngresh zërin përmes profesionit?

Fillimisht është një terapi për veten, por mendoj edhe për vetë shoqërinë, duke ftuar atë të japë përgjigje për disa nga pyetjet dhe realitetet njerëzore që ngremë në vepër. Është e vështirë sepse duhet të bësh një vepër artistike dhe jo moral me filmin, sepse në atë rast e kthen filmin në propagandë. Ky kufi është shumë i vështirë për t’u mbajtur siç duhet. Nga ana tjetër ngjarjet që kanë peshë të madhe emocionale dhe trajtojnë probleme që provokojnë shoqërinë, nëse nuk realizohen siç duhet, mund ta largojnë dhe lodhin publikun. Duke trajtuar një ngjarje të rëndë lokale, të cilën publiku mund ta dëgjojë rëndom në media, lind detyra ta shkëputësh atë nga realiteti dhe të gjesh mjete artistike që ta bësh tërheqëse dhe ta fusësh publikun në mendime. Nuk është aspak e thjeshtë, është shumë e komplikuar, por shumë e bukur dhe motivuese.

Drejtori i fotografisë, një emër i njohur në Rumani, por jo vetëm, sa rëndësi ka për një produksion shqiptar të bashkëpunojë me ato ndërkombëtare?

Një drejtor fotografie si Marius Pandur, për ne është luks. Mariusi është talent i lindur i kinemasë, nuk shteron kurrë me gjetjet e tij në fotografi, ta pasuron filmin edhe me mënyrën si ndjek ngjarjen, është thjesht jashtë çdo normaliteti. Të gjitha punët e tij nuk ngjajnë aspak me njëra-tjetrën. Është një talent i cili vetëm 45 vjeç, ka realizuar rreth 70 filma dhe shumë i kërkuar në Evropë e në Amerikë. Puna me profesionistë të tillë, të mpreh shqisat dhe të ngarkon me përgjegjësi të mëdha. Të ndihmon të arrish në nivelin e tij. Fatmirësisht, ne kemi punuar së bashku në të gjitha filmat e mi dhe dora e Mariusit është thelbësore në suksesin e filmit.

Të gjithë jemi kuriozë, “Pikë Uji” a do të na përfaqësojë në Oscar?

Komisioni vendosi që “Pikë Uji” të përfaqësojë Shqipërinë në garën me vendet e tjera për Oscar. Kjo hap para nesh një përgjegjësi tjetër që të gjejmë mundësinë që filmi të shihet nga anëtarët e Akademisë së Oscar-it dhe të konkurrojë denjësisht me filmat e tjerë nga e gjithë bota. Por, konkurrenca në të tilla nivele të çon deri aty sa nuk mjafton që një film të jetë thjesht i mirë, ai duhet të trajtojë edhe një temë që më së shumti shqetëson sot botën. Shpresojmë të jemi në trendin e kohës që po jetojmë.

A keni marrë ftesa për të qenë pjesë e festivaleve të tjera dhe cilat janë ato?

“Pikë Uji” do të jetë pjesë e garës zyrtare të Festivalit të Kategorisë A në Varshavë në Poloni dhe jemi shumë të lumtur. Aktualisht konkurrenca ndërkombëtare e filmave ka arritur në majat më të larta, sepse prodhohen shumë më tepër se disa vite më parë. Pak a shumë prodhohen rreth 2000 filma në botë, për rreth 150 vende që konkurrojnë në festivalet e kategorisë në gjithë botën. Ndërkohë jemi përzgjedhur në një festival të rëndësishëm në Gjermani, i cili ka një ndikim të madh në shpërndarjen e filmit në kinematë gjermane. Ndërkohë presim përgjigje nga shumë festivale të tjera.

Pas shfaqjes në kinema në Shqipëri, ku do të udhëtojë filmi juaj?

Filmi do të udhëtojë në kinematë e shumë vendeve, si në: Itali, Rumani, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat janë vendet bashkëprodhuese, por edhe në Gjermani, Austri, Poloni, Spanjë dhe mbase në vendet e Amerikës Latine.

Më bëri përshtypje që “Pikë Uji” do të shfaqet edhe në qytetet ku nuk ka kinema, si e keni ideuar?

Jemi në bashkëpunim me Cinemania Production që udhëhiqet nga Skënder Jaçe, i cili ka vite që shpërndan filmin me kinema lëvizëse në qytetet që nuk kanë kinema.

Filmat janë të kushtueshëm, çfarë duhet të ndryshojë në financimin e produksioneve shqiptare?

Duhet të rriten financimet e QKK-së, të bëhen më shpesh konkurse me program dy herë në vit, siç ndodh kudo dhe t’i jepet prioritet të rinjve, sepse shumë shpejt ata do të jenë e ardhmja e kinemasë shqiptare dhe vetëm ata kanë mundësinë ta çojnë më tej kinemanë tonë ndërkombëtarisht. Festivalet janë gjithmonë të etura për zëra unikë në kinema dhe mbi të gjitha të rinj, ndaj duhet t’i përkrahin më shumë.

Cili do të jetë projekti juaj i ardhshëm, a keni diçka konkrete për të cilën po punoni?

Jemi në skicë ide të veprës sime të katërt, ndërkohë jemi në zhvillim të një projekti serial, i cili trajton një ngjarje historike nga koha e komunizmit me mjete artistike krejt moderne, e cila i flet jo vetëm Shqipërisë, por gjithë botës. Këtë projekt po tentojmë ta bëjmë sa më ndërkombëtar dhe me buxhete ku përfshihen shumë vende në bashkëprodhim. Në të gjitha filmat tanë ka patur nga 2 deri 5 vende bashkëprodhuese, disa herë edhe Creative Europe dhe Eurimage, mbase kësaj radhe, do ta shtojmë më tepër numrin e bashkëprodhuesve edhe me televizione dhe rrjete shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Sabina Kodra, producentja e Erafilm ka bërë një strategji të mirëmenduar me këtë rast. Kam besim se mund t’ia arrijmë pasi historia është shumë e veçantë dhe tërheqëse.

Ekskluzive/ Regjisori Robert Budina në Oscar me filmin “Pikë

Ekskluzive/ Regjisori Robert Budina në Oscar me filmin “Pikë

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF